[email protected]
“Ditët e vështira” të Vuçiqit dhe mesazhet e tij kriptike
shape
shape
shape

Qytetarët në Serbi u ballafaquan sërish me një mesazh kriptik i presidentit të tyre, Aleksandër Vuçiq, bërë në orët e vona të datës 26 mars, 2024.

Në llogarinë e tij zyrtare në platformën Instagram, ai paralajmëroi “ditë të vështira për Serbinë”.

“Serbinë e presin ditë të vështira. Në këtë moment nuk është e lehtë të them se çfarë lajme kemi pranuar në 48 orët e fundit…Ato kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare”, shkroi Vuçiqi në llogarinë “buducnostsrbijeav” në Instagram, teksa shtoi se ditët në vijim do ta njoftojë publikun “për sfidat që e presin Serbinë”.

Mesazhi i presidentit të Serbisë në Instagram


“Do të jetë e vështirë, më e vështira deri tash. Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”.

E më 29 mars, i pari i shtetit serb doli para opinionit, siç bën shpesh, për të rrëfyer mbi sfidat e tij, sidomos në raport me Kosovën. Si sfida, ai i kishte identifikuar dy çështje: dinarin dhe vendimmarrjen në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës.

Vuçiqi tha se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” ndonjë banke private, bankën serbe, “Kursimorja e Postës”, në mënyrë që çështja e dinarit të mund të marrë epilog pozitiv për popullatën serbe në Kosovë.

Megjithatë, ai insistoi se “nuk do ta pranojë” heqjen e dinarit nga përdorimi në Kosovë.

Më 27 mars, një ditë pas mesazhit të mistershëm të Vuçiqit, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës e miratoi një raport të raportueses për Kosovën për pranim në KiE, Dora Bakoyannis, raport i cili rekomandonte pranimin e Prishtinës zyrtare në këtë organizatë.

Në lidhje me këtë çështje, Vuçiq paralajmëroi se Serbia do të marrë “vendim serioz” për KiE-në, nëse kjo organizatë evropiane e pranon Kosovën si anëtare.

“Ne do të vazhdojmë të flasim për Kosovën, do të marrim edhe vendime për Këshillin e Evropës”, tha ai.

“Mendoj se reagimi i Serbisë duhet të jetë i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiqi, pa shpjeguar se cili do të jetë vendimi i vendit të tij nëse Kosova bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës muajt e ardhshëm.

“Vuajtjet” e pafundme të Vuçiqit

Rreth një javë pas adresimit të tij për opinionin në Serbi, më 4 prill, në një seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë, ai kërkoi formimin e ekipeve dhe bashkimin e të gjitha institucioneve shtetërore për të “luftuar” me Kosovën drejt anëtarësimit në KiE.

Përveç formimit të një ekipi që do të merret me këtë çështje, Vuçiqi kërkoi nga qeveria që të gjithë anëtarëve të KiE-së t’u dërgohet një e ashtuquajtur non-paper, përmes të cilës do t’u bëhej me dije anëtarëve se “Kosova nuk e ka formuar Asociacionin” e komunave me shumicë serbe, për çka është pajtuar në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. 

Ndërkaq, “ditët e vështira” për kreun e shtetit serb kanë nisur shumë kohë më parë. Sipas medias së pavarur serbe, “Nova”, ndër herët e para që Vuçiqi i ka përmendur këto “ditë të vështira” në raport me Kosovën ka qenë tetori i vitit 2016, atë kohë nga pozita e kryeministrit. Ai i pati informuar qytetarët për “ditë të vështira” për shkak të dialogut Kosovë-Serbi. Vuçiqi thoshte se “para nesh ka ditë të vështira kur flasim për Kosovën dhe se duhet të sqarohemi për gjëra të rëndësishme të cilat mund të kenë pasoja serioze për Serbinë”.

Në vitin 2017, ai u zgjodh president, por “ditët e vështira” s’iu ndanë. Në vitin 2018, pas një raundi të ri bisedimesh në Bruksel me Kosovën, Vuçiqi deklaroi se “para nesh janë ditë të vështira”.

“Qytetarëve të Serbisë dua t’iu them se ditë të vështira në kuptimin politik e presin vendin tonë”, pati thënë ai.

Ndërsa, “ditë të vështira” ka pasur për të edhe më 2020, 2021 dhe më 2022. Në vlugun e pandemisë, kur në Serbi po mbretëronte gjendja e jashtëzakonshme, Vuçiqi u ishte drejtuar qytetarëve me tashmë frazën e famshme për “ditë të vështira”, kësaj radhe në raport me pandeminë COVID-19.

Po atë vit, në korrik, teksa vendet nisën të dilnin nga karantina, Vuçiqi pati paralajmëruar se “na presin bisedime të vështira” me Kosovën.

Njëjtë edhe më 2021. “Kemi kaluar shumë ditë të vështira, jemi sërish gati”, thoshte Vuçiqi në lidhje me Kosovën.

Sikur të mos i mjaftonin “ditët e vështira” në raport me Kosovën, pas vitit 2022 atij iu shtuan edhe vështirësi tjera. Kësaj radhe në raport me Rusinë, rrjedhimisht për vendosjen e sanksioneve kundër saj pas pushtimit të plotë të Ukrainës.

Serbia ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa Vuçiqi edhe këtu ka paralajmëruar “ditë të vështira përpara” e “presione të mëdha dhe të rënda”.

Me të njëjtën frazë, Vuçiqi përshëndeti një seancë të posaçme të Kuvendit të Serbisë në shkurt të vitit 2023, kur foli për situatën në raport me Kosovën.

Presidentit të Serbisë, së fundmi “vështirësi” i dolën edhe me Bosnjën. Në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë serbe më 4 prill, ai “njoftoi” se “po përgatitet” miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se parandalimi i miratimit të kësaj rezolute është sfida e dytë e tij, pas asaj kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Përveç pretendimeve të Vuçiqit, tash për tash nuk ka asnjë informacion zyrtar për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, të cilën do ta nxirrte OKB-ja.

Sa janë serioze “ditët e vështira” të Vuçiqit?

Megjithatë, opinioni në Serbi më nuk po i merr seriozisht “vuajtjet” e presidentit të tyre. Revista e njohur amerikane “Newsweek”, ka biseduar me Nikolla Mikoviq, një analist politik me bazë në Beograd, i cili ka thënë se Vuçiqi ka folur edhe më parë për “vendimet e vështira” që Serbia duhet të marrë dhe presionin e pretenduar perëndimor mbi udhëheqjen serbe.

“Por në përgjithësi, ‘ditë të vështira për Serbinë’ është retorika e tij e njohur”, tha Mikoviq për Newsweek. “Ai e përdori atë aq shumë herë në të kaluarën, saqë shumë pak njerëz ende i kushtojnë vëmendje një narrative të tillë”.

“Nuk ka asnjë kërcënim ushtarak. Askush nuk do ta pushtojë Serbinë dhe nuk pres që Serbia të nisë një luftë kundër Kosovës të mbështetur nga ShBA, pasi ky do të ishte një mision vetëvrasës. Gjithashtu, në këtë pikë, unë nuk shoh një potencial për një destabilizim në shkallë të gjerë të rajonit që është thellë në orbitën gjeopolitike perëndimore”, u shpreh analisti Mikoviq.

Artikull analitik nga Agon Osmani


Ky publikim është financuar/bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Action for Democractic Society dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. 

Ky publikim është mbështetur nga CFI – Développment Médias. E gjithë autonomia nga CFI u ruajt në krijimin e kësaj përmbajtjeje.

Share With Others