Portalet informative në gjuhën shqipe “botasot.info” dhe “sot.com.al”, gjatë ditëve të fundit kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues për fushën e kronikës së zezë, që kanë ndodhur në shtetet e tjera.
Gjatë monitorimit ditor, hibrid.info ka arritur t’i grumbullojë disa artikuj me strukturë të tillë, pra me tituj përgjithësues në këta artikuj, si dhe fotografi ilustruese që nuk e bëjnë të qartë vendin e ngjarjes dhe duke marrë parasysh që përmbajtjet e tyre janë në gjuhën shqipe, këta tituj çorientojnë audiencën se ngjarja mund të ketë ndodhur në ndonjë nga vendet shqip-folëse.
Titujt e vendosur në artikujt e publikuar nga portalet informative “botasot.info” dhe “sot.com.al”:
“Shfrytëzoheshin nga një sekt fetar, shpëtohen më shumë se 250 të mitur”
“E rëndë/ I riu qëllon me thikë dy fëmijët e mitur, dyshohet se…”
Vegëzat e artikujve të publikuar në disa media online në Kosovë:
Artikulli nga “botasot.info” me titull ““Për të mësuar si të bënte seks”- Deklarata shokuese e nënës dhe njerkut që përdhunuarn vajzën 15 vjeçare”, në përmbajtje tregon se rasti ka ndodhur në Juta, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa hibrid.info për të vërtetuar edhe më tej këtë fakt ka gjetur artikullin e publikuar nga mediumi amerikan “nypost.com”, ku thuhet se kjo ngjarje ka ndodhur në Juta të SHBA- ve. (shih këtu)
Artikulli i “sot.com.al” për 250 të mitur të shfrytëzuar nga një sekt fetar sqarohet vetëm në përmbajtje se ka ndodhur në shtetin afrikan Zimbabve, ndërsa hibrid.info ka gjetur edhe artikullin e mediumit britanik “theguardian.com”, i cili ka raportuar për të njëjtën ngjarje dhe menjëherë në titull ka dhënë informacionin se ngjarja ka ndodhur në Zimbabve, të Afrikës së Jugut. (shih këtu)
Edhe artikulli tjetër nga “sot.com.al” për therjen me thikë të dy nxënësve sqarohet vetëm në përmbajtje se ka ndodhur në Gjermani dhe për këtë ngjarje ka raportuar edhe mediumi i huaj “mirror.co.uk”, ku tregohet se kjo ka ndodhur në Dusiburg të Gjermanisë. (shih këtu)
Analiza:
Disa portale informative kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues lidhur me raste nga fusha e kronikës së zezë që kanë ndodhur në shtete tjera, duke mos treguar në titull e as në fotografi vendin se ku ka ndodhur rasti.
Këto raste kishin ndodhur në vendet jo shqip-folëse, ndërsa përmbajtja e këtyre portaleve është në gjuhën shqipe, dhe duke mos sqaruar vendin se ku ka ndodhur ngjarja nënkupton mundësinë e ngjarjes në territorin e ndonjërit prej shteteve shqip-folëse në rajon, duke vënë në këtë mënyrë në lajthitje lexuesit.
Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këta artikuj i vlerëson si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.