Shkroi: Festim Rizanaj
Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Bocan-Kharchenko, ka deklaruar se situata në Kosovë para zgjedhjeve është një “zonë me rrezik të lartë” për përshkallëzimin e krizës.
Në një intervistë për RIA Novosti, ai theksoi se zgjedhjet janë shoqëruar me manipulime ndaj partisë Lista Serbe dhe se situata është kaq e tensionuar, sa që çdo moment mund të çojë në përkeqësim dhe krizë.
Megjithatë, Bocan-Kharchenko nuk ka ofruar fakte konkrete për t’i mbështetur këto deklarata, por i ka ngritur ato mbi spekulime konspirative, duke e përshkruar situatën si një periudhë të mbushur me rreziqe që mund të destabilizojnë më tej rajonin.
Çka pretendoi ambasadori rus në Beograd?
Ambasadori rus në Serbi, Alexander Bocan-Kharchenko, tha për RIA Novosti se situata në Kosovë para zgjedhjeve është një “zonë me rrezik të lartë” për përshkallëzimin e krizës.
“Sa i përket shpërthimit të krizës – sigurisht që zgjedhjet u shoqëruan me makinacione ndaj partisë Listë Serbe dhe në përgjithësi situata atje është e tillë që në çdo moment mund të ndodhë përkeqësim dhe krizë. Dhe situata parazgjedhore, vetë zgjedhjet dhe koha pas zgjedhjeve – domethënë, siç thonë ata, një zonë me rrezik të lartë”.
Ky pretendim është publikuar në mediat ruse dhe serbe, përfshirë shërbimet në gjuhën serbe të Sputnik dhe Russia Today Balkan, si dhe disa media të tjera serbe. (këtu, këtu)
Ndryshe, Policia e Kosovës ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor dhe ka planifikuar masat për sigurinë publike gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke u bazuar në ligjet dhe autorizimet e saj. Për të siguruar një proces zgjedhor të sigurt, është paraparë angazhimi i një numri të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht të rendit publik, dhe, sipas nevojës, mund të angazhohen edhe zyrtarë të profileve të tjera. Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, mbeten prioritet kryesor për Policinë e Kosovës, sipas planit operativ. (këtu)
Narrativat e mediave ruso-serbe dhe zyrtarëve serbë në lidhje me fushatën zgjedhore në Kosovë
Pretendimi i ambasadorit rus, Alexander Bocan-Kharchenko, se situata në Kosovë, para zgjedhjeve, është një “zonë me rrezik të lartë” për përshkallëzimin e krizës, është ndërthurur me narrativat e mediave ruso-serbe dhe zyrtarëve serbë, të cilët shpesh kanë paraqitur zgjedhjet në Kosovë si mundësi për përshkallëzimin e tensioneve dhe krizave.
Ky pretendim, i mbështetur në spekulime dhe mungesë të fakteve konkrete, përputhet me një diskurs të vazhdueshëm në media si Sputnik dhe Russia Today Balkan, si dhe në deklaratat e politikanëve serbë që tentojnë të paraqesin situatën në Kosovë si të rrezikshme dhe të destabilizuar, duke kontribuuar në intensifikimin e perceptimeve të mundshme të krizës.
Artikujt që lidhen me këtë temë shpesh tentojnë të krijojnë një imazh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si lider që luan me ndjenjat kombëtare të serbëve, duke shfrytëzuar narrativën e “Shqipërisë së madhe” si mënyrë për të rritur tensionet. Nga ana tjetër, zyrtarët dhe mediat serbe kanë përmendur pengesat që i janë krijuar Listës Serbe gjatë procesit parazgjedhor, duke u drejtuar thirrje serbëve për mbështetje të këtij subjekti politik, ndërkohë që Kurti është akuzuar se po manipulon me populizmin dhe po e rrit histerinë antiserbe. (këtu)
Analiza:
Ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Alexander Bocan-Kharchenko, ka deklaruar se situata në Kosovë para zgjedhjeve është një “zonë me rrezik të lartë” për përshkallëzimin e krizës, duke i lidhur këto deklarata me manipulime ndaj partisë Lista Serbe.
Ai ka ngritur këto pretendime mbi spekulime konspirative, pa ofruar fakte konkrete, dhe ka përforcuar narrativat e mediave ruso-serbe dhe zyrtarëve serbë në lidhje me fushatën zgjedhore në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.





