[email protected]
Daçiq vazhdon narrativën e pabazë për spastrim etnik të serbëve në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Posterë me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe mbishkrimin “Komandant suprem, po të presim” janë vendosur në disa objekte në komunat në veri të Kosovës të dielën (30 qershor).

Policia e Kosovës ka iniciuar rast dhe ka hequr pamfletet. E ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi arrestim të presidentit të Serbisë, po që se ai hyn pa lejen e autoriteteve të Kosovës.

Në kundërpërgjigje, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se deklarata e Sveçlës për Vuçiqin është “mesazh për të gjithë serbët e Kosovës”. Ai e ka ndërlidhur këtë deklaratë me pretendimin për “qëllimet për t’i arrestuar dhe përzënë të gjithë, për të bërë spastrim etnik të serbëve në Kosovë”.

Narrativi i pabazë për spastrim etnik të serbëve të Kosovës

Nëpërmjet një deklarate publike në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), ministri Ivica Daçiq, ka dënuar deklaratat e qeveritarëve të Kosovës. Zëvendëskryeministri i Serbisë duke komentuar deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për posterët në veri, i ka dhënë jehonë pretendimit se autoritetet në Kosovë po duan spastrimin etnik të serbëve.

“Deklaratat e përfaqësuesve të regjimit në Prishtinë kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë mesazh për të gjithë serbët nga Kosova. Qëllimi i tyre është t’i arrestojnë dhe dëbojnë të gjithë, për të bërë spastrim etnik të serbëve në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Daçiqit të publikuar në uebfaqen e MUP-së.

Tutje në këtë reagim, Daçiqi ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar se po shikon me qetësi “këto vërshime urrejtjeje dhe zemërimi ndaj Vuçiqit, Serbisë dhe popullit serb”.

Daçiqi nuk ka ofruar asnjë fakt për pretendimin e tij.


Vegëza e reagimit të Daçiqit:

https://archive.is/YE3UJ


Pas deklaratës paralajmëruese të Sveçlës se Vuçiqi do të arrestohej po që se hyn pa leje në Kosovë, ka reaguar edhe kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se komentet e Sveçlës dëshmojnë “nivel të jashtëzakonshëm të lartë zilie dhe urrejtjeje” (Shih këtu).

E në një intervistë për “Novosti”, të publikuar në faqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë më 1 korrik, edhe shefi i kësaj zyre, Petar Petkoviq, ka hedhur akuza për spastrim etnik në Kosovë. “Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për pozitën e vështirë të serbëve, në të cilën ata çdo ditë i ekspozohen terrorit të Kurtit, që nga ndalimi i transportit të mallrave serbe, barnave, shpronësimet ilegale, vendosjen e kryetarëve të rremë në veri, arrestimeve arbitrare dhe të paligjshme të serbëve. Një pogrom, si ai i vitit 2004, nuk është i mundur sepse Serbia, nën udhëheqjen e presidentit Vuçiq, është e vendosur të mos lejojë. Dhe Kurti e kuptoi se për të funksionojnë më mirë metodat më perfide të spastrimit të ngadaltë etnik, të bazuar në politikën e frikësimit dhe terrorit të vazhdueshëm, që të rezultojë në emigrim gradual të familjeve serbe. Bota po bëhet gjithnjë më e paqëndrueshme dhe ne duhet të jemi vigjilentë”, ka thënë ai, ndër tjerash, sipas shkrimit në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Deklarata e Daçiqit është shpërndarë në disa media në gjuhën serbe: politika.rs, dnevnik.rs, novimagazin.rs, insajder.net, rtv.rs, blic.rs, indeksonline.rs, sputnikportal.rs, kurir.rs, euronews.rs, telegraf.rs, tanjug.rs, danas.rs.


Çka thanë Sveçla dhe Policia e Kosovës?

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi arrestimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po që se ai hyn në Kosovë pa leje.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar ai. (Shih këtu)

Pas shfaqjes së posterëve, të dielën Policia e Kosovës njoftoi se është iniciuar rast për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit si dhe se janë hequr posterët. Siç ka shkruar mediumi në gjuhën serbe “kossev.info”, posterë janë vënë re në të katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq.

Ndërkaq në raportin 24-orësh të Policisë të hënën, bëhet e ditur se rasti është nën hetim.

“NXITJA E PËRQARJES DHE MOS DURIMIT Zveçan, 30.06.2024, NN. Është raportuar se persona të panjohur nëpër mure të ndërtesave kanë vendosur pamflete me mbishkrime. Pamfletet janë tërhequr nga vendet ku janë vendosur si provë materiale. Rasti nën hetime”, thuhet në raport të Policisë.


Marrëveshja për vizitat zyrtare

Më 1 dhjetor 2014 pati hyrë në fuqi Marrëveshja për vizitat zyrtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e arritur në kuadër të dialogut teknik. Në një dokument që u gjet nëpërmjet makinave të kërkimit, e që mban domainin “kryeministri.rks-gov.net”, sqarohen detajet dhe afatet kohore se si për të vizituar vendin tjetër duhet bërë njoftim paraprak (Shih dokumentin). 

Në vegëzën e “raporteve mbi gjendjen në zbatim të marrëveshjeve të Brukselit” është një dokument që mban datën 25 nëntor 2016 e në të cilin është theksuar se “pavarësisht kushteve minimale, vizita të shumta zyrtare bilaterale janë administruar nga të dy ZN-të (Zyrat ndërlidhëse) në shtetet përkatëse”. Aty është thënë se ka pasur një rast të shkeljes së lejes në periudhën qershor-nëntor 2016. Sipas raportit, zyrtari serb, Marko Gjuriq “ka devijuar nga agjenda që ai vetë e ka propozuar – në vend që t’i vizitojë objektet fetare, ai organizoi tubime politike/partiake ku mbajti deklarata shumë provokuese” (Shih këtu).

Gjuriq, atë kohë shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar në mars të vitit 2018 pasi kishte hyrë në Kosovë duke mos e përfillur vendimin e Kosovës që ia ndalonte hyrjen. (Shih këtu)

Ndërkaq ditë më parë, Qeveria e Kosovës ia ndaloi hyrjen Petar Petkoviqit, tash kryetar i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e arsyetoi vendimin duke thënë se Petkoviqit i është ndaluar hyrja “për shkak të shkeljeve të marrëveshjes për vizitat e dyanshme, deklaratave propagandistike dhe për shkak të gjuhës së tij provokuese ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj” (shih këtu).

Ndërlidhja e vazhdueshme e ngjarjeve në veri me pretendimin për spastrim etnik

Ndërlidhja e ngjarjeve në veri me pretendimin për spastrim etnik ndaj serbëve të Kosovës është trajtuar në disa raste nga hibrid.info.

Më 18 qershor, hibrid.info pati trajtuar një rast në të cilin Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i pati ndërlidhur pa fakte mbishkrimet “Albania” në Shushicë, afër Graçanicës, me pretendimin për “spastrim etnik” (shih këtu).

Pretendime të tilla janë bërë edhe nga mediume në gjuhën serbe. Një i tillë ishte trajtuar më 11 qershor. E përditshmja në gjuhën serbe “politika.rs”, pati publikuar një artikull përmes së cilit pretendonte pa fakte se “Kurti heq kujdesin shëndetësor për ta përmbyllur spastrimin etnik” (shih këtu).

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka ndërlidhur pa fakte edhe arrestimet në veri me pretendimin për spastrim etnik (Shih shembull).

Platforma për verifikim të fakteve, Hibrid.info vazhdimisht ka demaskuar këtë narrativ në raport me zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën. (shih një sërë artikujsh të tillë, këtu, këtukëtu, këtu dhe këtu)

Share With Others

Translate »