[email protected]
Narrativat e mediave ruso-serbe dhe zyrtarëve serbë në lidhje me fushatën zgjedhore në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, fushata parazgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuar nga Albin Kurti, ka intensifikuar narrativën e zyrtarëve dhe mediave serbe për kërcënime ndaj popullit serb. Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka ngritur akuza se Kurti ka përdorur retorikë kërcënuese ndaj serbëve, një element që, sipas mediave ruso-serbe, është interpretuar si thirrje për luftë dhe urrejtje.

Artikujt që lidhen me këtë temë shpesh tentojnë të krijojnë një imazh të Kurtit si lider që luan me ndjenjat kombëtare të serbëve, duke shfrytëzuar narrativën e “Shqipërisë së madhe” si mënyrë për të rritur tensionet. Nga ana tjetër, zyrtarët dhe mediat serbe kanë përmendur pengesat që i janë krijuar Listës Serbe gjatë procesit parazgjedhor, duke u drejtuar thirrje serbëve për mbështetje të këtij subjekti politik, ndërkohë që Kurti është akuzuar se po manipulon me populizmin dhe po e rrit histerinë antiserbe.

Një artikull i publikuar nga RT (Russia Today) në shërbimin e tij në gjuhën serbe pretendon se gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), po ndërton një narrativ zgjedhor të bazuar në retorikë të ashpër, të cilën RT e përshkruan si “thirrje për luftë dhe urrejtje ndaj serbëve”. Titulli i artikullit thotë se Kurti po përdor këtë retorikë për përfitime zgjedhore. Megjithatë, faktet tregojnë se Kurti nuk ka bërë thirrje për luftë, por ka përmendur armatimin dhe ka folur për bandat kriminale dhe infiltrimin e Serbisë në Kosovë, pa shprehur urrejtje ndaj serbëve të Kosovës.

Faktet tregojnë se Albin Kurti nuk ka bërë thirrje për luftë, por ka përmendur armatimin si një masë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke theksuar nevojën për përballje me bandat kriminale dhe infiltrimin e Serbisë. Ai nuk ka shprehur urrejtje ndaj serbëve të Kosovës, por është fokusuar në sigurinë e qytetarëve dhe në përpjekjet për të garantuar rendin dhe stabilitetin në vend, ndërsa ka mbështetur integrimin e vërtetë të serbëve.

Shërbimi në gjuhën serbe i medias ruse “Sputnik” ka publikuar një artikull që pretendon se fushata parazgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e drejtuar nga Albin Kurti, është e lidhur me idenë e “Shqipërisë së madhe”. Artikulli e interpreton shfaqjen e simboleve kombëtare shqiptare gjatë aktiviteteve të fushatës si “përqafim” të kësaj ideje nga Kurti. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që tregon se fushata e Kurtit është lidhur me këtë ide, pasi ai nuk ka përmendur asnjëherë bashkimin kombëtar gjatë fushatës, së paku jo në deklarimet publike të deritashme.

Narrativa lidhur me “Shqipërinë e madhe” u përforcua nga disa media serbe pas një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë (jug), ku u pa flamuri me hartë që përfaqëson shtrirjen etnike të shqiptarëve dhe me imazhet e Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit, i cili është bërë i njohur pas ndeshjes futbollistike Serbi-Shqipëri në vitin 2014. Gjatë tubimit elektoral të 12 janarit në Mitrovicë, flamuri u shfaq dhe mediat serbe e lidhën atë me këtë narrativë, megjithatë, gjatë fjalimit të Kurtit nuk u përmend “Shqipëria e madhe” ose bashkimi kombëtar. Kurti fokusohet në kritikat ndaj partive të tjera dhe theksoi veprimet e qeverisjes së tij në Mitrovicën e Veriut, duke përmendur rritjen e vendeve të punës dhe forcimin e sigurisë në këtë rajon.

Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se e ka kërcënuar popullin serb dhe Serbinë në fillim të fushatës zgjedhore për 9 shkurtin. Në një deklaratë të publikuar më 11 janar, Petkoviq theksoi se Kurti nisi fushatën me kërcënime ndaj serbëve dhe Serbisë. Megjithatë, gjatë tubimit të parë të Lëvizjes Vetëvendosje, që Hibrid.info e ka raportuar, Kurti nuk i përmendi serbët e Kosovës në këtë kontekst dhe u përqendrua në premtimet për ndjekjen e atyre që kishin qenë pjesë e aparatit shtetëror të Millosheviqit.

Sipas mediave dhe zyrtarëve serbë, fushata parazgjedhore e Albin Kurtit është e ngarkuar me narrativa të forta, duke përfshirë ato të “dëbimit të serbëve nga Kosova” dhe eliminimin e Listës Serbe. Në këtë kontekst, sipas tyre, kryeministri Kurti ka theksuar qëllimin për të penguar aktivitetet e Listës Serbe, duke përfshirë ndërhyrjen në këshillat e votimit dhe përpjekjet për të parandaluar angazhimin e saj në zgjedhjet e 9 shkurtit. Këto veprime janë interpretuar nga disa analistë dhe politikanë serbë si kërcënime për serbët e Kosovës, duke përfshirë edhe akuzat për populizëm dhe histeri antiserbe, siç ka thënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili e ka quajtur këtë një problem politik të madh për Kurtin. Pra, këto pretendime janë parë nga zyrtarët dhe mediat serbe si kërcënime të drejtpërdrejta ndaj serbëve të Kosovës, duke ushqyer narrativën e “kërcënimit të serbëve”.

Narrativa e “dëbimit të Serbisë nga Kosova” është përdorur nga Kurti si element kyç i fushatës, ku ai ka pretenduar për një trajtim më të fortë ndaj strukturave që lidhen me Serbinë, duke i paraqitur ato si mbetje të regjimit të Millosheviqit.

Share With Others

Translate »