[email protected]
A kishte plan për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti?
shape
shape
shape

Më 9 dhe 10 shkurt të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, qëndroi në Shkup, Maqedoni e Veriut, për të marrë pjesë në takimin rajonal me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian (PES), që u mbajt në Selinë e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM).

Nga atje, përpos njoftimeve zyrtare për media nga LVV-ja për takimin me partitë simotra dhe një njoftimi nga Qeveria për vizitën që shefi i saj ia bëri Ambasadës së Kosovës në vendin fqinj, nuk pati ndonjë informacion shtesë.

Megjithatë, mediat në vend publikuan një lajm që shqetësoi shumëkënd.

Transmetuesi publik i Kosovës, RTK, në versionin e saj online, raportoi për një plan për atentat ndaj kryeministrit Kurti në Shkup. Ky plan, sipas RTK-së, është bërë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, që u zhvillua më 8 shkurt.

“Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë”, raportoi RTK-ja.

Screenshot nga ueb-faqja e RTK-së

Më pas, RTK doli me një raportim më të gjerë, ku publikoi disa fotografi të nxjerra nga rrjete sociale, kryesisht nga aplikacioni Telegram, e që thoshte se të njëjtat ishin marrë për bazë nga institucionet e sigurisë të Kosovës për të nisur hetimet për plan për atentat ndaj kryeministrit.

Pamje e publikuar nga RTK në artikullin për planin e atentatit ndaj Kurtit

RTK, duke u thirrur në vetëm një burim, tha se “planit terrorist serb i ka paraprirë një shkrim në mediat serbe, ku akuzohet lideri opozitar serb, Dragan Gjilas se do të takohet me Kurtin”.

Screenshot nga ueb-faqja e RTK-së

Kryeministri Kurti ndërkaq, po më 10 shkurt u kthye në Kosovë, ku gjatë një paraqitjeje publike u pyet në lidhje me planin për tentim atentati ndaj tij.

Duke mos u përgjigjur në mënyrë specifike, ai tha: “Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët kanë rrënjët në Beograd, por unë sapo erdha nga Shkupi këtu. Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë se kishte shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup”, tha Kurti.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë iu përgjigj interesimit të mediave në lidhje me këtë raportim.

Ndonëse lajmi i dhënë nga RTK-ja fliste për një plan për atentat, MPB-ja maqedonase tha se nuk ka pasur tentim-atentat ndaj Kurtit.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, tha Zëdhënësi i MPB-së maqedonase, Toni Angellovski.

Marrë për bazë këtë deklaratë të MPB-së maqedonase, shumë aktorë në vend e komentuan si demantim të raportimit të RTK-së.

Juristja e mediave në Kosovë, Flutura Kusari, raportimin e RTK-së e cilësoi si “tekst”, pasi tha se i njëjti “nuk mund të quhet lajm” pasi, sipas saj, nuk i plotëson standardet për të qenë i tillë.

Kusari, duke iu referuar përgjigjes së MPB-së maqedonase, tha se “për më tepër, teksti është demantu nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë”.

Madje ajo tha se lajmi “duket si tekst i shkruar nga partia”, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Analisti Dardan Gashi tha se lajmi për planin e atentatit ndaj kryeministrit Kurti “ishte film”.

“Na shqetësoi krejt Kosovën që ka plan për atentat ndaj kryeministrit. Çka ishte kjo maskaradë e RTK-së? A ka send më të keq që Qeveria e një shteti mik, me të thanë nuk ka një plan të tillë? Albin Kurti po bën filma, Maqedonia e Veriut e demantoi. Një teatër i panevojshëm i kryeministrit”, ka thënë Gashi.

Kreu i qeverisë maqedonase, Talat Xhaferi, ndërkaq, ka thënë se lajmi i planit për tentim-vrasjen e Kurtit “nuk ka të bëjë me realitetin”.

“Çështja e informacionit është kompetencë e institucioneve përkatëse shtetërore që kanë të bëjnë me përcjelljen e situatës dhe sigurisë shtetërore, përfshirë edhe sigurisë së bartësve të institucioneve më të larta në shtete përkatëse. Çështja ishte për të ardhë keq sepse përmes mediumit publik shtetëror jepet një informacion për gjoja përgatitje, inskenim, skenim të një atentati të mundshëm, gjë që sipas të dhënave që kam, e që janë të verifikuara, pra nuk janë të dhëna vetëm pse si kryeministër që e them, nuk ka të bëjë me realitetin”, ka thënë Xhaferi.

Për pretendimin për plan për atentat ndaj Kurtit, u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, thanë se nuk kanë informacion.

“Për momentin në Zyrën tonë nuk ka ndonjë veprim në lidhje me këtë lajm”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë kryeprokurori Kelmendi.

“Jo, nuk kam ndonjë informatë”, ka thënë në anën tjetër kryeprokurori Isufaj.

RTK, ndërkaq tha se planin për atentat ndaj Kurtit e konfirmoi Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, gjatë një raportimi të kreut të këtij institucioni të sigurisë, Petrit Ajeti, më 21 shkurt.

Salih Zyba nga Vetëvendosje, i cili është nënkryetar i këtij komisioni, sipas RTK-së, “konfirmoi se drejtori i AKI-së foli në mënyrë specifike për këtë plan dhe thirrjet kërcënuese”, për të cilat u shpreh se autoritetet e Kosovës kanë njoftuar edhe ato relevante të Maqedonisë së Veriut.

Si u komentua nga njohësit e sigurisë ky lajm?

Eksperti i Sigurisë, Agim Musliu tha se Serbia është e njohur për këto gjëra, duke përmendur vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiqit, por edhe planin e raportuar për vrasjen e senatorit zviceran, tashmë të ndjerë, Dick Marty.

“Shkolla e shërbimeve sekrete serbe bazohet në brutalitet dhe jo në inteligjencë. Ata e kanë pasur gjithmonë në kuadër të shërbimeve seksionin e vrasjeve/atentateve. Kanë kontraktuar kriminelë për ta bërë këtë. E fundit që dihet është plani i tyre për vrasjen e Dick Martyt. Kështu që Serbia është e njohur për këto gjëra. Ata i kanë vrarë kryeministrat e vet e lëre më kryeministrat e armiqve të tyre. Kryeministri Kurti ka qenë i siguruar nga forcat e sigurisë të MV por edhe nga forcat e sigurisë së RKS si policore, perimetrin në vëzhgim, mbledhje informacioni, së bashku me shërbimin e brendshëm të inteligjencës së Maqedonisë, AKI, sigurimin fizik të afërt, policia e RKS”, ka deklaruar Musliu.

Njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do t’i konvenonte vetëm Serbisë.

“Lajmi është bombastik dhe koha është e shkurtër dhe unë, nga prizmi im, mund të them se kjo do t’i konvenonte vetëm armikut tonë Serbisë, jo sepse dua t’ia atribuoj atë sepse mund të mos jetë kështu, por politikës shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë nuk do t’i konvenonte vrasja e tillë sepse do të bëhej një destabilizim i vendit dhe qëllimi është ky, që të bëhet një hakmarrje në mes shqiptarëve të Kosovës”, është shprehur Islami.

Konfirmim zyrtar për planifikim të tentim-vrasjes, apo tentim-vrasjes së kryeministrit Albin Kurti në Shkup nuk pati nga asnjë institucion i sigurisë në vend, por as nga ato të vendit fqinj ku u tha se ishte bërë plani për vrasjen e tij.

Një lëmsh ndodhi mes raportimit të RTK-së dhe përgjigjes së MPB-së maqedonase, ku shumë aktorë përgjigjen e këtij institucioni e morën si demantim ndaj raportimit të RTK-së, ndonëse përgjigja e MPB-së së Shkupit fliste për tentim-vrasje, kurse RTK-ja raportoi për plan për tentim-vrasje. Megjithatë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se sipas të dhënave që kishte, nuk pati ndonjë plan për atentat.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Share With Others