Pas verifikimit të fakteve, del se Kanin nuk ka dhënë deklaratë të tillë. Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar për një deklaratë për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhënë nga David Kanin, njohës amerikan i çështjeve të Ballkanit dhe ish-analist i lartë i CIA-s për rajonin dhe Evropën.
“Albin Kurti po e shkatërron palcën e kombit. Për pushtetin e tij po e sakrifikon popullin e tij. Po e kërcënon popullin e Kosovës me mërgatën. Po e përdor mërgatën si armë. Kështu trajtohen kafshët e jo njerëzit”, është shkrimi nën fotografinë e Kaninit, bazuar në publikimin e llogarisë “blerim.gashi61” në TikTok të hënën (24 nëntor).
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve, del se Kanin nuk ka dhënë deklaratë të tillë.

Hibrid.info përmes motorit online të kërkimit “google.com” ka kërkuar bazuar në citatin e plotë të transkriptuar prej postimit në TikTok, por edhe me fjali të ndara. Në asnjërin rast nuk është gjetur ndonjë burim kredibil që përmban deklaratë të tillë të thënë prej Kaninit.
Kërkimi me emrat “David Kanin Albin Kurti” çon në disa artikuj, por që asnjëri nuk ndërlidhet me pretendimin që po trajtohet. I pari prej artikujve në listë del ai i “Radios Evropa e Lirë” me titull “Kanin: Grindjet me amerikanë nuk e ndihmuan Kurtin” të datës 11 shkurt 2025. Citati i pretenduar në TikTok nuk gjendet në këtë artikull.
Fotografia e përdorur në pretendimin në TikTok është nën autorësinë e “Zërit të Amerikës”. Për shkak të kësaj, hibrid.info verifikoi edhe artikujt e këtij mediumi e në të cilin përmendej Kanini. Bazuar në këtë imazh të Kaninit, u has artikulli me titull “David Kanin: Çështja kryesore është sovraniteti i Kosovës, jo shkëmbimi i territoreve”, me datë 16 gusht 2018. Por as aty nuk u gjet përmbajtja që mund të lidhet me pretendimin në TikTok.
Analiza:
Në TikTok është publikuar një deklaratë që ia atribuohej rrejshëm David Kaninit, duke pretenduar se ai kishte kritikuar ashpër Albin Kurtin.
Pas verifikimit, del se Kanin nuk ka dhënë kurrë një deklaratë të tillë. Kërkimet online me citatin e plotë, me pjesë të tij dhe me emrat “David Kanin Albin Kurti” nuk gjetën asnjë burim kredibil që e mbështet pretendimin.
Artikujt relevantë të Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës nuk përmbajnë asgjë që lidhet me citatin e shpërndarë në TikTok.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.