Shkroi: Etrit Rexhepi
Në një kohë kur roli i medias dhe besueshmëria e lajmeve vihen shpesh në provë, burimet anonime vazhdojnë të jenë kyçe për sigurimin e informacionit nga gazetarët. Ligjet dhe praktikat profesionale për mbrojtjen e burimeve synojnë të sigurojnë që gazetarët të mund të raportojnë informacion kritik pa rrezikuar identitetin e atyre që ua japin të dhënat.
Megjithatë, nuk mungojnë rastet kur raportimet mediatike të bazuara në burime anonime, nuk konfirmohen apo edhe demantohen. Në këtë artikull do të sqarohet kjo çështje nëpërmjet disa shembujve.
Kur raportimet në burime anonime demantohen
Mediumi në gjuhën shqipe, “Lapsi.al”, të shtunën (21 mars) raportoi se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është urdhëruar nga Edi Rama, kryeministri shqiptar, që të pamundësojë çdo vizitë zyrtare në Shqipëri, për Donika Gërvallën, ministren aktuale të Drejtësisë në Kosovë (shih këtu).
Kjo për shkak të, siç u pretendua, deklaratave të ashpra të saj kundër letrës së përbashkët të kryeministrit Rama me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ku të dy i kërkonin BE-së një anëtarësim pa të drejta të plota të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union (shih këtu dhe këtu).
Në zbatim të kësaj porosie, raportohej se ministri i jashtëm i Shqipërisë, Hoxha, ka mbajtur të enjten një mbledhje online me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar në vendet e rajonit.
Ky lajm u bazua në një citim nga një burim anonim brenda Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Por, pak orë pas publikimit, mediat në gjuhën shqipe në Kosovë, publikuan një deklaratë të Petrit Malajt, ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, ku mohohej ky pretendim (shih këtu, këtu dhe këtu).
Ky është një rast ku një artikull, i cili i referohet një burimi anonim, më pas demantohet ose nuk konfirmohet nga palët e përfshira.

Dy raste të ngjashme janë raportuar më parë. Më 4 mars 2026, mediumi “Gazeta10.com” pretendoi, duke u bazuar në burime anonime, se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të mandatit, do të themelonte Listën “Shpresa”. Ndërkaq, më 23 shkurt, faqja në Facebook “InteraktIv Talks” pretendoi se Harry Bajraktari po ndërmerrte veprime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i zënë vendin Osmanit në Presidencë.
Në rastin e parë, pretendimi u mohua Egnesa Vitia, këshilltare e presidentes Osmani në një deklarim për mediumin “KlanKosova.tv” (shih këtu), ndërsa pretendimi i dytë u mohua nga vetë Bajraktari, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook (shih këtu).


Përdorimi i burimeve anonime në gazetari: kur dhe si?
Ekzistojnë rregulla për përdorimin e burimeve anonime në gazetari. Një prej mediumeve ndërkombëtare është Associated Press (AP), agjencia e lajmeve që ka vendosur rregulla strikte për përdorimin e burimeve anonime, për të ruajtur besimin e audiencës. Në artikullin brenda uebfaqes së këtij mediumi, ku sqarohen këto rregulla, shkruan se lajmet e bazuara në burime të paidentifikuara ose të papërgjegjshme rrisin skepticizmin dhe mund të konsiderohen të pasakta.
Sipas AP, burimet anonime lejohen vetëm në raste të kufizuara:
- Kur informacioni vjen nga një burim i besueshëm me njohuri direkte.
- Kur fakte të rëndësishme nuk mund të zbulohen ndryshe.
- Kur informacioni është kritik për raportimin dhe nuk mund të merret në asnjë mënyrë tjetër.
Përdorimi i burimeve anonime kërkon:
- Konfirmim nga më shumë se një burim i pavarur.
- Miratimin e menaxherëve.
- Përshkrimin e burimit dhe motivacionit të tij sa më qartë të jetë e mundur.
Gazetarët duhet të shmangin përdorimin e burimeve anonime për fakte të zakonshme, diplomatë anonimë ose postime në rrjete sociale me identitet të paqartë. Qëllimi është të sigurohet informacion i saktë, i verifikueshëm dhe i besueshëm, duke mbrojtur ata që rrezikojnë për të dhënë të vërtetën.
Ligji për mbrojtjen e burimeve të Gazetarisë
Kosova ka një ligj që synon të forcojë mbrojtjen e burimeve të gazetarëve dhe profesionistëve të medias. Sipas këtij ligji, gazetarët kanë të drejtë të heshtin për identitetin e burimeve të tyre dhe nuk mund të detyrohen të dorëzojnë materiale që mund t’i ekspozojnë këto burime.
Ligji vlen për të gjithë profesionistët e medias, nga gazetarët e pavarur te stafi editorial dhe kameramanët, që mbledhin, përgatisin dhe përhapin informacion nëpërmjet mediave të ndryshme, duke përfshirë gazetat, televizionin, radion dhe internetin.
Zbulimi i burimeve lejohet vetëm në raste ekstreme, kur gjykata e konsideron të nevojshme për të parandaluar kërcënime serioze ndaj jetës së njerëzve. Çdo kontroll i zyrave, shtëpive ose mjeteve të gazetarëve për të zbuluar burime është i ndaluar, përveç kur lejohet nga vendimi i gjykatës.
Ligji gjithashtu garanton se dokumentet e marra në mënyrë të paligjshme nga palë të treta nuk e ekspozojnë gazetarin ndaj përgjegjësisë penale, dhe as nuk mund të akuzohen për bashkëpunim në krim kur mbrojnë burimet e tyre.
Përfundimi
Gazetarët dhe profesionistët e medias në Kosovë mbrohen ligjërisht kur përdorin burime anonime, duke garantuar që identiteti i burimeve të mos zbulohet dhe materialet të mos detyrohen të dorëzohen, përveç në raste të jashtëzakonshme që lidhen me kërcënime serioze për jetën. Megjithatë, raportimet e bazuara në burime anonime mund të jenë të pasakta, siç tregojnë disa raste të fundit në Kosovë (siç u cek më sipër), ku lajme të publikuara me burime anonime më pas u mohuan.
Praktikat ndërkombëtare tregojnë se përdorimi i burimeve anonime duhet të bëhet vetëm kur informacioni është kritik, i besueshëm dhe i pamundur për t’u marrë ndryshe, duke kërkuar gjithashtu verifikim shtesë dhe miratimin e menaxherëve.
Përdorimi i burimeve anonime kërkon kujdes dhe transparencë për të ruajtur integritetin dhe besueshmërinë e lajmit.