Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”… Të fundit | Kujtesa që chatbot-i ruan për ty mund të formësojë realitetin informativ që… Të fundit | Kur fotografia nuk identifikohet me ngjarjen
[ ARTIKULLI ]

Analizë e deklaratave të paqëndrueshme të Arnaud Gouillon për Kosovën

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 8 prill, u publikua në median franceze Frontlieneres një intervistë, e Arnaud Gouillon, Drejtor i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore në Serbi. Gjatë bisedës, ai paraqiti një sërë pretendimesh rreth situatës së komunitetit serb në Kosovë, përfshirë ndryshimet demografike në periudha të ndryshme kohore, statusin dhe gjendjen e manastireve serbe, si dhe zhvillimet politike të fundit që lidhen me pozitën e serbëve në Kosovë.

Platforma hibrid.info ka identifikuar disa pretendime të pasakta dhe të paqëndrueshme, të cilat janë demantuar me fakte konkrete dhe burime të besueshme ndërkombëtare.

Pretendimi 1: “Trazirat e marsit 2004 çuan në dëbimin e 10,000 personave dhe shkatërrimin e 150 kishave ortodokse”.

Një nga pretendimet kryesore të Arnaud Gouillon në intervistën për median franceze Frontlieneres është se, sipas tij, “trazirat e 17 dhe 18 marsit 2004 shkaktuan largimin e 10 mijë personave  dhe shkatërrimin e 150 kishave dhe manastireve”. Kjo deklaratë lidhet me ngjarjet e njohura si trazirat e marsit 2004 në Kosovë, të cilat kanë qenë objekt i debatit ndërkombëtar për shkak të pasojave të tyre dhe narrativave të ndryshme që janë ndërtuar rreth tyre.

Sipas raportimeve nga organizata ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, përfshirë International Council on Monuments and Sites (ICOMOS), gjatë trazirave të 17 dhe 18 marsit 2004, janë dëmtuar apo shkatërruar rreth 35 objekte fetare ortodokse serbe në shtatëmbëdhjetë komuna të Kosovës. (këtu)

Megjithatë, të dhënat zyrtare të publikuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë tregojnë një panoramë më të qartë dhe të matshme të dëmeve gjatë trazirave të 17 dhe 18 marsit 2004. Sipas këtij raporti, janë djegur gjithsej 27 kisha dhe manastire ortodokse serbe, ndërsa 182 shtëpi dhe dy objekte të tjera fetare janë dëmtuar. (këtu) Sipas Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Misionin e Përkohshëm në Kosovë (UNMIK), 36 kisha, manastire dhe objekte të tjera fetare e kulturore ortodokse serbe u dëmtuan apo u shkatërruan. (këtu)

Këto të dhëna bien ndesh me pretendimin e Arnaud Gouillon se janë shkatërruar 150 kisha dhe manastire gjatë trazirave të marsit 2004.

Kosova ka alokuar miliona euro për restaurimin e kishave serbe të dëmtuara gjatë trazirave të marsit 2004. Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë pohuan se autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për restaurimin e faltoreve ortodokse serbe që u shkatërruan apo u dëmtuan pas luftës. Megjithatë, ata theksojnë se situata ende nuk është plotësisht e kënaqshme. (këtu)

Sipas të dhënave të dokumentuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, trazirat e 17 dhe 18 marsit 2004 ishin pjesë e një fushate dhune etnike që zgjati tre ditë. Kjo valë dhune la pas vetes 19 të vdekur, 954 të plagosur, si dhe 4100 persona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Gjithashtu, 550 shtëpi dhe 27 kisha e manastire ortodokse serbe u dogjën, ndërkohë që 182 shtëpi dhe dy objekte të tjera fetare u dëmtuan.

Sipas Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Misionin e Përkohshëm në Kosovë (UNMIK), gjatë trazirave të marsit 2004, 19 persona humbën jetën, prej të cilëve 11 ishin shqiptarë të Kosovës dhe 8 serbë të Kosovës. Gjithsej 954 persona u plagosën, përfshirë 65 policë ndërkombëtarë, 58 pjesëtarë të Policisë së Kosovësdhe 61 ushtarë të KFOR-it. Dhuna shkaktoi dëme të mëdha materiale: rreth 730 shtëpi të komuniteteve pakicë, kryesisht të serbëve të Kosovës, u dëmtuan ose u shkatërruan. Po ashtu, 36 kisha, manastire dhe objekte të tjera fetare e kulturore ortodokse serbe u dëmtuan apo u shkatërruan në sulmet ndaj trashëgimisë kulturore të komunitetit serb. (këtu)

Sa i përket pretendimit për dëmtimin e 150 kishave, sipas të dhënave të Dioqezës Rashkë-Prizren, dhe duke iu referuar raportit të Raportueses së Posaçme për të Drejtat Kulturore, që nga viti 1999, rreth 150 kisha, manastire dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë janë shkatërruar, dëmtuar ose shenjuar. Nga këto, 61 objekte gëzojnë statusin e monumenteve kulturore, ndërsa 18 prej tyre janë të një rëndësie të veçantë për shtetin serb. Këto të dhëna përdoren shpesh nga autoritetet serbe dhe klerikë ortodoksë për të ilustruar rrezikun që, sipas tyre, i kanoset trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.(këtu)

Pretendimi 2: “Që nga viti 1999, mbi 250,000 serbë janë detyruar të largohen nën presionin e shqiptarëve myslimanë”.

Është e vërtetë që një numër i madh i serbëve (dhe minoriteteve të tjera) janë zhvendosur nga Kosova pas luftës. UNHCR dhe OSBE e vendosin këtë shifër ndërmjet 200,000 dhe 250,000 personash, shumica në vitet 1999–2000, për shkak të situatës së pasluftës dhe mungesës së sigurisë. Në këtë numër përfshihen jo vetëm serbë, por edhe anëtarë të komuniteteve të tjera jo-shqiptare, si Goranët, Romët, Turqit, Ashkalitë dhe Egjiptianët.

Edward Tawil, në studimin e tij “Property Rights in Kosovo: A Haunting Legacy of a Society in Transition” (2009), thekson se, vetëm në pak më shumë se një vit pas mbërritjes së forcave ndërkombëtare dhe themelimit të Misionit të Përkohshëm të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), rreth 230,000 serbë, romë, gorani dhe grupe të tjera ishin larguar drejt Serbisë dhe Malit të Zi. (këtu)

Sipas statistikave të gushtit 2006 nga UNHCR, 207,069 persona të zhvendosur nga Kosova ndodheshin në Serbi, ndërsa 16,284 në Malin e Zi dhe 22,000 brenda Kosovës. Edhe pse shumica e të zhvendosurve janë serbë, këto shifra përfshijnë gjithashtu romë, egjiptianë, ashkali, gorani, boshnjakë, turq, dhe grupe të tjera më të vogla. (këtu)

Por kjo nuk ka ndodhur përmes një fushate të organizuar të “shqiptarëve myslimanë”, siç pretendon Gouillon.

Pretendimi 3: “Para një shekullit serbët përbënin 60% të popullsisë së Kosovës”

Gouillon pretendon se sot, serbët ortodoksë përfaqësojnë rreth 100,000 njerëz, ose 5% të popullsisë, ndërsa ata ishin shumicë një shekull më parë (rreth 60%).

Sipas historianit Noel Malcolm, kolonizimi i Kosovës nga serbët dhe malazezët nisi një shekull më parë dhe pati ndikim të madh në strukturën demografike të territorit. Ai shkruan se numri i përgjithshëm i kolonëve që erdhën në Kosovë përbëhej nga rreth 13,000 familje, apo afërsisht 70,000 persona në total, çka përbënte më shumë se 10 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës në atë kohë. (këtu)

Duke shkruar në vitin 1928, zyrtari serb Gjorgje Kërstiq e përshkruante programin e kolonizimit si një “sukses të madh” demografik, duke theksuar se, ndërsa në vitin 1919 serbët përbënin vetëm 24 për qind të popullsisë së Kosovës, ky numër ishte rritur në 38 për qind disa vite më vonë. Kjo rritje u konsiderua si rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të kolonizimit të ndërmarra nga autoritetet e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. (këtu)

Sipas Millovan Obradoviq (libri: Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu 1918-1941), pas vitit 1920 filloi kolonizimi i Kosovës nga serbë, malazezë e të tjerë nga viset e Jugosllavisë së parë. Deri në vitin 1939 u vendosën 11.383 familje kolonistësh me rreth 54.000 anëtarë, shumica serbë dhe malazezë. Kjo valë kolonizimi synonte jo vetëm reformën agrare, por edhe zhvendosjen e shqiptarëve dhe serbizimin e Kosovës. (këtu)

Pra, sipas të dhënave në fillim të shekullit XX, rreth 82% e popullsisë së Kosovës ishte me përkatësi kombëtare shqiptare. Mirëpo, si pasojë e kolonizimit serb dhe malazez si dhe emigrimit të shqiptarëve, përqindja e shqiptarëve në popullsi ra ndjeshëm, duke zbritur në rreth 65% sipas regjistrimeve të viteve 1921 dhe 1931.

Që nga viti 1933, kanë ekzistuar diskutime serioze mes qeverive të Jugosllavisë dhe Turqisë lidhur me deportimin në Turqi të një numri të madh të shqiptarëve myslimanë. Këto plane ishin pjesë e politikave shtetërore për ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës dhe viseve të tjera me popullsi shqiptare.

Gjatë gjithë periudhës 1918–1941, sipas burimeve historike, numri i shqiptarëve dhe myslimanëve të tjerë që emigruan nga Kosova llogaritet të ketë qenë nga 90,000 deri në 150,000 persona. Kjo formë emigrimi nuk ishte gjithmonë vullnetare, pasi shpesh shoqërohej me presione politike, ekonomike dhe ndonjëherë edhe me dhunë të drejtpërdrejtë, që synonin zvogëlimin e popullsisë shqiptare në territorin e Kosovës. (këtu)

Pretendimi 4: “Serbët jetojnë në enklava të izoluara dhe përballen me kontroll të rreptë policor, arrestime dhe ndalim arbitrar.”


Serbët në Kosovë jetojnë në disa rajone me shumicë serbe (si në veri të Mitrovicës, Zveçan, Leposaviq, Shtërpcë, Graçanicë etj.), me akses të garantuar në sistemin e tyre arsimor, shëndetësor dhe në përfaqësim politik përmes subjektit politik “Lista Serbe”. Po, në kuadër të sistemit të përfaqësimit politik në Kosovë, serbët kanë të garantuara 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ky sistem i garantuar përfaqësimi është pjesë e marrëveshjeve të Planit të Ahtisaarit dhe ka për qëllim të sigurojë pjesëmarrjen e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, duke u mundësuar atyre një rol të rëndësishëm në proceset legjislative dhe vendimmarrëse të vendit.

Kontrollet policore dhe arrestimet ndodhin në kontekste të hetimeve penale – përfshirë për kontrabandë, pastrim parash apo sulme ndaj policisë, jo për përkatësi etnike.

Raporti i Komisionit Evropian thekson se tensionet në veri të Kosovës kanë vazhduar si pasojë e sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës nga sulmues të armatosur serbë më 24 shtator 2023. Sulmi në Banjskë është cilësuar në Raportin e Progresit si “përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”. (këtu)

Pretendimi 5: “Serbët ndalohen të marrin ndihmë nga Serbia dhe përballen me ndërprerje të institucioneve”.

Kosova ka nisur një proces të integrimit të institucioneve ilegale serbe në sistemin e vet kushtetues, përfshirë në shëndetësi dhe arsim – si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit (2013, 2015).

Serbia ka financuar institucione paralele që nuk i raportojnë autoriteteve të Kosovës, gjë që është në kundërshtim me rendin kushtetues.

Ky proces nuk është “reprimim”, por integrim institucional sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. (këtu)

Pretendimi 6: “Kosova po humb trashëgiminë e saj të krishterë. Kishat po shkatërrohen”.

Ka pasur dëme në objektet fetare ortodokse, veçanërisht në vitet 1999 dhe 2004. Por, që nga viti 2008, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe.
Manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës dhe Manastiri i Graçanicës janë në mbrojtje me ligj të veçantë me mbështetje të UNESCO-s dhe KFOR-it. (këtu)

Kushtetuta përcakton se institucionet e Kosovës “sigurojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare”. Për më tepër, Programi i Qeverisë 2015-2018 ka paraparë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes disa planeve dhe koncepteve. Me miratimin e Strategjisë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore 2017 -2027 në dhjetor të vitit 2016, Qeveria ka ofruar një dokument strategjik të politikave për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. (këtu)

Pretendimi 7: “Po ndodh një spastrim etnik i serbëve në Kosovë”.

Termi “spastrim etnik” është i papërshtatshëm dhe i pasaktë për të përshkruar realitetin e sotëm në Kosovë. Ky term ka një kuptim specifik në të drejtën ndërkombëtare, i lidhur me zhvendosje të detyruar masive dhe sistematike me qëllim zhdukjen e një popullsie etnike nga një territor – siç ka ndodhur në Bosnje gjatë viteve ’90 apo gjatë fushatës së Millosheviqit në Kosovë më 1998–1999.

Sot në Kosovë, serbët jetojnë në komunitete të mbrojtura, me autonomi lokale në disa zona, me përfaqësim të garantuar në qeveri, parlament, polici dhe drejtësi.

Marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (Brukseli 2013, Ohri 2023) parashikojnë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që do të rrisë më tej vetëmenaxhimin.(këtu)

Pretendimi 8: “Qëllimi i liderëve politikë shqiptarë dhe kosovarë është një Kosovë pa serbë”.

Ky pretendim është i rrezikshëm dhe i pavërtetuar me asnjë dokument apo deklaratë politike nga institucionet e Kosovës. Përkundrazi:

Kushtetuta e Kosovës e përcakton vendin si shoqëri multietnike me të drejta të garantuara për minoritetet. (këtu)

Lista Serbe, si subjekti më i madh serb, ka qenë vazhdimisht pjesë e qeverive të mëparshme, dhe serbët kanë 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Marrëveshjet ndërkombëtare synojnë garantimin e të drejtave të komunitetit serb, jo zhdukjen e tyre.

Nuk ka asnjë provë se lidershipi i Kosovës po ndjek ndonjë plan për të larguar serbët. Këto deklarata janë retorikë propagandistike pro-ruse e pro-serbe, që synojnë të njollosë shtetësinë e Kosovës.

Pretendimi 9: “Për herë të parë në 1500 vjet, një territor i krishterë rrezikon të zhduket nga Evropa”.

“Për herë të parë në 1500 vjet, një territor i krishterë rrezikon të zhduket nga Evropa” – sipas Gouillon, kjo ndodh për shkak të shqiptarëve myslimanë që përndjekin të krishterët serbë, duke e paraqitur situatën si një përballje civilizuese mes myslimanëve dhe të krishterëve.

Ky pretendim është manipulues, ideologjik dhe i rrezikshëm, pasi ndërton një narrativë përçarëse mes fesë islame dhe asaj të krishterë, duke e paraqitur Kosovën si një front të “zhdukjes së krishterimit nga myslimanët shqiptarë”. Kjo nuk është një përballje fetare, por një shtrembërim propagandistik i realitetit të një shoqërie sekulare dhe multietnike.

Kosova është shtet sekular dhe multietnik sipas Kushtetutës, e cila garanton lirinë e fesë dhe barazinë e qytetarëve, pa dallim feje apo etnie.

Neni 8, Kushtetuta e Kosovës: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimit fetar”.

Ndërsa neni 9, thotë: “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”.

Objektet fetare ortodokse janë të mbrojtura me ligj të veçantë dhe nën mbikëqyrjen e KFOR-it, përfshirë monumentet e trashëgimisë botërore si Manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës dhe Graçanica.

Komuniteti serb ka liri të besimit dhe përfaqësim politik të garantuar, përfshirë 10 vende në Kuvend, përfaqësues në qeveri dhe të drejtë për të përdorur gjuhën dhe simbolet e veta në komunat ku përbëjnë shumicë.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere