Shkroi: Etrit Rexhepi
Shpesh, gjatë shfletimit në Facebook, hasim fotografi që tregojnë fëmijë ose të moshuar, të shoqëruara me mbishkrime si: “Sot mbusha kaq vjet, të lutem më uro ditëlindjen”. Apo edhe postime të tjera ku shfaqen prindërit së bashku me foshnjën e tyre të porsalindur, për të cilën pretendohet se ka ardhur në jetë pas një pritjeje të gjatë.
Edhe pse nuk i ndjekim faqet që i publikojnë, postime të tilla na dalin shpesh dhe zakonisht janë të shoqëruara me numër të madh komentesh dhe pëlqimesh, ku në disa raste nuk mungon as komenti apo reagimi i ndonjë të afërmi që e kemi në listën e miqve në Facebook.
Këto imazhe janë krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Hibrid.info kishte publikuar një artikull që shpjegonte se si fotografitë e gjeneruara me këtë teknologji përdoren për të marrë mijëra pëlqime në Facebook (shih këtu). Por përse këtyre faqeve që publikojnë këto përmbajtje u duhen kaq shumë ndërveprimi i audiencës?
Një artikull në revistën për dezinformimin, i publikuar nga Harvard Kennedy School (HKS) tregon se operatorët e këtyre faqeve, mund të kenë qëllime të ndryshme, si fitimi financiar nga reklamat apo rritja artificiale e audiencës (shih këtu). Megjithatë, në disa prej faqeve në gjuhën shqipe ku janë vërejtur postime të tilla, nuk janë gjetur lidhje të jashtme që do të sugjeronin për përmbajtje të sponsorizuar apo reklamuese.
Studimi i HKS zbulon se faqe të ndryshme publikojnë imazhe të krijuara nga inteligjenca artificiale (AI) pa i identifikuar si të tilla. Kjo dukuri është hasur edhe te përmbajtjet e publikuara të këtij lloji në gjuhën shqipe.
Tutje, artikulli i HKS thekson se këto faqe përdorin fraza të përsëritura dhe të kopjuara në mbishkrime. Hibrid.info ka marrë mbishkrimin e një postimi “Të martuar për 14 vjet, dhe ky është fëmija ynë i parë”, e publikuar nga një faqe me emrin “Express Aktiv”, ku ka një numër më të madh të postimeve të tilla. Pas kërkimit manual në Facebook, mund të shihet se kjo fotografi me këtë mbishkrim është publikuar nga disa faqe (shih këtu). Kjo dëshmon se këto postime edhe në hapësirën digjitale shqipfolëse janë bërë pjesë e një praktike të përsëritur.
Sa i përket audiencës, studimi tregon se shumë prej këtyre faqeve kanë përjetuar rritje masive të ndjekësve në një periudhë të shkurtër. Për të arritur në një përfundim të tillë, do të nevojitej një monitorim më i gjatë në kohë. Prandaj, hibrid.info nuk ka mundur të vërtetojë nëse audienca e faqeve të monitoruara ka shënuar rritje të ndjekësve brenda një periudhe të shkurtër si rezultat i postimeve të këtij lloji.
Algoritmi i rekomandimeve të Facebook shpesh promovon këto imazhe AI, edhe për përdorues që nuk ndjekin këto faqe, duke çuar në një përhapje të gjerë të tyre në Feed-in e përdoruesve, diçka që mund të vërehet lehtësisht përmes një shfletimi të thjeshtë në platformë.
Për të kuptuar nëse përdoruesit e dallojnë natyrën artificiale të këtyre imazheve, hibrid.info ka marrë një postim si shembull. Imazhi ka mbishkrimin “Jam 45 vjeç dhe në orën 3 të mëngjesit sot, më në fund u bëra baba… Unë dhe gruaja ime jemi jetimë dhe askush nuk na ka uruar. Qofshin të bekuar të gjithë ata që na bekon!” dhe është publikuar nga një faqe me emrin “NKosovë”. Postimi ka mbi 3 mijë e 500 pëlqime dhe 1 mijë e 600 komente. Nga komentet në postimin shembull, mund të vlerësohet se një pjesë e madhe e audiencës nuk arrin të verifikojë nëse kjo përmbajtje është e vërtetë dhe madje e pranon atë si të tillë.

Pse ndodh kjo?
Administruesit e faqeve përdorin “Engagement bait”, një taktikë për të nxitur njerëzit të ndërveprojnë me postimet në Facebook përmes pëlqimeve, ndarjeve, komenteve dhe veprimeve të tjera, me qëllim të rritjes artificiale të angazhimit dhe për të arritur një shtrirje më të madhe (shih këtu).
Arritjen e këtij qëllimi e bën më të lehtë edhe fakti se vetëm një pjesë e vogël e këtyre imazheve është etiketuar zyrtarisht nga Facebook si “informacion i rremë”. Siç thotë HSK, kjo gjë tregon vështirësitë në verifikimin masiv të përmbajtjeve të gjeneruara nga AI, veçanërisht kur ato nuk shënohen si të tilla.
Hibrid.info ka analizuar dhe vlerësuar në mënyrë të përsëritur përmbajtje të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, në varësi të rëndësisë dhe përkatshmërisë së tyre (shih këtu, këtu dhe këtu) si dhe ka informuar audiencën rreth platformave që mund të ndihmojnë në identifikimin e përmbajtjeve të krijuara nga Inteligjenca Artificiale (shih këtu), të cilat mund të ju hyjnë në punë në raste të tilla.
Në përfundim, studimi i HKS-së thekson se është e vështirë të përcaktohen motivet e operatorëve të këtyre faqeve. Një sfidë e ngjashme është hasur edhe gjatë monitorimit nga hibrid.info. Përveç identifikimit të vendndodhjes së administratorëve të këtyre faqeve, që nuk mjafton për të vërtetuar ndërlidhjen mes tyre, mungesa e informatave të tjera e bën të vështirë të kuptohet qëllimi i vërtetë pas këtyre përmbajtjeve.
Pavarësisht se cilat mund të jenë qëllimet e vërteta pas këtyre postimeve, hibrid.info u bën thirrje lexuesve që të mos bien pre e përmbajtjeve të këtij lloji. Është e rëndësishme që përdoruesit të tregojnë kujdes ndaj materialeve që nxisin emocione të forta dhe kërkojnë ndërveprim, pasi ato mund të jenë pjesë e strategjive që synojnë të rrisin në mënyrë artificiale dukshmërinë dhe ndërveprimin, duke e shtrembëruar mënyrën se si përdoruesit i perceptojnë dhe ndërveprojnë me përmbajtjen në rrjetet sociale.