Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen artikuj të titulluar “Përfundimisht VV dhe NISMA prishen: I kemi bërë ofertë, do duhej të na votonin”.
Përmbajtjet me këtë titull janë publikuar të premten (25 korrik) nga mediumet online “periskopi.com”. “kfvagency.com” dhe “shekulli.info”.
Çka nuk shkon me pretendimin në titull?
Deklarata “I kemi bërë ofertë, do duhej të na votonin” ndonëse nuk sqarohet në titull,ka ardhur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, drejtuar subjektit politik, Nismës Socialdemokrate.
Por, në deklaratën e paraqitur, nuk përmendet se marrëdhënia e LVV me Nismën ka përfunduar ose është prishur.

Në kreun e lajmit të publikuar nga të tri mediumet e lartpërmendura, thuhet se deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, pas dështimit të 52-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se subjekti politik të cilit ai i takon i ka ofruar marrëveshje politike dhe kompromise Nismës Socialdemokrate, por se tani i takon kësaj të fundit që të bëjë lëvizje përpara, duke votuar për konstituimin (shih këtu).
Deklaratat e Muratit në tekst:
“Ne kemi ofruar edhe marrëveshje politike, edhe kompromiset e nevojshme, megjithatë u takon edhe palëve të tjera që të bëjnë lëvizje para, sepse ne si fitues kemi bërë lëvizjet e nevojshme. Kemi bërë ofertën, por Nisma në këtë rast do të duhej të votonte. Pra konstituimi i Kuvendit pikë së pari është obligim i të gjithë deputetëve. Ne për Nismën Socialdemokrate kemi pasur ofertë politike edhe për qeverisje, ashtu siç kërkohet ka qenë oferta”
“Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj sepse çdo votë “Për” na ofron drejt qëllimit, do të mjaftonte që secili deputet e subjekt ta kryerjë obligimin kushtetues që të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit”
Pra, siç shihet, nuk ka deklaratë zyrtare për fund apo “prishje” të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy subjekteve.
Gjithashtu, në deklarimin e liderit të Nismës, Fatmir Limaj, para mediave, nuk është thënë se ka prishje apo perfundim të bashkëpunimit ndërmjet LVV-së dhe Nismës (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi në titull që LVV dhe Nisma Socialdemokrate janë prishur përfundimisht, i bazuar në një deklaratë për të cilën nuk sqarohet se ka ardhur nga deputeti Hekuran Murati, nuk është i vërtetë.
Në deklaratat e deputetit Hekuran Murati, për të cilën është raportuar në lajm, nuk përmendet se marrëdhënia mes këtyre dy subjekteve politike ka përfunduar apo është prishur.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.



