Manipulimi i shifrave mund të duket si ide joshëse. Vetëm se, po t’i hysh asaj rruge, pa e kuptuar fare, mund të kapesh duke cituar shifra nga faqe satirike në internet.
Nga Vanja Stokiç (Bosnjë Hercegovinë), Zoran Strika (Serbi), Teodora Gjurniç (Mali i Zi), Gentiana Paçarizi (Kosovë) dhe Jona Plumbi (Shqipëri)
Siç e kemi vënë re shpesh, politikanët në Ballkanin Perëndimor i manipulojnë shifrat për të forcuar pozitat dhe reputacionin e tyre, ose për të goditur kundërshtarët. Kjo lloj teknike dominon komunikimin politik gjatë fushatave elektorale, pasi politikanët kërkojnë të ndikojnë sa më shumë tek votuesit, por kjo është bërë metodë pune e zakonshme edhe përgjatë gjithë aktivitetit të tyre politik. Shifrat shërbejnë jo vetëm për të mashtruar votuesit, por përdoren edhe si mjet për t’u paraqitur në publik si persona të ditur dhe kompetentë – një taktikë e përshkruar në librin e Sergei Guriev dhe Daniel Treisman Spin Dictators (Diktatorë hileqarë).
Një taktikë e përsosur nëpër vite, edhe pse nuk është diçka unike për rajonin tonë, është ekzagjerimi i numrit të pjesëmarrësve në tubime publike, dhe minimizimi i mitingjeve të kundërshtarit. Po kështu, edhe sondazhe e anketa të fabrikuara të opinionit publik shpesh paraqiten si të dhëna faktike e të besueshme. Hiperbolizimi si pa të keq i çdo aspekti të jetës politike duket se ka fituar legjitimitet sa herë që kemi të bëjmë me shifra dhe numra. Në këtë aspekt, një shembull veçanërisht absurd është ai politikani që pretendon pa të drejtë se ka mbjellë një milion pemë.
Në të gjithë rajonin, si partitë në pushtet ashtu edhe ato opozitare duket se mendojnë se fryrja e shifrave dhe numrave ka rëndësi të veçantë për suksesin apo dështimin në zgjedhje. Për shembull, gjatë një tubimi në prag zgjedhjesh gjatë vitit 2024, kryetari bashkisë të Zenicës në Bosnjë, Fuad Kasumoviç, pretendoi se kishte shlyer 40 milionë BAM (20.5 milionë euro) nga borxhet e qytetit që ishin akumuluar nga administrata e mëparshme. Pas shqyrtimit të të dhënave nga ministria e financave dhe thesarit, u konstatua se ishin shlyer vetëm 12 milionë BAM (6 milionë euro) borxhe. Në një tjetër tubim parazgjedhor të po atij viti, në Travnik, një qytet jo shumë larg Zenicës, lideri i partisë opozitare SDA deklaroi se gjatë mandatit të partisë së tyre me Fadil Novaliç si kryeministër i Federatës së Bosnjë Hercegovinës, niveli i rritjes të PBB ishte tre herë më i lartë se sa gjatë qeverisë pasardhëse. Faqja e internetit për verifikimin e fakteve Istinomjer tregoi se kjo nuk ishte e vërtetë.
Edhe në Shqipëri, kohët e fundit lideri i opozitës Sali Berisha pretendoi se paga e kryeministrit ishte e barabartë me 50 pensione. Faktoje e verifikoi këtë deklaratë dhe konstatoi se paga e kryeministrit Edi Rama në fakt ishte e barabartë me 20 pensione urbane ose 37 pensione rurale.
Numrat në kohë krize
Shifrat luajnë një rol të dorës së parë në strategjitë e komunikimit në situata krizash, si pas shembjes së çatisë të stacionit hekurudhor në nëntor të vitit të kaluar në Novi Sad, qyteti i dytë për nga madhësia në Serbi. Në atë aksident humbën jetën 15 veta, ndërsa dy persona ishin akoma në gjendje kritike në momentin e shkrimit të këtij artikulli. Mes zemëratës publike dhe kërkesës për dhënie llogarie, zyrtarët qeveritarë u përpoqën të shmangnin kritikat duke përmendur aksidente dhe tragjedi në vende të tjera – në qytete si Miami, Parisi dhe Xhakarta, ose fatkeqësi natyrore në Spanjë – ku numri i të vdekurve ishte akoma më i lartë.
Mediat pro-qeveritare i bënë jehonë kësaj narrative, madje kryetarja e parlamentit Ana Brnabiç tha me ironi se “problemi i opozitës duket se është fakti se nuk vdiqën aq njerëz sa duhej në Novi Sad.” Pas arrestimeve në lidhje me rindërtimin e stacionit, që zgjati për rreth tre vjet, Brnabiç u mundua sërish të minimizonte problemin duke përmendur ritmin e ngadaltë të hetimeve pas shembjes së një ndërtese në Marsejë në vitin 2018.
Taktika e krahasimit të shifrave për të minimizuar tragjeditë në vend nuk është diçka e re. Në vitin 2018, dy punëtorë vdiqën në një kantier ndërtimi në Beograd, dhe presidenti Aleksandar Vuçiç u mundua të minimizonte incidentin, duke thënë, “Kështu e ka jeta.” Më pas, çuditërisht pretendoi se në Shtetet e Bashkuara vdes nga një larës dritaresh çdo 10 sekonda. Kjo deklaratë jo vetëm që ishte e rreme, por ishte marrë nga The Onion, një faqe satirike në internet. (Pasi u vu në lojë nga media, Vuçiç kërkoi falje për gabimin.)
Numrat në mitingje
Në vitin 2019, protestat “Një në pesë milionë” u zhviluan në të gjithë Serbinë, duke përfshirë edhe Novi Sadin. Një media lokale pro-qeveritare, NS Uživo, pretendoi se vetëm 350 njerëz kishin dalë në protestë. Sidoqoftë, faqja e verifikimit të fakteve FakeNews Tragač e hodhi poshtë këtë pretendim, duke vërtetuar se ajo media kishte manipuluar pamjet për të treguar një turmë më të vogël, ndërsa pjesëmarrja reale ishte rreth 3,000 persona.
Taktika të ngjashme janë përdorur edhe gjatë demonstratave të tjera. Pas dy incidenteve me shumë viktima nga armë zjarri në maj 2023, një valë protestash shpërtheu në të gjithë Serbinë pasi qytetarët fajësuan dështimet e politikave qeveritare për reduktimin e dhunës. Në protestat “Serbia kundër dhunës” morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, por mediat pro-qeveritare përdorën pamje me dron të marra para se të niste marshimi ose në fillim të protestave – kur të pranishmit ishin ende duke u mbledhur së bashku – për të minimizuar pjesëmarrjen.
Nga ana tjetër, mediat pro-qeveritare i frynë shifrat kur ishte në favor të tyre. Për shembull, këto media pretenduan se 200,000 persona morën pjesë në tubimin “Serbia e Shpresës” që u organizua nga presidenti Vuçiç në përgjigje të tragjedive të muajit majit. Sidoqoftë, sipas llogaritjeve të pavarura, numri i të pranishmëve ishte jo më shumë se 50,000.
Të acaruar nga këto mospërputhje, një grup aktivistësh mediatikë krijuan grupin në Facebook “Protest Fan Club”, që më pas u shndërrua në Arkivin e Mitingjeve Publike, që synon të paraqesë një tabllo reale të aktiviteteve publike. Aleksandar Gubash, një nga organizatorët e Arkivit, shpjegon se qeveria shpesh e rrit numrin e pjesëmarrësve në mitingjet e saj, dhe minimizon tubimet e opozitës.
“Kjo prirje e rritjes së numrit të pjesëmarrjes nuk ndodh vetëm me qeverinë,” thekson Gubash. “Kjo është diçka e zakonshme edhe për partitë opozitare, lëvizjet qytetare, organizatat fetare, klubet sportive dhe organizatorë aktivitetesh në mbarë botën. Publikun e tërheq shumë spektakli dhe kënaqemi kur dëgjojmë se janë mbledhur turma të mëdha. Kjo është arsyeja pse shpesh dëgjojmë pretendime se janë mbledhur qindra mijëra njerëz në rrugët e Tel Avivit, Pragës ose qyteteve të tjera. Por në realitet, në protesta politike marrin pjesë vetëm një përqindje shumë e vogël e popullsisë, edhe në qytete si Beogradi.”
Gubash shpjegon se mundohen t’i numërojnë pjesëmarësit në tubime sa herë që të jetë e mundur, duke përdorur të gjitha pamjet në dispozicion dhe duke treguar sa më shumë durim. Kur numërimi i saktë është i pamundur, ata mundohen të arrijnë në një shifër të përafërt.
“Pasi analizimit të qindra protestave, kemi arritur të kuptojmë se dendësia e turmës në tubime në ambiente të hapura nuk e kalon kurrë dy persona për metër katror dhe shpesh kjo shifër është rreth 1.5 për metër. Duke përdorur këto njohuri, paralel me përllogaritjen e zonës së aktivitetit, mund të përcaktojmë me saktësi pjesëmarrjen në tubime të mëdha, të palëvizshme,” shton Gubash.
Edhe në Bosnjë, politikanët ka shumë vite që ekzagjerojnë pjesëmarrjen në tubimet që organizojnë vetë, dhe njëkohësisht minimizojnë aktivitetet e kundërshtarëve të tyre. Për shembull, në prill 2024 në Banja Luka, organizatorët e tubimit “Republika Srpska ju thërret” dhe përfaqësuesit e qeverisë pretenduan se në aktivitet u mblodhën së bashku 50,000 pjesëmarrës. Sidoqoftë, Arkivi i Mitingjeve Publike në Beograd më vonë deklaroi se numri real nuk ishte më shumë se 9,000 persona.
“Numrat manipulohen gjithmonë nga politikanët për të favorizuar narrativën e tyre,” shpjegon analistja politike nga Banja Luka, Tanja Topiç. “Qeveritë shpesh fryjnë shifrat e pjesëmarrjes në aktivitetet e tyre për të demonstruar forcë, ndërsa minimizojnë numrat e opozitës për t’i paraqitur si të dobët dhe pa mbështetje. Për shembull, gjatë protestave të opozitës në Banja Luka në tetor 2021, policia raportoi për 3,500 pjesëmarrës, por burimet e opozitës pretenduan për 10,000 persona.”
E njëjta taktikë përdoret për të diskredituar lëvizjet shoqërore që perceptohen si kërcënime. Në vitin 2018 në Banja Luka, u zhvilluan protestat “Drejtësi për Davidin”, për të kërkuar drejtësi për vrasjen e 21-vjeçarit David Dragiçeviç. Pavarësisht natyrës së saj jopolitike, qeveria e etiketoi këtë lëvizje proteste si kërcënim publik, duke e akuzuar si përpjekje për destabilizimin e Republika Srpska, me mbështetje nga jashtë. Pas mitingut më të madh më 5 tetor 2018 organizatorët deklaruan se në protestë u mblodhën 40,000 persona, ndërsa radio-televizioni publik RTRS që kontrollohet nga qeveria raportoi se kishte vetëm “disa mijëra” pjesëmarrës.
“Mediat e kontrolluara nga shteti shërbejnë si elementë shtesë të autoritetit politik,” thotë Topiç. “Këto media fryjnë shifrat e aktiviteteve pro-qeveritare dhe minimizojnë tubimet e opozitës për të përforcuar iluzionin e unitetit shoqëror nën elitën në pushtet. Ky manipulim krijon një cikël propagande, ku disidenca minimizohet vazhdimisht dhe ekzagjerohet fuqia e qeverisë.”
Sondazhet fantazma
Në Mal të Zi, manipulimi i shifrave për qëllime politike ndeshet më shpesh me prezantimin e sondazheve të opinionit publik në prag zgjedhjesh.
“Në varësi të partisë që ka porositur anketimin, shifrat ndryshojnë dhe përqindjet gjithmonë favorizojnë partinë politike ose grupin që ka sponsorizuar sondazhin,” shpjegon Biljana Matijasheviç, gazetare politike tek ND Vijesti.
Darvin Muriç, kryeredaktori i platformës së verifikimit të fakteve Raskrinkavanje.me, thekson se sondazhet e rreme të opinionit publik janë mjete që përdoren shpesh për manipulim politik, për të bindur votuesit me mesazhe si: “Ne jemi më të fortë; kundërshtarët tanë janë dobët fare.”
“Ky lloj manipulimi ndodh shpejt dhe pa kosto,” shpjegon Muriç. “Shifra arbitrare paraqiten si prova të mbështetjes popullore për partinë ose kandidatin; i bashkangjisin emrin e një instituti kërkimor të sajuar dhe informacioni më pas shpërndahet përmes mediave sociale dhe organeve mediatike aleate.”
Si shembull tipik, Muriç përmend një institut kërkimor fiktiv që supozohet se i ka zyrat në Beograd, e ashtuquajtura Qendra e Studiuesve të Pavarur (CSI). Kjo agjenci publikon rregullisht “sondazhe” për zgjedhjet në Mal të Zi, pavarësisht se nuk ekziston asnjë e dhënë mbi CSI në regjistrat e biznesit të Serbisë apo Malit të Zi, madje nuk ka të dhëna për asnjë lloj aktiviteti përveç pretendimeve të saj për punë kërkimore në prag zgjedhjesh.
Muriç thotë se CSI përdor taktika specifike dezinformimi, që përfshijnë edhe publikimin e tabelave me shifra duke përdorur emrin e instituteve kërkimore me reputacion. Gati të gjitha sondazhet e CSI parashikojnë rezultate pozitive për dy partitë më të mëdha, Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Frontin Demokratik, së bashku me kandidatët e tyre. Për fat të keq, disa media malazeze – si Borba, Adria dhe IN4S – publikojnë rregullisht rezultate dhe informacione nga kjo agjenci e rreme.
Një sërë sondazhesh të ngjashme nga agjenci të rreme u publikuan në Podgoricë përpara zgjedhjeve të fundit lokale. Një nga këto sondazhe, që u publikua nën emrin e agjencisë Ipsos me porosi të partisë Demokracia e Re Serbe (NSD), përmbante të dhëna të dyshimta në lidhje me numrin e personave të anketuar dhe rezultatet. Drejtori ekzekutiv i Ipsos, Vladimir Raiçeviç, deklaroi se agjencia e tij nuk kishte kryer asnjë sondazh të tillë.
Një tjetër anketë e publikuar në Facebook mbante emrin e ekspertit të metodologjisë, Prof. Dr. Millosh Beshiç. Materiali u prezantua si “sondazh autentik” dhe shoqërohej me grafikë që tregonin përqindjet për secilën parti. Problemi është se Beshiç i tha Raskrinkavanje.me se nuk kishte fare lidhje me atë sondazh.
Një sondazh i tretë, i publikuar nga portali CGinfo, pretendohej se ishte kryer me porosi të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS). Ky sondazh për kryetar bashkie të Podgoricës tregonte se në vend të parë renditej kandidati që kryesonte listën e Lëvizjes Evropa Tani-Demokratët. Deputeti i DPS-së, Andrija Nikoliç e hodhi poshtë sondazhin si të rremë.
Manipulimi me numrat e turmës dhe rezultatet e sondazheve krijon konfuzion në publik, pa ditur se kujt t’i besosh. Kjo dëmton besimin tek anketimi i opinionit publik, veçanërisht tek sondazhet në prag zgjedhjesh.
“Shumë besojnë se këto sondazhe porositen nga partitë, me rezultate që përshtaten për të favorizuar ata që i paguajnë,” vëren Topiç. “Këto taktika tentojnë të krijojnë idenë e një imazhi prej fitimtari për të ndikuar mbi votuesit e pavendosur. Pas zgjedhjeve, të gjitha partitë shpallin fitoren duke interpretuar rezultatet në mënyrë selektive për të vënë në pah pikat e tyre të forta. Inxhinieria zgjedhore, korrupsioni politik dhe klientelizmi fshihen me mjeshtëri brenda këtij sistemi.”
Përveç sondazheve në prag zgjedhjesh, Darvin Muriç tregon edhe për manipulime me regjistrimin e fundit të popullsisë, si para ashtu edhe pas regjistrimit. “Që në momentet e para axhendat politike dhe nacionaliste çuan në publikimin e informacioneve të pasakta mbi rezultatet e regjistrimit, dhe më pas rezultatet aktuale u prezantuan në mënyrë të manipuluar. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë edhe manipulimin e vazhdueshëm të shifrave në lidhje me viktimat e luftërave të kaluara,” shpjegon Muriç.
Shifra sipas interesit
Në Kosovë, tre vitet e fundit janë shoqëruar me protesta të dhunshme në komunat me shumicë serbe, dorëheqje në masë të zyrtarëve serbë nga institucione publike, si dhe bojkotime të zgjedhjeve lokale në ato zona. Në vitin 2023, Kosova u përball me sanksione nga BE, pasi qeverina e Albin Kurtit u akuzua për tensionimin e marrëdhënieve si me BE ashtu edhe me SHBA.
Qeveria i justifikoi masat e saj në këto komuna si përpjekje për të mbrojtur sovranitetin kombëtar. Këto masa përfshinin mbylljen e institucioneve paralele serbe, ndalimin e përdorimit të dinarit serb dhe inkurajimin e hapjes së bizneseve në pronësi të shqiptarëve etnikë në këto zona.
Për t’iu kundërvënë kritikave në rritje, në muajin shkurt partia në pushtet publikoi në faqen e saj zyrtare në Facebook një grafik me të dhëna, duke pretenduar se përpjekjet e saj për të luftuar krimin kishin përmirësuar perceptimin e sigurisë tek serbët e Kosovës. Të dhënat për të mbështetur këto pretendime u morën nga anketa e Pulsit Publik të UNDP, që kryhet dy herë në vit. Anketa trajton çështje social-ekonomike, politike, të sigurisë dhe ambientit. Partia në pushtet theksoi se të dhënat nga raporti i fundit, i publikuar më 28 shkurt, tregonin se 37.6 për qind e serbëve ishin të kënaqur me kushtet e sigurisë, krahasuar me 33.8 për qind në prill 2023, dhe 15.3 për qind në nëntor 2022. Këto të dhëna u paraqitën si dëshmi e përmirësimit të dukshëm në perceptimin e sigurisë për serbët në Kosovë.
Sidoqoftë, platforma e verifikimit të fakteve Hibrid.info zbuloi se partia në pushtet zgjodhi për të shqyrtuar vetëm tre raportet më të fundit (nëntor 2022, prill 2023 dhe nëntor 2023), duke injoruar të dhënat nga vitet e mëparshme që binin ndesh me pretendimet e saj. Po kështu, të dhënat e paraqitura si “2024” ishin në fakt nga nëntori 2023, siç bëhej e qartë nga Pulsi Publik 25.
Raportet e UNDP-së tregojnë një tjetër situatë. Në vitin 2018, vetëm 4.8 për qind dhe 10.4 për qind e serbëve ndiheshin të sigurt. Për vitin 2019, kjo shifër u rrit në 16.2 për qind dhe 27.4 për qind. Në vitin 2020, ajo u ngjit më tej në 47për qind dhe 46.2 për qind, ndërsa në fund të 2021 arriti në 50.9për qind. Siqoqoftë, nën qeverinë aktuale, niveli i perceptimit të sigurisë ka rënë ndjeshëm, duke u reduktuar nga 46.1 për qind në fillim të vitit 2022 në 15.3 për qind në fund të atij viti.
Verifikuesit e fakteve hidhen në sulm!
Në të gjithë rajonin, shumë media dhe individë janë angazhuar në përpjekje për verifikimin e fakteve. Në Bosnjë, platforma si Istinomjer dhe faqja e internetit Raskrinkavanje rregullisht demaskojnë dezinformata dhe manipulime. Sidoqoftë, duket qartë se shtrirja dhe ndikimi i tyre në public është më i dobët se burimet aktuale të manipulimit dhe dezinformimit.
“Politikanëve në Bosnjë i kushtohet vëmendje e konsiderueshme nga mediat kryesore, që shpeshherë i publikojnë deklaratat e tyre në mënyrë jokritike, pa e verifikuar saktësinë e tyre. Për më tepër, disa media veprojnë drejtpërdrejt në favor të grupeve të veçanta politike. Për shembull, Radio Televizioni i Republika Srpska (RTRS), që parimisht është transmetues publik, i shërben interesave të një partie politike dhe nuk publikon kurrë korrigjime. Nga ana tjetër, transmetuesi publik kombëtar BHT ka qenë relativisht i përgjegjshëm, ndonëse edhe kjo varet nga drejtuesit e institucionit në periudha të caktuara,” thotë Dalio Sijah, kryeredaktor i Istinomje.
Në Mal të Zi, përqasja ndaj raportimit dhe verifikimit të informacionit është goxha e larmishme, duke reflektuar peizazhin shumë të polarizuar mediatik në vend, thotë Marko Banoviç, analist në Qendrën e Analizës Dixhitale.
“Edhe zbërthimi i përmbajtjes manipuluese është shpesh selektiv në mediat malazeze,” shpjegon Banoviç. “Organet e lidhura me parti të caktuara politike shpesh shpërndajnë informacione manipuluese pa analizimin kritik. Nga ana tjetër, edhe ata që përpiqen të ekspozojnë këto materiale dezinformuese shpesh e bëjnë një sy qorr kur vjen puna tek manipulimi nga forcat politike që mbështesin. Kjo e thellon akoma më tej polarizimin shoqëror dhe redukton besimin e publikut tek media.”
Në Kosovë, këto media luajnë një rol të rëndësishëm në analizimin e pretendimeve të qeverisë. Platformat e verifikimit të fakteve si Hibrid.info dhe Krypometer nga Kallxo.com verifikojnë rregullisht statistikat e publikuara nga qeveria. Problemi është se këto platforma nuk arrijnë po atë shtrirje në publik sa narrativa e qeverisë. Po kështu, mediat kryesore gjithashtu i trajtojnë këto çështje jo në edicione lajmesh por në programe televizive dhe artikuj të veçantë ku hidhen poshtë deklaratat e qeverisë, veçanërisht mbi tema si rritja ekonomike dhe niveli i punësimit. Përveç kësaj, verifikuesit e fakteve dhe gazetarët investigativë përballen me sfida të shumta kur vjen puna tek aksesi në të dhëna të besueshme, veçanërisht mbi statistika të përgjithshme mbi popullsinë.
Në Shqipëri, organizatat e shoqërisë civile si Faktoje dhe BIRN Albania punojnë me zell për të demaskuar informacionet e rreme. Megjithatë, procesi i verifikimit të fakteve kërkon kohë, dhe shpesh korrigjimet e informacioneve botohen me vonesë si pasojë e lëshimit të ngadaltë të informacionit publik. Gazetarët ndonjëherë duhet të presin me javë të tëra për të dhëna që duhet të jenë në dispozicion të publikut.
Mungesa e mbështetjes nga mediat kryesore e përkeqëson problemin. Organizata të shoqërisë civile publikojnë demaskime të informacioneve të rreme por shpesh kjo nuk gjen jehonë tek mediat kryesore, madje edhe nga ato media që kanë përhapur fillimisht informacionin e rremë. Mediat kryesore, që kontrollohen kryesisht nga biznesmenë me lidhje politike, shpesh veprojnë si “zëdhënës” të partive politike — një shqetësim që theksohet nga raportet e progresit të Komisionit Evropian. Si rezultat, këto media rrallë i korrigjojnë informacionet e rreme, duke u bërë praktikisht vetë burime dezinformimi. Kjo situatë e bën gjithnjë e më të vështirë shpërndarjen e informacionit të saktë për publikun nga organizatat e shoqërisë civile.
Në Serbi, media si Fake News Tragač, Istinomer dhe Raskrikavanje, së bashku me qendrat e gazetarisë investigative si CINS dhe KRIK, demaskojnë pa u lodhur dezinformatat e shpërndara nga qeveria dhe forca të tjera.
Ndonëse thuhet shpesh se shtrirja dhe ndikimi i organizatave të verifikimit të fakteve në Ballkanin Perëndimor është e kufizuar, është vështirë të imagjinohet se si do të dukej peizazhi mediatike pa to. Mjegullnaja e dezinformimit dhe propagandës në shoqëritë tona do të ishte padyshim shumë më e dendur. Ia vlen gjithashtu të theksohet se ndikimi i mediave të verifikimit të fakteve është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit. Audienca e tyre shpesh rritet – nganjëherë në mënyrë dramatike – gjatë situatash krize ose kur ka rrëmujë dhe pasiguri mbi fakte që lidhen me çështje të një rëndësie të veçantë për publikun. Kjo rritje audience nënvizon nevojën dhe rëndësinë në rritje të këtyre mediave në shoqëri.
Artikulli u publikua fillimisht në seenpm.org
Lexo këtu pjesën e parë