Të fundit | Haziri nuk ka folur për koalicion LDK-VV Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Pretendime konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, manipulim i deklaratës së Erdoganit dhe pretendim i rremë për lirimin nga akuza për keqpërdorim të dyshuar e Rozeta Hajdarit

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Lajmet e rreme, manipulim i fakteve dhe gabimet në raportim kanë qenë dy kategoritë që kanë dominuar gjatë javës së kaluar, nga 9 deri më 14 shkurt.

Gjatë javës në raportim janë evidentuar dy raste të lajmeve të rreme të publikuara në faqe dhe llogari në Facebook, që lidhen me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe procesin gjyqësor ndaj tij në Hagë. Në rastin e parë, është shpërndarë një imazh me një deklaratë të sajuar që i atribuohej Thaçit, me përmbajtje sfiduese ndaj prokurorisë dhe Serbisë, por që pas verifikimit nuk rezulton të jetë publikuar në asnjë media apo burim të besueshëm. Në rastin e dytë, disa llogari kanë publikuar një fotografi nga seanca gjyqësore ku shihej avokati Lluka Mishetiq, duke pretenduar se në gjykatë ishte deklaruar se Thaçi “nuk ishte në UÇK dhe se punonte për Shërbimin Sekret francez”. Verifikimet në burime zyrtare dhe raportime kredibile nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që një deklaratë e tillë të jetë bërë gjatë procesit gjyqësor.

Në kategorinë e manipulimit të fakteve, gjatë javës janë evidentuar pretendime të pabazuara dhe të nxjerra jashtë kontekstit në rrjete sociale. Në platformën X janë shpërndarë pretendime se përmes Kosovës janë trafikuar mbi një milion fëmijë, duke u ndërlidhur me publikimin e dosjes së Jeffrey Epstein nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Në këto pretendime është përmendur edhe konsullja e nderit e Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadarasri Jayankura, si dhe janë përfshirë jashtë çdo konteksti fotografi të familjes së Bill Clinton me fëmijë refugjatë kosovarë në Maqedoni gjatë vitit 1999, duke krijuar narrativë spekulative pa prova. Ndërkohë, në Facebook është publikuar një imazh me pretendimin se Lumir Abdixhiku i ka dhënë mbështetje Vjosa Osmani, pa sqaruar kontekstin. Në fakt, deklarata e Abdixhikut kishte të bënte me mbështetjen e LDK-së ndaj iniciativës së Bordit të Paqes, ku Kosova figuron si shtet themelues, por mënyra e paraqitjes ka lënë hapësirë për interpretim si përkrahje për një mandat të dytë presidencial.

Në kategorinë e gabimeve në raportim, gjatë kësaj periudhe u evidentuan pasaktësi si në media online ashtu edhe në raportime politike. Mediumi Insajderi.org publikoi në Facebook një postim ku pretendohej se një aksion policor kishte ndodhur në Durrës, duke e ilustruar me fotografi të Policisë së Shqipërisë, ndërsa pas verifikimit rezultoi se ngjarja kishte ndodhur në fshatin Arllat të Drenasit, në Kosovë. Po ashtu, disa media raportuan gabimisht se Qeveria “Kurti 3”, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka 20 ministri dhe përbërje gjinore 16 burra e 4 gra. Në fakt, sipas vendimit të Kuvendit, qeveria ka 19 ministri (21 anëtarë gjithsej), me 5 gra në poste ministrore. Gjithashtu, është raportuar gabimisht se “Kurti 2” kishte 16 ministri, ndërkohë që kishte 15, çka tregon se pati rritje, por shifrat e publikuara ishin të pasakta.

Në kategorinë e teorive konspirative, Zyra për Kosovën në Qeveria e Serbisë pretendoi se përdhosja e varrezave ortodokse në fshatin Skullan ishte tregues i “ekstremizmit shqiptar”, ndonëse autorët nuk janë identifikuar dhe nuk ka asnjë fakt që e mbështet këtë pretendim; për më tepër, fshati Skullan i përket komunës së Graçanicës dhe rasti nuk figuron as në raportin 24-orësh të Policia e Kosovës të 9 shkurtit. Në kategorinë clickbait, KosovaPress.com publikoi një titull se karateistët kosovarë u “përjashtuan” nga Evropiani në Qipro, ndërsa verifikimi tregoi se ata nuk morën pjesë për shkak të kushteve diskriminuese të shtetit organizator që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në një rast clickbait/dezinformatë, u pretendua se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e kishte cilësuar Serbinë si partneren më të fortë në rajon, por deklaratat zyrtare flasin vetëm për rritje të bashkëpunimit dhe investimeve, pa një cilësim të tillë. Ndërsa në kategorinë dezinformatë, u pretendua se ish-ministrja Rozeta Hajdari ishte liruar nga akuza për rastin e “rezervave shtetërore”, megjithëse procesi gjyqësor vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe nuk ka vendim përfundimtar; vendimi i mëhershëm i Gjykatës Supreme kishte të bënte vetëm me masën e paraburgimit dhe jo me fajësinë apo pafajësinë e saj.

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes një njoftimi në ueb-faqen zyrtare, ka pretenduar se përdhosja e varrezave ortodokse në fshatin Skullan të Lipjanit është tregues i ekstremizmit shqiptar. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se autorët e veprës nuk janë identifikuar dhe nuk ka asnjë fakt që e mbështet këtë pretendim. Po ashtu, fshati Skullan i takon komunës së Graçanicës, jo asaj të Lipjanit. Ndërsa, deklarata e familjarit të të ndjerit nuk përmend etninë e kryerësve, e rasti nuk figuron as në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës të datës 9 shkurt. (këtu)

Manipulim i fakteve

Profile të ndryshme në rrjetin social X kanë publikuar pretendime se përmes Kosovës janë trafikuar mbi 1 milion fëmijë. Pretendimi ka ardhur pas publikimit të dosjes Epstein nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, e ku në disa raste përmendet Kosova. Një nga këto raste është përfshirja në korrespodenca e konsulles së nderit të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës, Princeshës Mom Luang Rajadarasri Jayankura. Pretendimet kanë përfshirë jashtë çdo konteksti edhe familjen presidenciale Clinton, duke postuar fotografi të tyre me fëmijët refugjatë të Kosovës në Maqedoni gjatë luftës, më 1999. (këtu)

Në Facebook është publikuar një imazh me mbishkrimin se Lumir Abdixhiku i ka dhënë mbështetje Vjosa Osmanit, pa u sqaruar se për çfarë lloj mbështetjeje bëhet fjalë. Postimi bazohet në një deklaratë të Abdixhikut, ku ai ka shprehur mbështetjen e LDK-së ndaj iniciativës së Bordit të Paqes, ku Kosova figuron si një nga shtetet themeluese. Duke qenë se Osmani e ka shprehur edhe publikisht ambicien për një mandat të dytë si Presidente, përmbajtja e trajtuar lë mundësinë që lexuesi ta pranojë atë si përkrahje politike pikërisht për këtë çështje. (këtu)

Clickbait

Një artikull me titullin “Karateistët kosovarë përjashtohen nga Evropiani në Qipro për shkak të simboleve shtetërore” është publikuar të martën (10 shkurt) nga Agjencia e Lajmeve “KosovaPress.com”. Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se karateistët kosovarë nuk janë përjashtuar, por nuk kanë marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Qipro për shkak të kushteve diskriminuese të vendosura nga shteti organizator, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Nëpërmjet artikujve është pretenduar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka cilësuar Serbinë si partneren më të fortë në rajon. Pretendimi se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka cilësuar Serbinë si partneren më të fortë të Turqisë në rajon, nuk është i mbështetur në fakte. Nga verifikimi i deklaratave zyrtare dhe postimit që është marrë për bazë në artikull, Erdogani ka folur për rritje të bashkëpunimit dhe investimeve. Megjithatë, ai nuk ka bërë cilësimin që Serbinë Turqia e ka partneren më të fortë në rajon. (këtu)

Gabim

Mediumi online “Insajderi.org” ka publikuar në Facebook një postim me mbishkrimin se një aksion i policisë ka ndodhur në Durrës, duke i bashkëngjitur edhe fotografinë e një veture të Policisë së Shqipërisë. Megjithatë, pas klikimit në artikull dhe verifikimit të përmbajtjes, u vërtetua se ngjarja ka ndodhur në fshatin Arllat të Drenasit, në Kosovë, dhe jo në Durrës siç pretendohet në mbishkrim. (këtu)

Disa media kanë raportuar gabimisht se Qeveria “Kurti 3” ka 20 ministri. Po ashtu është pretenduar gabimisht edhe për ndarje gjinore të ministrave në raport 16 burra e 4 gra. Sipas vendimit të Kuvendit dhe prezantimit, Qeveria e re i ka 19 ministri (21 anëtarë, përfshirë kryeministrin dhe një zëvendëskryeministër pa ministri të caktuar). Prej 19 posteve ministrore, 5 janë gra. Po ashtu, është përmendur gabimisht se “Kurti 2” kishte 16 ministri e në fakt i kishte 15. Pra, pati rritje, por shifrat për numrin dhe ndarjen gjinore ishin të pasakta. (këtu)

Lajm i rremë

Disa faqe në Facebook publikuan një imazh të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me një mbishkrim që pretendonte të ishte deklaratë e tij. “Nuk ka prokuror të shitur që mundet me më shantazhu, sha e fy në luftën time të drejtë kundër Serbisë. Edhe 200 vite dënim të më jepni, deklaroj që gjithmonë do t’ia kthejë pushkën e lapsin Serbisë agresore” – I juaji, Hashim Thaçi”. Pas verifikimit, hibrid.info ka vërtetuar se një deklaratë e tillë nuk është publikuar kurrë në media ose burime të besueshme. Kërkimet online (Google) nuk gjetën asnjë artikull që e mbështeste këtë pretendim. (këtu)

Disa llogari në Facebook kanë publikuar një imazh nga seanca gjyqësore në Hagë, ku shihet avokati Lluka Mishetiq, me një mbishkrim që pretendon se Hashim Thaçi “nuk ishte në UÇK dhe se punonte për Shërbimin Sekret francez”, duke lënë të nënkuptohet se ky pretendim është deklaruar në gjykatë. Pas verifikimit në burime zyrtare dhe në raportime mediatike kredibile, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë dëshmi që një deklaratë e tillë të jetë bërë nga mbrojtja, prokuroria apo palët e tjera në proces. Gjithashtu, kërkimet online nuk rezultojnë me asnjë burim të besueshëm që ta ketë raportuar këtë pretendim. (këtu)

Dezinformatë

Është pretenduar nëpërmjet publikimeve në portale e media sociale, se ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, është liruar nga akuza për keqpërdorim të dyshuar të rezervave shtetërore. Pretendimi se ish-ministrja Rozeta Hajdari është liruar nga akuza për rastin e “rezervave shtetërore” është i pavërtetë. Procesi gjyqësor është ende në zhvillim në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe nuk ka vendim të formës së prerë. Vendimi i mëhershëm i Gjykatës Supreme lidhej vetëm me masën e paraburgimit për tre të dyshuar, jo me fajësinë apo pafajësinë e Hajdarit. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere