Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Manipulim me deklaratat e politikanëve, sondazhe të ripublikuara si aktuale, keqinformata për reduktime të rrymës dhe paralajmërim për acar

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Në periudhën 15–21 dhjetor 2025, mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u përballën me një prani të theksuar të keqinformimit, ku lajmet e rreme dhe shtrembërimi i fakteve zunë vend qendror në diskursin publik.

Lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në rrjetin social Facebook, përmes faqeve si “Kosova Report”, “Prishtina ime”, “Gazeta 17 Shkurti” dhe “Kosova e Re”, dhe kanë trajtuar tema politike dhe sociale me ndjeshmëri të lartë. Njëra prej tyre lidhej me zgjedhjet parlamentare, përkatësisht me një pretendim të pavërtetë se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte publikuar një sondazh ku renditej e para, ndërsa tjetra kishte të bënte me sektorin e energjisë, duke përhapur informacion të rremë për fillimin e reduktimeve të rrymës “3 me 3”, pa u mbështetur në burime apo njoftime zyrtare.

Manipulimi i fakteve është evidentuar kryesisht në platformën TikTok, ku janë publikuar video dhe fotografi që paraqesin rezultate të matjeve të opinionit publik si të ishin sondazhe aktuale për mbështetjen e subjekteve politike, ndonëse bëhet fjalë për të dhëna të vjetra të riqarkulluara gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Përmbajtje të tilla janë shpërndarë nga llogaritë “cari1.fat” dhe “kinggggg_speed”. Po ashtu, në TikTok është publikuar edhe një video e manipuluar nga llogaria “destiny”, ku përmes shkëputjes së një deklarate të ish-presidentit Hashim Thaçi është krijuar përshtypja e rreme se ai ka thënë se nuk i është bashkëngjitur UÇK-së, duke deformuar kuptimin e deklaratës së tij origjinale.

Dezinformatat dhe teoritë konspirative janë shpërndarë kryesisht përmes kanaleve në gjuhën serbe në platformën Telegram, si “КОРИДОР ✞︎” dhe “БУНКЕР”. Këto përmbajtje kanë riaktualizuar narrativa të vjetra dhe të pambështetura me fakte, si pretendimi se vrasja e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998 ishte kryer nga “terroristë shqiptarë”, ndonëse ky version është hedhur poshtë edhe nga zyrtarë të lartë serbë pas luftës. Po ashtu, në të njëjtin kanal është promovuar një teori konspirative lidhur me dëmtimin e varrezave ortodokse në Plemetin, ku pa asnjë provë fajësimi u është atribuar shqiptarëve, pavarësisht se autoritetet nuk kanë bërë të ditur përkatësinë etnike të të arrestuarve.

Ndërkohë, janë evidentuar edhe deklarata gjysmë të vërteta dhe përmbajtje clickbait në media dhe diskursin publik në Kosovë. Një deklaratë e zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi mbi heqjen e masave të Bashkimit Evropian u interpretua pasaktë nga Arlind Manxhuka dhe Hekuran Murati, pasi bëhej fjalë vetëm për heqjen e një pjese të masave dhe jo të tërave. Në të njëjtën kohë, disa media përdorën tituj çorientues për parashikime ekstreme të motit, duke paralajmëruar temperatura deri në –20 gradë, pa sqaruar burimin jozyrtar të informacionit dhe duke anashkaluar faktin se parashikimet dhe paralajmërimet zyrtare në Kosovë publikohen ekskluzivisht nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Lajm i rremë

Në median sociale Facebook, faqet si “Kosova Report”, “Prishtina ime” dhe “Gazeta 17 Shkurti” kanë publikuar të shtunën (13 dhjetor) postimin me pretendimin se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar një sondazh. Në mbishkrimin e këtij postimi shkruan “LDK rënditet e para në këto zgjedhje sipas një sondazhi të cilin thuhet se e kan bërë vet ata!”. Ndërsa në mbishkrim të fotografisë, janë vënë shifra si, “LDK: 54.3%, PDK: 23.2% dhe LVV:17.2%”, me pretendimin “LDK publikon sondazhet online”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se LDK nuk ka publikuar asnjë matje të opinionit publik për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 28 dhjetor. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në Facebook, një faqe ka pretenduar se nga 19 dhjetori në Kosovë do të fillojnë reduktimet e rrymës “3 me 3”. Postimi u bë nga faqja “Kosova e Re” më 18 dhjetor. Përshkrimi me këtë pretendim iu vendos një imazhi në të cilin shkruante: “KOSTT paralajmëron reduktime të rrymës në disa komuna të mëdha, shkak rritja e konsumit të energjisë”. Një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në ndonjë medium apo burim kredibil të informacionit. KOSTT, si autoritet përgjegjës, ka paralajmëruar se nëse nuk kursehet rryma nga qytetarët ka mundësi reduktimesh të kontrolluara, pa specifikuar format apo datë. (këtu)

Dezinformatë

Nga kanalet në gjuhën serbe “КОРИДОР ✞︎” dhe “БУНКЕР” në Telegram pretendohet se më 14 dhjetor 1998, gjashtë të rinj serbë u vranë në një sulm në kafenenë “Panda” në Pejë nga “terroristët shqiptarë”. Këtë pretendim e patën hedhur në atë kohë udhëheqësit e shtetit serb, ndër ta Millosheviq, por që asnjëherë nuk janë ofruar dëshmi për të mbështetur një pretendim të tillë. Madje, pas luftës, tash presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në dy raste të caktuara ka mohuar që kryesit e këtij sulmi të kenë qenë shqiptarët. (këtu

Deklaratë gjysmë e vërtetë

Të martën (16 dhjetor), Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, tha se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, letër në të cilën, sipas Bislimit, Kosovës i janë hequr shumica e masave të BE-së. Në letrën e publikuar nga Bislimi, Koopman thotë se specifikisht: “… Komisioni do të heqë disa nga masat e BE-së…”. Por Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Hekuran Murati subjekt politik i cili qeveris me vendin, ka thënë se Kosova aktualisht është pa masa të BE-së, duke mos e qartësuar se bëhet fjalë për heqjen e një pjese të masave. (këtu)

Teori konspirative

Kanali serb në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER) pretendoi se shqiptarët kanë rrëzuar dhe shkatërruar dy gurë varresh në varrezat e reja ortodokse në Plemetin, afër Obiliqit. Megjithatë, në këtë pretendim nuk ofrohet asnjë fakt apo dëshmi që vërteton se autorët ishin shqiptarë. Policia e Kosovës njoftoi më 16 dhjetor se janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për dëmtim të varrezave apo kufomave, por në njoftimin zyrtar nuk është përmendur përkatësia etnike e të dyshuarve. (këtu)

Clickbait/Përmbajtje e paverifikuar

Pretendimi në titujt e disa mediave ku paralajmërohet për borë e acar për fundvit dhe temperatura deri në -20 gradë në Kosovë është çorientues. Aty mungon sqarimi se ky paralajmërim ka ardhur nga Sherif Gosalci pjesë e AshNA. Gjithashtu, parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike në Kosovë, është ekskluzivitet i IHMK. (këtu)

Manipulim i fakteve

Publikohen një video dhe fotografi, ku shfaqen rezultate të matjeve të opinonit publik për të cilat pretendohet se janë sondazhe që tregojnë mbështetjen për subjektet politike në vendin tonë. Të dyja përmbajtjet e trajtuara janë publikuar në TikTok. Fotografia është publikuar nga llogaria me emrin “cari1.fat”, ndërsa videoja është publikuar nga llogaria me emrin “kinggggg_speed”. Në të dy përmbajtje shfaqen rezultatet të matjeve të bëra në të kaluarën, ndërsa ato po publikohen tash në kohën kur vendi është në fushatë zgjedhore në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. (këtu)

Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok është pretenduar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk është nga ata që i janë bashkëngjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Thaçi: Nuk jam nga ata që iu kam bashkëngjitë UÇK-së…” është mbishkrimi mbi videon 5-sekondëshe në të cilën flet Thaçi. Videoja u publikua nga llogaria “destiny” më 18 dhjetor. Deri tash ka marrë më shumë se 60 mijë shikime, mbi 1000 pëlqime e mbi 40 komente. Videoja në TikTok, që pretendon se Hashim Thaçi ka thënë se nuk i është bashkëngjitur UÇK-së, është e manipuluar përmes shkëputjes së deklaratës. Bazuar në shkëputjen në TikTok dhe komentet në video, mund të lihet përshtypja sikur Thaçi ka thënë se nuk ka qenë pjesë e UÇK-së. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere