info@hibrid.info
Manipulohet me deklaratën e Kurtit për Gjykatën Speciale
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një video-material në të cilin shihet kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke mbajtur fjalim në Kuvendin e Kosovës, me mbishkrimin që pretendon se ai kishte deklaruar se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, trafikimin e organeve”.

Kjo përmbajtje është publikuar të dielën (9 nëntor) nga një faqe me emrin “InfoPost”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për shkëputje të deklaratës dhe nxjerrje nga konteksti.


Deklarata e transkriptuar nga sekuenca në fjalë:

“… Por, krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, korrjen dhe trafikimin e organeve. Me të vërtetë për nga sasia do të thuhet që serbët kanë ba ma shumë krime, Serbia. Ama krimet ma monstruoze i kanë ba shqiptarët. Teksa qeveritarët na thonë që e kemi të sigurt ardhmërinë në Bashkimin Evropian (BE), ne e kemi gjithnjë e më të pasigurt të kaluarën tonë dhe lufta në Kosovë tashmë shumë më tepër po kujtohet për bombat e NATO-s sesa për vuajtjet e shqiptarëve”.

Në bazë të asaj që dëgjohet nga videoja, kuptohet se kemi të bëjmë me një mendim personal të Kurtit, për “krimet që kanë kryer shqiptarët”.


Pasi që ky video-material zgjat 32 sekonda, hibrid.info ka hulumtuar për të gjetur videon e plotë të këtij fjalimi, prej nga është nxjerrë kjo sekuencë.

Hibrid.info hasi videon e plotë të fjalimit, prej nga është shkëputur nga përmbajtja. Videoja është publikuar në Youtube në kanalin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ka titullin “Fjalimi i Albin Kurtit për Gjykatën Speciale | 23 prill 2014” (shih këtu).


Pas verifikimit të përmbajtjes u gjet se, në fjalimin e Kurtit, para pjesës që është paraqitur si pohim i tij, ekziston një hyrje ku ai thotë: “Pas kësaj gjykate të veçantë do të thuhet që, po, serbët kanë bërë më shumë krime”. Kjo pjesë e vendos deklaratën në kontekst dhe tregon se Kurti po përshkruan një perceptim të mundshëm që mund të sjellë formimi i Gjykatës Speciale dhe jo mendim të tijin se shqiptarët kanë kryer krime (shih këtu). Pra në këtë fjalim ai kundërshtonte formimin e Gjykatës Speciale.

Deklarata e plotë e Kurtit nga fjalimi:

“Pas kësaj gjykate të veçantë do të thuhet që, po, serbët kanë bërë më shumë krime, por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, korrjen dhe trafikimin e organeve. Me të vërtetë për nga sasia do të thuhet që serbët kanë ba ma shumë krime, Serbia, ama krimet ma monstruoze i kanë ba shqiptarët…”

Videoja e shkëputur me të njëjtin pretendim është shpërndarë edhe më herët. Hibrid.info gjeti një postim në Facebook të Arlind Manxhukës, zëdhënësit të LVV-së, të publikuar më 4 prill 2023. Manxhuka me anë të këtij postimi kishte reaguar ndaj publikimit dhe e kishte sqaruar kontekstin e deklaratës, duke e paraqitur atë të plotë (shih këtu).


Deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info, ky postim ka marrë 100 komente, nga përmbajtja e të cilëve mund të vlerësohet se audienca mund ta përceptojë pretendimin si të saktë.

E postimi u bë më 9 nëntor, në ditën kur në Kosovë u organizua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 18 komuna. Në 12 prej tyre garoi Lëvizja Vetëvendosje, kryetar i së cilës është Kurti (shih këtu).

A.naliza:

Pretendimi që Albin Kurti ka deklaruar se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, trafikimin e organeve” është i pasaktë.

Videoja është e shkëputur dhe nxjerr vetëm një pjesë të fjalimit të Kurtit, duke e paraqitur si pohim faktik. Në ndërkohë, nga konteksti kuptohet se në të vërtetë ai po shpjegonte perceptimet që mund të lindin pas formimit të Gjykatës Speciale dhe jo mendimin e tij se “shqiptarët kanë kryer krime më monstruoze”.

Gjithashtu, një postimi i zëdhënësit të LVV-së sqaronte se deklarata e Kurtit ishte nxjerrë jashtë kontekstit.

Andaj, bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e kategorizon këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others