Shkroi: Etrit Rexhepi
Një faqe në Facebook pretendon se është një klub ekskluziv për çiklistë.
Faqja quhet “Zenith Vip Club” dhe ka të bashkangjitur një vegëz të uebfaqes “zenith-vip-club.xyz” (shih këtu).
Çka nuk shkon me këtë uebfaqe?
Hibrid.info ka gjetur se ndonëse kjo faqe pretendon se është “qira e biçikletave”, ajo ofron “VIP Membership” që tingëllon më shumë si skemë investimi.

Hibrid.info ka verifikuar uebfaqen “zenith-vip-club.xyz” dhe ka vërejtur se, megjithëse në krye të faqes pretendohet se ajo paraqitet një shërbim për “biçikleta me qira”, duke shfletuar më poshtë, shihet se ajo në fakt ofron një “anëtarësim VIP” që ngjan më shumë me një skemë investimi.
Faqja ofron “Premium Support“, një term i zakonshëm në platformat financiare ose teknologjike, që u ofrohet përdoruesve që paguajnë për shërbime të avancuara. Një faqe për qira biçikletash nuk ka asnjë arsye pse do të ofronte “Premium Support” si veçori të veçantë.
“35% APY” (Annual Percentage Yield), të cilën hibrid.info e ka vërejtur në faqe, nënkupton një normë vjetore fitimi prej 35%, tipike për platformat që kërkojnë të tërheqin investitorë dhe jo përdorues të biçikletave.
Fraza tjetër në uebfaqe, “100M+ Total Deposits” sugjeron se kjo platformë ka mbledhur mbi 100 milionë dollarë depozita, sikur të ishte një institucion financiar ose një platformë investimi, jo një ofrues shërbimesh transporti lokal.
Të gjitha këto tregojnë qartë se kjo faqe nuk ka aspak lidhje me dhënien me qira të biçikletave.
Në këtë faqe gjithashtu nuk ka asnjë informacion ligjor për NIPT (Numrin e Identifikimit për Personin e Tatueshëm), licencën dhe vendndodhjen, ndërsa pretendimet për “5,000+ users”, “35% APY” dhe “$100M+ deposited” janë paraqitur pa asnjë provë.
Kjo mund të nënkuptojë se kemi të bëjmë me skema mashtruese të tipit Ponzi ose mashtrime të lidhura me DeFi.
Një tjetër element që bie në sy është se pagesa për ‘Vip Membership’ kërkohet në formë kriptovalute (USDT), një mënyrë shpesh e përdorur nga mashtruesit për shkak të anonimitetit dhe pamundësisë për ta kthyer transaksionin pas.
Adresa e vetme e kontaktit është një email: support@zenith.vip, i cili nuk ka asnjë lidhje me domenin aktual zenith-vip-club.xyz. Kjo e përforcon dyshimin se kjo faqe është një kopje e një faqeje më të vjetër (Zenith.vip), që paraqitet si dyqan online me veshje dhe aksesorë, por me disa shenja dyshuese si: domen i ri, mungesë komentesh nga klientët dhe përmbajtje gjenerike (shih këtu).
Hibrid.info ka analizuar domenin “zenith-vip-club.xyz” përmes platformave të verifikimit të faqeve si “Scam-Detector” dhe “Easydmarc”, të cilat e kanë klasifikuar këtë faqe si të rrezikshme (shih këtu dhe këtu), domeni i së cilës është krijuar më 17 prill 2025.
Madje “Scam-detector” rekomandon që mos ta përdorim këtë faqe, pasi që ka shumë sinjale paralajmëruese që tregojnë se ajo mund të jetë mashtrim. Në vlerësim janë theksuar lidhje me faqe të tjera të dyshimta, përmbajtje ose sjellje potencialisht mashtruese (phishing, spam, malware) dhe informacione të fshehura për pronësinë dhe operimin e faqes.
Për të konfirmuar dyshimet rreth kësaj përmbajtjeje, hibrid.info kontrolloi edhe faqen në Facebook që e ka publikuar. Aty mungojnë informacionet dhe të dhënat e nevojshme. E vetmja gjë që dihet është se faqja ka pak postime dhe ndjekës, dhe është krijuar më 8 maj 2025 (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se një faqe në Facebook ofron biçikleta me qira nuk qëndron.
Kjo faqe ofron “VIP Membership” me përfitime financiare si “35% APY”, kërkon pagesa në kriptovaluta, përdor terma të zakonshëm në platformat e investimeve si “Premium Support”, nuk jep asnjë informacion ligjor apo kontakt të besueshëm, dhe mungon çdo element i një shërbimi real për qira biçikletash.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.



