Disa faqe në Facebook kanë publikuar postime me titull “Goditje për qytetarët, rritet çmimi i bukës publikohen çmimet e reja”.
Këto publikime janë bërë nga faqet “Kosova Report”, “Postjeri”, “Gazeta Royal”, “Lajme” dhe “Albanews24”. Në komentet e postimeve, publikuesit kanë vendosur edhe një vegëz (link) që dërgon te artikulli me të njëjtin titull.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas hapjes së artikullit, bëhet e qartë se lajmi ka të bëjë me rritjen e çmimit të bukës në disa furra në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, duke qenë se faqet e lartcekura zakonisht publikojnë përmbajtje që lidhen me Kosovën, titulli dhe mënyra e paraqitjes mund t’i shtyjnë lexuesit të mendojnë se rritja e çmimit ka ndodhur në Kosovë.
Në seksionin e komenteve vërehet se një pjesë e lexuesve e kanë interpretuar këtë lajm si njoftim për rritjen e çmimit të bukës në Kosovë.
Për të konfirmuar se ngjarja lidhet me Maqedoninë e Veriut, hibrid.info ka gjetur edhe raportime nga media të atjeshme që kanë publikuar artikuj për këtë rast (shih këtu dhe këtu).
Pjesë nga artikulli i publikuar nga mediumi online “strugalajm.com”
“Çmimet e bukës dhe produkteve të brumit në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar sërish rritje, duke rënduar edhe më shumë buxhetin e qytetarëve, të cilët ankohen se krahas shtrenjtimit po përballen edhe me zvogëlim të peshës së produkteve”.
Analiza
Postimet me titull “Goditje për qytetarët, rritet çmimi i bukës publikohen çmimet e reja” janë publikuar nga faqe që zakonisht shpërndajnë lajme për Kosovën.
Megjithatë, pas hapjes së artikullit kuptohet se lajmi lidhet me rritjen e çmimit të bukës në disa furra në Maqedoninë e Veriut. Edhe komentet e lexuesve tregojnë se një pjesë e tyre e kanë keqinterpretuar përmbajtjen si zhvillim që ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.