Karriget e zbrazëta që simbolizonin mungesën në debat të zyrtarëve publikë, janë zëvendësuar me përkrahës të qeverisë, që thonë mendimet e tyre, por nuk janë përgjegjësit e vërtetë. Njëjtë edhe ana tjetër, në shumicën e “debateve” të mbrëmjes kemi përkrahës të opozitës, e pak opozitarë që kritikojnë politikat qeveritare.
Alban ZENELI
Përballja në studio televizive dikur ishte momenti i së vërtetës për politikanët dhe debatuesit përmes fakteve dhe argumenteve ose siç thotë Habermarsi se dikur “thelbi i demokracisë ishte argumentimi i kujdesshëm dhe shkëmbim i arsyetuar i argumenteve”. Sot, ajo është kthyer në një skenë ku mungojnë protagonistët kryesorë, s’ka argumentim të kujdesshëm, ka argëtim, ka zhurmë, ka përplasje për t’u bërë viral e rrjedhimisht edhe për t’u ftuar pastaj në debatet tjera.
Në këtë situatë, zyrtarët publikë – politikanët shmangin gazetarët kritikë, ndërsa debatet mbushen me opinionistë që flasin për ta, pro dhe kundër, në një format që ngjanë me shoun. Karriget e zbrazëta që simbolizonin mungesën në debat të zyrtarëve publikë, janë zëvendësuar me përkrahës të qeverisë, që thonë mendimet e tyre, por nuk janë përgjegjësit e vërtetë. Njëjtë edhe ana tjetër, në shumicën e “debateve” të mbrëmjes kemi kundërshtar të Qeverisë e përkrahës të opozitës, e pak opozitarë që kritikojnë politikat qeveritare.
Në pikëpamje të zhanrit televiziv, formatit televiziv, debati po përjeton një eksod: jo sepse mungojnë temat, por sepse mungon llogaridhënia. Politikanë, pushtet e opozitë kanë gjetur mënyra për të komunikuar pa u sfiduar. Zyrtarët qeveritar e opozitar, preferojnë më shumë dalje të kontrolluara në sferë publike: konferenca pa pyetje, intervista miqësore, ose komunikim përmes rrjeteve sociale. Kjo shmang pyetjet e pakëndshme dhe redukton rrezikun politik për ta. Por, a mund të quhet demokraci një sistem ku pyetjet e vështira shmangen? Kush është në të vërtetë fajtori?
Formatet e tilla televizive zhvendoset nga faktet tek perceptimet dhe bindjet ideologjike të të ftuarve. Ndërkohë që qytetarët mbeten pa informacion të drejtpërdrejtë dhe pa përgjegjësi konkrete në çështjet me interes publik.
Ky ndryshim, sipas Jurgen Habermasit, ndodh për shkak të imperativëve të ekonomisë së vëmendjes që është karakteristikë kryesore e mediave sociale. Në këto kanale tashmë po konkurrojnë për vëmendje edhe mediat, ngjashëm si dikur shtypi bulevardesk.
“Me përafrimin e programeve politike me ofertat argëtuese dhe konsumatore, me të cilat adresohen qytetarët si konsumatorë, prekim tendenca të depolitizimit, të cilat në studimet e mediave janë vërejtur që nga vitet 1930, por që tani po intensifikohen në mënyrë evidente përmes ofertave të mediave sociale.”
Duke e trajtuar edhe më thelb këtë çështje, të “Transformimi i ri strukturuar i sferës publike dhe politika deliberative”, ai thotë se në fakt, drejtimi i temave në bazë të ekonomisë së vëmendjes që e imponojnë mediat sociale bënë që të dëmtohet sistemi demokratik duke u dëmtuar sfera publike që është e filtruar kualitativisht.
“Një sistem demokratik dëmtohet në tërësi nëse infrastruktura e sferës publike nuk mund ta drejtojë vëmendjen e qytetarëve drejt temave relevante dhe që kanë nevojë për vendime dhe nuk mund ta sigurojnë më formimin e mendimeve publike konkurruese, e kjo d.m.th. kualitativisht të filtruara.’, shkruan ai.
Ndonëse, gazetarët mund të marrin përgjigje negative nga politikanë, të pozitës dhe opozitës, njohës të fushës e përgjegjës publik të institucioneve, kjo nuk e shmang median nga përgjegjësia që publikut t’i tregojë që debatin po e organizojnë pa pjesëmarrjen e një pale. Jo thjeshtë të zëvendësohen me opinionistë, analistë, apo ata që Bourdieu i quan fast-thinkers. Këta të fundit pa dyshim që kanë vendin e tyre në debate, për të dhënë mendime, por jo për t’u mbajtur përgjegjës e as për të mbrojtur në mënyrë partiake partizane.
Megjithatë, debati si iniciativë nuk ka vdekur—ai është zhvendosur, fragmentuar dhe deformuar në dromca. Rikthimi i tij kërkon presion publik, guxim nga gazetarët dhe përgjegjësi nga mediat për të kërkuar llogari. Sepse demokracia nuk ka nevojë për më shumë zëra në studio, por për më shumë përgjigje nga ata që marrin vendime.
(Alban Zeneli është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ai është edhe autor i shumë publikimeve shkencore në revista prestigjioze botërore. Zeneli është opinionist i rregullt në hibrid.info).