Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një artikull me titullin “IDEJA E SHQIPËRISË SË MADHE PO NGJALLET SËRISH Gjithçka nis me gjyqin e liderëve të UÇK-së: nga Tirana e Shkupi vjen një paralajmërim i rrezikshëm për KRYENGRITJE PANSHQIPTARE”.
Publikimi i mediumit në gjuhën serbe “blic.rs” të shtunën (18 tetor) ka ndërlidhur me idenë e “Shqipërisë së Madhe” – protestën e organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë dhe një deklaratë të Ali Ahmetit se askush nuk mund të garantojë që s’do të ketë revoltë, nga njerëz të pakënaqur, nëse Gjykata Speciale i dënon në fund të gjykimit.

Çka thuhet në artikull?
Artikulli i “blic.rs” shkruan se për pak ditë kanë qenë “dy sinjale paralajmëruese” se shpallja e vendimit kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë nuk do të kalojë pa reagim.
“E para erdhi nga Shqipëria në formën e protestës së mbështetjes nacionaliste ‘gjithëshqiptare’ dhe më pas krejt një tjetër nga Maqedonia e Veriut – një njoftim ogurzi se mund të ketë një rebelin panshqiptar nëse ata shpallen fajtorë”, thuhet në hyrje të artikullit.
Aty theksohet se Ali Ahmeti, udhëheqës i partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut ka thënë se “askush nuk mund ta kontrollojë një rebelim shqiptar nëse Gjykata Speciale në Hagë i dënon Hashim Thaçin dhe të tjerët”.
Për ta interpretuar këtë deklaratë, mediumi ka thënë se Ahmeti ka qenë një prej ish-themeluesve të UÇK-së dhe lider politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Artikulli ka përfshirë edhe një deklaratë të Zoran Milivojeviqit, diplomat të karrierës. “Është ide e qartë e Shqipërisë së Madhe. Tani mund të shihet se kjo ide nuk po fle dhe se ka ambicie që të projektohet si një hapësirë panshqiptare në tërë rajonin. Është e rrezikshme për stabilitetin e rajonit, por edhe për sovranitetin territorial të shteteve”, ka thënë Milivojeviq për “blic.rs”.
Duke marrë për bazë mbështetjen për protestën nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Milivojeviq ka thënë se këto japin indikacione se UÇK-ja është “simbol dhe bazë ushtarake për realizimin e idesë së Shqipërisë së Madhe”.
“Është një platformë ushtarako-politike, në Tetovë, në Prishtinë, në Durrës, në Tiranë, në Ulqin dhe është e rrezikshme që është aktivizuar. Për shkak të tendencave militariste në Evropë, është shumë e rëndësishme të kihet parasysh përpjekja për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri dhe jo të ndahet nga ideja e Shqipërisë së Madhe”, ka thënë tutje ai.
Po ashtu në artikull thuhet se “ideja e Shqipërisë së Madhe implikon bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, dhe pos tyre edhe pjesë të territorit nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Greqia”.
Faktet
Hibrid.info ka gjetur se Ali Ahmeti ka bërë deklaratë (16 tetor) në të cilën ka thënë se askush nuk mund të japë garanci se njerëz të pakënaqur, do të mund të shprehshin revoltën e tyre nëse dënohen ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por ai nuk ka paralajmëruar idenë e pretenduar në titullin në fjalë për “Shqipërinë e Madhe”.
Madje në një intervistë pas protestës të shtunën, Ahmeti ka thënë se për 10 vjet faktorin shqiptar në rajon e sheh brenda një flamuri evropian e pa kufij, e në këtë rast ka thënë se pa kufij mund të bëhet edhe me Serbinë.
Pjesë nga deklarata e tij, publikuar në kanalin e Radio Televizionit Shqiptar në YouTube:
“Unë shqiptarët i shoh brenda një dekade shqiptarë të bashkuar, por në Evropën e bashkuar. Evropa e bashkuar është ajo që i zgjidh edhe ato idealet të cilat ne i kemi pasur si të rinj që jemi organizuar. Dhe unë nuk jam prej atyre që tani frikohem dhe them se më 1979 jam organizuar për bashkim me tokën shqiptare me Shqipërinë, por në vitet e 90-ta politikat globale ndryshuan dhe edhe ne e ndryshuam strategjinë tonë”
Të bashkuar nën flamurin evropian. Unë fushatën e fundit moton e kam pasur për zgjedhjet politike parlamentare ‘Jo Rusisë, po Evropës”. Dhe ne ideal e kemi Evropën e bashkuar, heqjen e kufijve mes Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, malit të Zi, përse të mos mendohet edhe pse është proces më i vështirë, por edhe Serbia është në Ballkan. Me Serbinë kemi vështirësi deri në pajtim… Unë e kuptoj që procesi i pajtimit nuk është aq i lehtë me Serbinë sepse të gjallë njerëzit janë varrosur, me mijëra njerëz ka të vrarë, me mijëra janë akoma të zhdukur, nanat kanë përjetuar dhimbje të mëdha, por ky proces ka ndodhur edhe mes dy popujve – francezë e gjermanë”.
E në një intervistë tjetër gjatë ditës, të publikuar në kanalin e Top-Channel në YouTube, Ahmeti ka folur për takim me zyrtarë të institucioneve të Shqipërisë. Ka thënë se kanë biseduar për “rrugën e përbashkët që duhet bërë drejt anëtarësimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian”.
“Si Republikë e Maqedonisë së Veriut kemi shqetësim rreth rrugëtimit të përbashkët që kemi pasur drejt anëtarësimit të vendit në BE. Kemi qenë në një pako me Shqipërinë e Malin e Zi, por se pak jemi të vonuar për një marrëveshje që është nënshkruar në mes të ne palëve dhe Brukselit sa u takon ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë ai duke folur për integrimin evropian të Maqedonisë dhe jo për ndonjë ide për bashkim në një shtet.
“…. si gjithmonë që kemi qenë kontribues për paqen, stabilitetin, për sigurinë, do të vazhdojmë në këtë drejtim të bashkëpunojmë sepse ne duam një rajon të paqtë për të qenë në shërbim të zhvillimit, të progresit dhe të anëtarësimit sa më të shpejt në Bashkimin Evropian”, ka vazhduar ai.
Ali Ahmeti ka qenë edhe folës në protestën e organizuar në Tiranë. Në fjalimin e tij, ai nuk ka përmendur idenë e “Shqipërisë së Madhe”.
Në të kaluarën, Ahmeti e ka quajtur idenë e “Shqipërisë së Madhe” propagandë ruso-serbe. Në vitin 2017, ai pati thënë se “askush nuk duhet të ketë frikë nga fuqizimi i shqiptarëve dhe se përkundrazi stabiliteti në këtë shtet (Maqedoni të Veriut) reflektohet edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”.
E madje edhe në vitin 2018, ai ka thënë se “bashkimi kombëtar s’bëhet” dhe se “shqiptarët duhet t’i forcojnë shtetet e tyre”.
Deklaratë që bie ndesh me pretendimin e medias në gjuhën serbe, ditë më parë ka dhënë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në një intervistë për “Klan Kosova” në fund të shtatorit, Rama ka thënë se bashkimi kombëtar është “tezë e cila ka vlerë vetëm për aq sa lidhet me Bashkimin Evropian dhe sinergjinë që krijohet nën qiellin e Bashkimit Evropian”.
Narrativi i “Shqipërisë së Madhe” shpesh përdoret nga mediat në gjuhën serbe dhe zyrtarët serbë për të kritikuar apo portretizuar si kërcënim çdo ngjarje, festë apo iniciativë që ata interpretojnë si një përpjekje për bashkimin e territoreve me shqiptarë në një shtet të vetëm. Ky narrativ shfaqet veçanërisht në kontekste që lidhen me simbolet dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Për më tepër, ky narrativ është shpesh i pranishëm gjatë ngjarjeve që simbolizojnë forcimin e lidhjeve shqiptaro-shqiptare, si festa kombëtare, përkujtimore dhe takime zyrtare që kanë si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rajon. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Rreth protestave për gjykimin:
Protesta kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë mbajtur në gusht në Prishtinë, e në shtator te selia e Speciales në Holandë. Gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tij (Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur më 3 prill 2023. Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të supozuara se janë kryer gjatë viteve 1998–1999 në Kosovë dhe pjesë të Shqipërisë. (shih këtu)
Analiza:
Pa ofruar asnjë fakt, mediumi në gjuhën serbe “blic.rs” ka përdorur protestën së shtunës në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe deklaratat e politikanit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si “nisje të ringjalljes së idesë së Shqipërisë së Madhe”.
Ahmeti ka thënë se askush nuk mund të japë garanci se njerëz të pakënaqur do të mund të shprehshin revoltën e tyre në rast të dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, por ai nuk ka paralajmëruar bashkimin e territoreve me shqiptarë në një shtet të vetëm. Në të paktën dy intervista ditën e protestës, vetë Ahmeti ka folur për Maqedoninë e Veriut si shtet më vete dhe në një rast ka thënë se ideja e bashkimit kombëtar ka qenë e viteve të ’80-ta, por se ka ndryshuar në periudhën e mëpasshme.
Edhe një deklaratë e fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, hedh poshtë pretendimin për “ringjalljen e idesë së Shqipërisë së Madhe”.
Duke marrë për bazë ndërlidhjen pa fakte me ngjarjet dhe deklaratat e vetë të apostrofuarve në artikull, por edhe narrativin e vazhdueshëm në mediat në gjuhën serbe për idenë e “Shqipërisë së Madhe”, ky artikull nga hibrid.info vlerësohet si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



