[email protected]
Publikohen thirrje të dyshimta për protesta në jug të Mitrovicës
shape
shape
shape

Në mediat sociale janë postuar shpërndarë dje (30 qershor) disa banerë në gjuhën shqipe me thirrje për protestë në jug të Mitrovicës.

Ndonëse banerët janë të ndryshëm për nga dizajni dhe përmbajtja, ata kanë të njëjtin mesazh.

Këto poste janë bërë kryesisht në TikTok dhe një pjesë më e vogël e tyre në Facebook.

Hibrid.info ka trajtuar autenticitetin e këtyre përmbajtjeve dhe ka kuptuar se ato vijnë nga llogari e faqe të dyshimta.

Në përmbajtje të disa nga këto postime bëhet thirrje për marrsh për, siç shkruan, t’i dal zot vendit, duke e ndërlidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës:

Marshojmë për veri

Ju ftojmë masivisht ti dalim zot vendin tonë – Edhe veriu është Kosovë

Pas kërkimit dhe hulumtimit të këtyre publikueseve, hibrid.info ka parë se publikuesit e këtyre thirrjeve në Facebook, që në këtë rast është një faqe, nuk posedojnë informacione për aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre.


Në median sociale Facebook, faqja me emrin “Podujeva”, që numëron afër 100 mijë ndjekës dhe ka një adresë dhe numër telefoni, këtë thirrje për protestë e ka publikuar dje me datë 31 maj. (shih këtu)

Përveç kësaj faqe, në këtë media sociale, thirrja e njëjtë është bërë edhe përmes një grupi të quajtur “LAJMI I FUNDIT”. (shih këtu)

Në këtë thirrje, në krye të këtij baneri figuron emri “JOQ Anglia”, e që përkundër kërkimeve të bëra nga hibrid.info, nuk është arritur të gjenden informacione zyrtare që dëshmojnë ekzistimin e një organizimi me emër të tillë. Pra, ky emër nuk është parë të jetë prezentë as në platforma digjitale (media sociale apo ueb-faqe).

Një tjetër baner me thirrjen për protestë, gjendet emri “Unioni i qytetarëve mitrovicas”, që lë të kuptohet se bëhet fjalë për ndonjë grup që ka organizuar një tubim të tillë. Gjithashtu, pas kërkimeve, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë diçka në lidhje me këtë emër/grup.


Ndërsa në median sociale TikTok, kjo thirrje është bërë në numër dukshëm më të madh nga shumë llogari të ndryshme.

Gjatë kërkimit në TikTok, janë shfaqur dhjetëra postime me thirrjen e njëjtë. (shih disa këtu, këtu, këtu dhe këtu). Ndërsa hibrid.info bashkangjitur sjell edhe një listë më të gjerë të vegëzave të llogarive në TikTok që publikuan këtë ftesë.

Ndërsa hibrid.info bashkangjitur sjell edhe një listë më të gjerë të vegëzave të llogarive në TikTok që publikuan këtë ftesë:

Pra, duke u bazuar në kërkimet e bëra nga hibrid.info, nuk dihet se kush qëndron prapa një organizimi të tillë.

E njëjta nuk është raportuar në asnjë medium, si dhe nuk ka persona, grupe apo organizata që kanë marrë përsipër një organizim të tillë.


Për paqartësinë e këtyre thirrje janë deklaruar edhe Policia e Kosovës. Pra, as ky institucion, që është kompetent për aprovim të kërkesave për tubime publike (shih nenin 4-5-6 të Ligjit për Tubime Publike), nuk është në dijeni për organizimin e një marrshi të tillë.

Për më tepër, përmes një reagimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, u bën thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë, duke i cilësuar ato si të dyshimta. (shih këtu)

Gjithashtu, reagim kishte edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili shfrytëzoi llogarinë e tij në Facebook, për t’u bërë thirrje qytetarëve që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime. (shih këtu)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, thirrjeve për protestë në jug të Mitrovicës, nuk u dihet organizatori.

Thirrjet kryesisht janë bërë nga llogari në TikTok, si dhe grupe e faqe në Facebook, për të cilat nuk dihet se nga kush menaxhohen.

Lidhur me këtë thirrje, ka reaguar Policia e Kosovës, si dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke u bërë thirrje qytetarëve që mos t’i përgjigjen kësaj thirrje, pasi e njëjta cilësohet si e dyshimtë.

Bazuar në metodologjinë e punës, kjo thirrje për protestë është vlerësuar si “Lajm i rremë”, pasi lë të kuptohet se e gjithë përmbajta është e pavërtetë dhe është tërësisht e sajuar dhe nuk i dihet origjina.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others