Shkroi: Fatbardh Dema
1 Prilli njihet gjerësisht si “Dita e Gënjeshtrave”, por në kohën moderne të internetit ky fenomen është përhapur shumë nëpërmjet mediave sociale.
Gjatë kësaj kohe, në media sociale, kjo ditë shfrytëzohet për të publikuar lajme të rreme e shaka kreative të cilat shpesh ngjallin reagime e disa prej tyre merren edhe si të vërteta nga lexuesit.
Një shembull i një lajmi të rremë që është publikuar si formë shakaje nga Gazeta KOHA DITORE më 1 prill 2011, ende edhe sot shpërndahet si i vërtetë.
Artikulli i publikuar nga kjo gazetë mbante titullin “George Washingtoni me prejardhje shqiptare”. Në fund të artikullit, ishte përdorur fjala “Aprililili”, një referencë e qartë ndaj traditës së 1 Prillit, kur thuhen gënjeshtra për argëtim.
Megjithatë, hibrid.info ka gjetur se artikulli është ripublikuar nga disa media online si lajm i vërtetë edhe në vitet 2016, 2019 dhe 2022 (këtu, këtu dhe këtu).
Fotografia e lajmit të publikuar më 1 prill 2011 në gazetën KOHA DITORE

Çka duhet të keni parasysh kur hasni në një përmbajtje të dyshimtë?
Verifikoni burimin
Para se të shpërndani apo të besoni çdo lajm apo informacion të pazakontë në internet, duhet të siguroheni që të verifikoni burimin. Edhe nëse ajo përmbajtje është publikuar për të krijuar humor, duhet të keni kujdes para se të shpërndani atë, pasi që jo të gjithë mund ta kuptojnë humorin si ju.
Analizoni përmbajtjen
Para se të besoni një informacion apo një lajm që duket i vërtetë, bëni një analizë të shpejtë të përmbajtjes.
Mos merrni gjithçka seriozisht
Sidomos për 1 prill “Ditën e Gënjeshtrave”, shumë faqe dhe burime në internet publikojnë informacione të rreme në formë shakaje. Duhet të keni parasysh që kjo është një ditë e veçantë dhe nuk duhet të merret gjithçka seriozisht.
Kërkoni sqarime
Nëse e keni dyshimin për ndonjë informacion apo lajm që është publikuar, nuk ka asgjë të keqe të kërkoni sqarime ose të ndani dyshimet tuaja me miqtë dhe familjen. Komunikimi është çelësi për të shmangur “mashtrimet” që ndodhin me 1 prill dhe jo vetëm.