[email protected]
Përdoret tregim i vjetër për të ndërtuar artikull me rrëfim të sajuar
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “web3.lajme.icu” ka publikuar një artikull me titull “Përfundon 2 fakultete dhe punon Taksi për ti ndihmuar babait të sëmur…”.

Pas hulumtimit përmes programit te automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin origjinal që ka të bëjë me një vajzë nga Turqia e quajtur Dilara Kalay, e cila kishte zgjedhur profesionin e taksistes, që ishte edhe profesion i babait të saj.

Ky portal i dyshimtë ka marrë një pjesë nga rrëfimi i Kalayt i publikuar në dhjetor të vitit 2021, duke krijuar një artikull të sajuar me pretendimin se “për t’i ndihmuar babait të saj të sëmurë, vajza ka zgjedhur që të punojë si taksiste”.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “web3.lajme.icu”:

https://web3.lajme.icu/2022/08/05/perfundon-2-fakultete-dhe-punon-taksi-per-ti-ndihmuar-babait-te-semur/?fbclid=IwAR3-QDoF6jWmbTSob7RMXAmCGmPAgVuOlJeMDqGUBLYX-sRkPpvP5_90Iy8

Ky artikull me titull të sajuar është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “33shi.com”, e cila numëron afër 50 mijë ndjekës. (shih këtu)


Nga hulumtimi i kryer, hibrid.info ka gjetur rrëfimin e Kalayt në një medium online turk “Ensonhaber.com”, e cila kishte treguar se këtë profesion e ka zgjedhur pasi më herët e kishte babai i saj. (shih këtu)


Pjesë nga rrëfimi i Dilara Kalay i përkthyer në shqip:

“Kam studiuar në universitetin në Stamboll. Pasi mbarova shkollën, vendosa të ndihmoja babain tim, i cili ishte shumë i lodhur për të na mësuar. Nga ana tjetër kam disa nisma për kozmetikën. Me paratë që do të kursej nga këtu, në të ardhmen do të angazhohem në kozmetikë. Ka një muaj që kam filluar të ngas taksi. Në fillim familja ime ishte paksa nervoze. U përpoqa shumë për t’i bindur. Gjithmonë e kam admiruar babanë, këtë profesion ia kam marrë babait. Sepse unë jam dikush që mendoj se gratë duhet të jenë kudo”, tha ndër të tjerash ajo.


Analiza:

Portali i dyshimtë “web3.lajme.icu” ka publikuar një rrëfim të një taksisteje nga Turqia, e cila thotë se këtë profesion e ka zgjedhur pasi më herët atë e kishte ushtruar babai i saj.

Mirëpo, portali i dyshimtë i lartcekur, këtë rrëfim e ka përdorur për të krijuar artikull të rremë, me pretendimin se “Dilara Kalay këtë profesion e ka zgjedhur për t’i ndihmuar babait të saj të sëmurë”.

Me anë të këtij pretendimi të rremë, duket se ky portal i dyshimtë synon që të tërheqë lexuesit të klikojnë në të, duke mos u ofruar atë që pretendohet në titull. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others