Portali informativ “Kosova-sot.info” dje (28 gusht) ka publikuar një artikull me titull “Edhe më terr, KEDS njofton për ashpërsim të reduktimeve: Ra Blloku A1”.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është i shkruar gabimisht, pasi që në përmbajtje gjendet njoftimi i KEDS-it, përmes së cilit është bërë i ditur për rënien e njësisë A3 dhe jo A1, të termocentralit “Kosova A”, siç pretendohet në titullin e artikullit të “Kosova-sot.info”.
Ky gabim në titull krijon mundësi për keqinformim te lexuesit. Nga titulli lë hapësirë të kuptohet se, përveç Bllokut A3, ka rënë edhe ai A1.
Pjesë nga artikulli i publikuar në “Kosova-sot.info”:
KEDS-i ka njoftuar se ka rënë nga sistemi Blloku A1.
Kjo do ta përkeqësojë situatën e futnizimit me energji elektrike dhe KEDS thotë se ka marrë një kërkesë nga KOSTT-i që të bëjë kufizime emergjente të rrymës.
“Përkeqësohet situata e furnizimit me energji elektrike nga rënia e nëjsisë A3. KOSTT-i ka kërkuar sot nga KEDS që si pasojë e rënies nga sistemi të njësisë A3, të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike. Kjo bën që në vend aktualisht të prodhohen më pak se 400 megavatë, që e bën situatën aspak të favorshme”, thuhet në komunikatë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur komunikatën e lëshuar nga KEDS në faqen e tyre zyrtare në Facebook. Në këtë njoftim bëhet e ditur për përkeqësim të situatës me furnizim me energji elektrike nga rënia e njësisë A3. (shih njoftimin këtu)
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar njoftimin e KEDS-it për rënien e njësisë A3, ndërsa në titull duket se autori ka gabuar.
Titulli duket se nuk ka për qëllim dezinformimin e lexuesit, megjithatë ky gabim mund të lë vend për keqinformim. Rrjedhimisht, nga titulli lexuesit mund të kuptojnë se, përveç Bllokut A3, ka rënë edhe ai A1.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Gabim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin raportet në media në të cilat redaksia e mediave bënë një gabim duke publikuar informacion të pasaktë ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara nga një burim tjetër, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.