info@hibrid.info
Elmi Reçica dhe Berat Buzhala nuk u takuan para seancës së Kuvendit, fotografia është e vjetër
shape
shape
shape

vShkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh ku shihen Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe një person tjetër nga mbrapa, për të cilin pretendohet se është Berat Buzhala, drejtues i mediumit, “Nacionale.com”.

Imazhi është publikuar sot (3 maj) në Facebook nga llogaria me emrin “Fleta Press”, me pretendimin se këta dy janë takuar fshehurazi para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Çka vërtetoi hibrid.info?

Hulumtimi ka gjetur se kjo fotografi është publikuar më herët dhe nuk ka lidhje me kontekstin aktual të ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës.


Hibrid.info ka verifikuar me anë të programit të automatizuar të kërkimit, InVID dhe ka gjetur të njëjtën fotografi të publikuar, jo më herët se 14 tetori i vitit 2024, kur ishte publikuar nga Salih Zyba, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) (shih këtu).

Edhe publikimi i Zybës nënkuptonte se bëhej fjalë për Elmi Reçicën në një takim me Berat Buzhalën.

Gjë të cilën e konfirmonte edhe një artikull i hasur nga hibrid.info, me titull, “Salih Zyba kap ‘mat’ Buzhalën me deputetin e PDK-së: Media të lira e të pavarura” i publikuar (14 tetor, 2024) në mediumin “botasot.info” (shih këtu).

Hibrid.info gjithashtu ka gjetur një status të Buzhalës në llogarinë e tij në Facebook, të publikuar tre ditë pas postimit të Zybës (17 tetor, 2024), ku ai kritikonte veprimin e deputetit të LVV-së, duke e konfirmuar se ishte vetë ai, që dukej në imazh (shih këtu).


Situata aktuale në Kuvendin e Kosovës

Pretendimi u publikua sot kur deputetët u mblodhën për të dhjetën herë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Deputetët për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00 (shih këtu).


Analiza

Pretendimi se Elmi Reçica dhe Berat Buzhala janë takuar fshehurazi para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës është i pasaktë.

Fotografia që është përdorur për ta mbështetur këtë pretendim është publikuar më herët (14 tetor, 2024) dhe nuk lidhet me ngjarjet aktuale në Kuvend.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others