[email protected]
Rishikimi i javës: lajme të rreme për dronët Akinci, dezinformata dhe manipulim i fakteve për prezencën policore në veri
shape
shape
shape

Përmbajtjet clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues në Kosovë në javën që shkoi.

Clikcbait artikujt kishin të bënin me ngjarje që nuk u bëhet e ditur vendndodhja, për vapën që ka kapluar Evropën, për tërmetin në Meksikë dhe aksident.

Lajmet e rreme kishin të bënin me dronët Akinci, për hyrjen e 600 pjesëtarëve të grupit mercenar ‘Wagner’.

Dezinformata lidhur me menaxhimin digjital të radhëve në Qendrën për shërbim me Qytetarë në Komunën e Prishtinës, si dhe pretendimit dezinformues së nuk do të ketë më polici në veri të vendit pa KFOR-in dhe EULEX-in.

Manipulim i fakteve për prezencën e Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve të komunave veriore.

Teori konspirative se shqiptarët janë të rrezikuar nga një çip që do të lidhet me dy satelitët Albania 1 dhe 2.

Përmbajtje mashtruese lidhur me lojëra shpërblyese, si dhe për kafshimin e një fëmije nga qentë endacak në Prishtinë.

Gabimisht është pretenduar se klubi i futbollit Gjilani, ka zhvilluar ndeshje miqësore me Luksemburgun.

Lajm i rremë

Faqja në Facebook me emrin “The Reis”, me datë 9 korrik ka postuar disa fotografi me dronët turq “Akinci” me një mbishkrim me anë të cilit pretendohet se pajisjet ushtarake që paraqiten në imazh janë dhuratë Turqisë për Kosovën. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve bazuar në hulumtimin e kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur të publikuar një njoftim të tillë në asnjë medium kredibil. (këtu)

Llogaria me emër “kijameti2024” ka publikuar një video-material ku pretendohet për hyrjen e 600 pjesëtarëve të grupit mercenar rus “Wagner” në Kosovë, në fillim të korrikut. Bazuar në verifikimin e fakteve, është vërtetuar se pretendimi për praninë dhe hyrjen e pjesëtarëve të grupit mercenar rus “Wagner”, gjatë muajit korrik në Kosovë, nuk qëndron. Pretendimi është bazuar nga një video e vjetër e publikuar në qershor si dhe nuk mbështetet në faktet dhe në burimet e institucioneve zyrtare. (këtu)

Dezinformatë

Komuna e Prishtinës në faqen e saj zyrtare në Facebook, me datë 6 korrik kishte njoftuar për fillimin e  menaxhimit digjital të radhëve në Qendrën për Shërbim me Qytetarë. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se këtë shërbim komuna e Prishtinës e kishte ofruar për qytetarë vite më parë. Në këtë njoftim, Komuna e Prishtinës thotë që “Drejtoria e Administratës, në kuadër të reformave administrative, ka filluar me projektin për menaxhimin digjital të radhëve në Qendrën për Shërbim me Qytetarë (QSHQ)”. Por, në asnjë rast nuk përmendet fakti që një shërbim i tillë ka qenë i qasshëm për përdorim edhe më herët. (këtu)

Portali informativ i televizionit Klan Kosova “KlanKosova.tv” ka publikuar një artikull, duke pretenduar përmes titullit se nuk do të ketë më polici në veri të vendit pa KFOR-in dhe EULEX-in. Ky pretendim bazohet në pikën numër dy të një komunikate për media të lëshuar më 11 korrik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pas takimit tё 10 korrikut nё Bratisllavё ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi me Përfaqësuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, duke iu referuar pikës dy të kësaj komunikate, vërehet qartë se në të nuk përmendet dakordimi për mos prezencës e policisë së Kosovës në veri pa KFOR-in dhe EULEX-in. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar/ Teori konspirative / Pseudoshkencë

Mediumi informativ “Euronews Albania” ka publikuar një artikull në të cilin pretendohet se shqiptarët janë të rrezikuar nga një çip që do të lidhet me dy satelitët Albania 1 dhe 2, të cilët u lëshuan në hapësirë, në fillim të këtij viti në Shqipëri. Pretendimi është ndërtuar bazuar në deklaratat dhënë në një intervistë, në “Goodmorning Albanians”, emision i mëngjesit në televizionin “Euronews Albania” (06 korrik) nga Arianit Sllamnikut, konspiracionist. Por që hibrid.info ka vërtetuar se pretendimet e Sllamnikut nuk kanë asnjë bazë dhe se emisioni në fjalë ka krijuar hapësirën për promovimin e pretendimeve të tilla. (këtu)

Manipulim i fakteve

Disa media pretenduan se pas dakordimit për deeskalim të situatës në veri, prezenca e policisë së Kosovës do të zvogëlohet në 25%, pra do të tërhiqen 75% e tyre nga ndërtesat komunale dhe rreth saj. Bazuar në postimin e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi për arritjen e marrëveshje për deeskalim të situatës në veri, prezenca e njësive policore në dhe rreth ndërtesave komunale do të zvogëlohet për 25%. (këtu)

Clickbait

Portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar  një artikull me titull “Gjendet trupi i një foshnje të pajetë në plazh”. Pas verifikimit të fakteve është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron vendndodhjen e ngjarjes. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se ngjarja ka ndodhur në Roda de Bera, një qytet bregdetar në Bregun e Artë të Spanjës. (këtu)

Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një artikull me titull “Moderatori ia kthen shishen me ujë vetes pasi e pa ‘seancën e Kuvendit të Kosovës’”. Titull ky i cili lë të nënkuptojë veprimi i moderatorit është ndikuar nga pamjet e ngjarjeve të sotme në Kuvendin e Kosovës. Por hibrid.info ka verifikuar dhe ka gjetur se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen e artikullit. (këtu)

Portali informativ “sot.com.al” ka publikuar një artikull me titull “Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë, ja ku ishte epiqendra”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku shkruan “një tërmet me magnitudë 6.4 është regjistruar sot me epiqender në brigjet e Chiapas në Meksikë, njoftoi Qendra e Kërkimeve për Gjeoshkencat (GFZ)”. Duke u bazuar në seksionin “Kontakt” në ueb-faqen e këtij mediumi online, ku adresa e tij shfaqet të jetë në Tiranë, kjo bën që titulli përgjithësues të lë vend për keqkuptim te lexuesit se tërmeti ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)

Portali informativ “gazeta-shqip.com” ka publikuar artikullin me titull “TRAGJIKE! Nëna mbyt fëmijën e saj 1 vjeç, bashkëshorti i saj ndodhej në punë”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i këtij artikulli është përgjithësues që nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja. Pasi të klikohet vegëza e artikullit, atëherë qartësohet në përmbajtje, ku shkruan “Nëna ka mbytur djalin e saj 1-vjeçar mëngjesin e kësaj të premte.  Ngjarja tronditëse ka ndodhur në Voghera (Pavia) të Italisë”. Duke u bazuar në seksionin “TE DHENAT PERSONALE” në ueb-faqen e këtij portali informativ, ku adresa e tij shfaqet të jetë në Tiranë (këtu), kjo bën që titulli përgjithësues të lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)

Disa media kanë publikuar artikuj me tituj si “Kurti: Mërgim Lushtaku më shau nënën” dhe “Kurti: Mërgim Lushtaku e shau nënën time sot, i dhimben veç pronat e babës. Kosovën e ka dorëzu moti”. Në të dy artikujt e verifikuar nga hibrid.info, është vërtetuar se mos saktësimi i personit deklarues në titull si dhe mungesa e fotografive, e bën të pa qartë se nga kush janë bërë deklaratat. Me anë të këtij titulli të përdorur në këta artikull, autori duket që ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për kryeministrin Albin Kurti, ndërsa në përmbajtje bëhet e ditur se deklarata është bërë nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti. (këtu)

Mashtrim

Faqja në Facebook me emrin “𝐁𝐢𝐠 𝐌𝐚𝐫𝐤𝐞𝐭-𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧𝐢𝐚,” që numëron vetëm 61 ndjekës, publikon lojëra shpërblyese të rreme me pretendimin se fituesit do të shpërblehen me vetura. Kjo faqe, në seksionin “About” nuk ka asnjë informacion, adresë apo kontakt, gjë që e bën edhe më të dyshimtë veprimtarinë e saj. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hirbid.info ka vërtetuar se faqja e lartcekur ka përdorur logon e rrjetit të marketeve në Shqipëri “Big Market”, duke u munduar që të paraqitet si faqe zyrtare e kësaj kompanie. (këtu)

Disa faqe në Facebook me datë 18 qershor kishin publikuar lajmin për një fëmijë dyvjeçar, i cili ishte kafshuar në fytyrë nga qeni endacak në shesh të Prishtinës. Këto faqe në këtë njoftim kanë publikuar fotografi të fëmijëve me plagë në fytyrë, por që në to nuk shfaqet fëmija i njëjtë. Duke u nisur nga ky dyshim, hibrid.info ka verifikuar faktet e që, pas hulumtimit të bërë përmes makinave online të kërkimit, u vërtetua se fotografitë e fëmijëve u përkasin dy ngjarjeve të ndryshme në Zelandë të Re dhe Angli. (këtu)

Gabim

Portali informativ “Inlajmi” ka pretenduar gabimisht se Gjilani mbrëmë ka zhvilluar ndeshje miqësore me Luksemburgun. Pas verifikimit të fakteve, është vërtetuar se klubi futbollistik është përballë me FC Progrès Niederkorn, ekip futbollistik nga Luksemburgu, në kuadër të kualifikimeve për “Europa Conference League”. (këtu)

Share With Others

Translate »