Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh… Të fundit | Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presi… Të fundit | Hibrid.info në shënjestër të fushatës dezinformuese ruse “Matryoshka” me na… Të fundit | Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xham… Të fundit | Paraqiten si fakte të kryera ndarja e shtesave për fëmijë dhe pensionistë
[ ARTIKULLI ]

Kurti nuk ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme do t’i marrë 80 deputetë

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet publikimeve në media dhe në Facebook është pretenduar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse ka zgjedhje të reja parlamentare, ai do t’i marrë 80 deputetë.

“Kurti i bindur nëse ka zgjedhje: Unë i marr 80 deputetë”, ka qenë titulli dominues i këtyre pretendimeve të publikuara më 6 mars.

Publikimi u gjet në portalet informative “gazetainfokus.com”, “botaelajmeve.info”, “kosovapost.net” ndërsa gjetjet tregojnë se ishte publikuar edhe në mediume të tjera apo edhe faqet zyrtare në media sociale (“zeri.info”, “gazeta10.com”, “lajmi.net”), por që përmbajtjet nuk shfaqen më në faqet e tyre. Publikimi është shpërndarë edhe nga faqe në Facebook si “Info Peja”, “VushtrriaOnline”, “Zerogjasht.com”. Bashkërisht kanë gjeneruar mijëra komente.

Çka nuk qëndron te këto përmbajtje?

Kurti nuk ka dhënë deklaratë të tillë. Në konferencën për shtyp pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin, Kurti ka thënë se për postin e presidentit duhen 80 deputetë dhe nuk mund të pritet se nëse mbahen zgjedhjet e ardhshme tash, ai do të kërkojë që t’i sigurojë 80 ulëse në Kuvend.


Çka tha Kurti? (Video)

“Unë më herët kam parë gatishmëri për zgjedhje, por nuk kam pa zell për zgjedhje të reja, të përsëritura. Tash po shoh edhe zell për zgjedhje të reja të përsëritura, të cilat do të na marrin kohë më shumë. Do të mund të jenë zgjedhje, nuk shoh qysh tash se si do të mund të jenë edhe zgjidhje. Për shkak se bëhet fjalë për kuorumin prej 80 deputetëve në sallë që duhet ta sigurojmë bashkërisht të gjithë. Nuk mund të presim që të fillojmë zgjedhjet e reja në fushata të përsëritura ku tash duhet të themi që unë i marr 80 deputetë së paku. Pra nuk është çështja te 61-shi, është çështje te 80-shi, që i bie 2/3. Dhe në këtë situatë unë nuk besoj që zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje e re. Përkundrazi, do të ketë njëfarë vazhdimi të agonisë legjislative institucionale në përgjithësi, që është e panevojshme përveç se e padrejtë. Dhe së paku zgjedhjet do të kushtojnë nja 10 milionë euro. Vështirë të nxirremi edhe nga një palë zgjedhje të tjera pa 10 milionë euro për ta përsëritur rezultatin. Mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël, por unë nuk shoh diferenca të mëdha. Prandaj Po e presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që përbrenda këtyre 60 ditëve duke filluar nga mbrëmë ta përmbyllim procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës”, tha Kurti.


Publikimi ishte bërë në kohën kur Kurti e mbante konferencën për shtyp.


Për rastin ka reaguar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka. “Kjo nuk qendron. Madje Kryeministri e tha te kunderten”, ka shkruar ai në Facebook duke shpërndarë postimet e “zeri.info” dhe “Kanal10” (“Gazeta10) në Facebook me pretendimin që po trajtohet. Në asnjërën nga këto media nuk shfaqet më pretendimi. Gjithsesi, në disa raste që po trajtohen (me vegëza të arkivuara më lartë) shihet se është cituar “zeri.info”.


Po ashtu, kërkimi në “Google” me titullin “Kurti i bindur nëse ka zgjedhje: Unë i marr 80 deputetë” tregon për përmbajtjet e publikuara me këtë pretendim.


Konteksti:

Kurti në këtë konferencë kishte folur për dështimin që më 5 mars të zgjidhej presidenti i ri në Kuvendin e Kosovës. Në seancë nuk kishte kuorum të nevojshëm prej 2/3 të 120 deputetëve për të votuar për postin e presidentit. Ai akuzoi opozitën për mosqëndrimin në sallë.

Presidentja Vjosa Osmani e dekretoi shpërndarjen e Kuvendit me arsyetimin se ka dështuar zgjedhja e presidentit të ri. Kjo u kundërshtua nga Kurti që tha se procesi ka nisur dhe se duhen 60 ditë për ta përfunduar. Ai dhe Vetëvendosje kanë paralajmëruar dërgimin e dekretit në Gjykatë Kushtetuese. Sipas tij, shpërndarja e Kuvendit duhet të bëhej vetëm nëse do të dështohej në rundin e tretë të votimit për president. (shih këtu)

Në zgjedhjet e kaluara, të 28 dhjetorit 2025, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 57 deputetë (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse ka zgjedhje të reja parlamentare do t’i marrë 80 deputetë, është i pasaktë.

Në konferencën për shtyp ai përmendi numrin 80 duke iu referuar kuorumit prej dy të tretave të deputetëve që nevojitet për zgjedhjen e presidentit, jo si parashikim për rezultat zgjedhor.

Disa media e interpretuan pasaktë këtë deklaratë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere