“Sekretari amerikan Marco Rubio në Tiranë” dhe “Ivanka Trump në Vlorë” janë dy pretendime të publikuara të dielën (12 prill) në hapësirën digjitale në gjuhën shqipe.
Por, këto dy pretendime nuk u konfirmuan e madje më pas edhe u përgënjeshtruan nga burime kredibile.
Megjithatë, të njëjtat pretendime u publikuan edhe nga media në gjuhën shqipe.
Marco Rubio në Tiranë
Ardian Hoxha, biznesmen nga Kosova, publikoi në llogarinë e tij në Facebook një imazh ku pretendonte se është në shoqërinë e tre personave, në mesin e të cilëve edhe të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio (shih këtu).
Nga mbishkrimi aktual i publikimit, sqarohet se ky imazh është i krijuar me inteligjencë artificiale.

Megjithatë, nga kontrolli i historisë së modifikimeve të përshkrimit të imazhit, vërehet se postimi pati këtë përmbajtje: “Ishte një nder i madh të prisja sot në Tiranë Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. Ne besojmë se projektet tona në Shqipëri do të forcojnë më tej lidhjet midis kombeve shqiptare dhe amerikane. Faleminderit Driton që e organizove këtë”.

Disa media në gjuhën shqipe, duke u bazuar në përshkrimin e parë të këtij postimi, kanë publikuar artikuj ku raportohej se kryediplomati amerikan ishte në Tiranë. Artikujt e disa mediave për këtë imazh vazhdojnë të jenë në hapësirën digjitale (shih këtu dhe këtu).
Ndërkohë, nëse në makinën e kërkimit “Google” bëhet një kërkim me fjalët kyçe “marco rubio tiranë”, shfaqen rezultate që përfshijnë artikuj mediatikë të publikuar si raportime të bazuara në imazhin në fjalë, por që më pas janë fshirë.
Ivanka Trump në Vlorë
Pretendimi për qëndrimin e të bijës së presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka, në Vlorë u raportua nga mediat në gjuhën shqipe me vendndodhje në Shqipëri (shih këtu dhe këtu). I njëjti pretendim u ripublikua edhe nga disa media në Kosovë (shih këtu dhe këtu).
Mediat në gjuhën shqipe më pas publikuan artikuj ku sqarohej se pretendimi për ardhjen e Ivanka Trump në Vlorë, ishte lajm i rremë (shih këtu dhe këtu). Pretendimi u mohua edhe nga kryeministri shqiptar, Edi Rama (shih këtu dhe këtu).
Pse ndodh kjo?
Informacione të cilat publikohen në këtë formë, hibrid.info u jep vlerësimin si “Përmbajtje e paverifikuar”. Në bazë të metodologjisë, vlerësimi “I paverifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.
Në disa nga rastet kur disa media publikojnë një përmbajtje të pasaktë, hibrid.info ka vërejtur se bëhet fjalë për praktikë të gazetarisë, e cila bazohet në materialet e burimeve të jashtme, duke rezultuar në artikuj që janë kopje të origjinalit (shih këtu dhe këtu). Kjo praktikë është e njohur me termin “Churnalism”, ose “gazetaria copy-paste” (shih këtu).
Nëse një medium publikon një përmbajtje të paverifikuar dhe ajo më pas ripublikohet nga media të tjera, rritet mundësia që një informacion i pasaktë të përhapet në shumë burime informimi.
Ndërkaq, sipas një artikulli shkencor “Eksplorimi i faktorëve që zbusin ndikimin e vazhdueshëm të keqinformimit” (Exploring factors that mitigate the continued influence of misinformation) nga Kan et al. (2021), tregohej se edhe pasi një informacion të jetë korrigjuar, besimet dhe perceptimet e individëve shpesh vazhdojnë të ndikohen nga informacioni fillestar.
Përfundim
Rastet e “Marco Rubio në Tiranë” dhe “Ivanka Trump në Vlorë” tregojnë qartë se si përmbajtjet e paverifikuara mund të qarkullojnë me shpejtësi në hapësirën digjitale dhe të ripublikohen nga disa media pa një verifikim të plotë të fakteve. Në këto situata, një postim fillestar ose një burim i paqartë mund të shndërrohet në “lajm” përmes riprodhimit të tij nga media të ndryshme, duke krijuar përshtypjen e një informacioni të konfirmuar.
Kjo praktikë rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së dezinformatave, sidomos kur mungon kontrolli editorial ose kur mbizotëron shpejtësia mbi saktësinë. Njëkohësisht, ajo tregon rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe përgjegjësinë e mediave në procesin e publikimit të informacionit. Në këtë kontekst, rastet e tilla e theksojnë edhe më shumë nevojën për raportim të kujdesshëm dhe të bazuar në fakte të konfirmuara.







