Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen artikuj ku pretendohet se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka manipuluar një fotografi nga operacioni i kërkimit të trupit të një 33-vjeçari në liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin Potokut, duke e hequr automjetet e KFOR-it nga imazhi, për ta paraqitur operacionin si të kryer ekskluzivisht nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Duke iu referuar publikimeve të gazetarëve Lirim Mehmetaj dhe Vehbi Kajtazi në llogaritë e tyre në Facebook, përmbajtjet me këto pretendime janë publikuar të martën (29 korrik) nga disa media si: “demokracia.com”, “ballkani.info”, “veriu.info”, “paparaci.com” dhe “radiovala.net”.
Por, cila është e vërteta?
Hibrid.info nuk ka gjetur se ka prova që dëshmojnë manipulime apo ndërhyrje në fotografinë, për të cilën kanë raportuar mediat e lartpërmendura.

Ejup Maqedonci, ministri në detyrë i Mbrojtjes ka publikuar të martën (29 korrik), në llogarinë e tij në Facebook, një status ku njoftonte për angazhimin e njësiteve të specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të FSK-së, në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut (shih këtu).
Maqedonci, këtij statusi i ka bashkangjitur fotografi me pamje nga angazhimi i pjesëtarëve të FSK-së, në këtë operacion.
Njëra nga këto fotografi, ku shihen dy automjete të FSK-së, përskaj rrugës, është publikuar nga LVV, nëpërmjet së cilës është pretenduar se FSK ka zbarkuar për herë të parë si ushtri, në veri të vendit (shih këtu).
Megjithatë, nga gazetarët Mehmetaj dhe Kajtazi, është publikuar edhe një fotografi tjetër e hapësirës së njëjtë, ku pranë automjeteve të FSK-së shfaqen edhe dy automjete të KFOR-it, misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë. Ata kanë pretenduar se në fotografinë të cilën e ka publikuar Maqedonci e më pas LVV, është ndërhyrë, duke u hequr automjetet e KFOR-it, për të paraqitur një realitet tjetër, çfarë synonte ky subjekt politik.
Këto pretendime të të dy gazetarëve janë publikuar si lajme nga disa media.
Në fotografinë e publikuar nga ministri në detyrë Maqedonci dhe LVV (le ti themi “Foto 1”), shihen dy automjete të FSK-së. Njëri automjet ka rimorkio të bashkangjitur dhe tjetri është një automjet ngarkimi. Në pamje dallohen dy persona të pozicionuar me distancë nga njëri-tjetri (njëri nga ta duket sikur bart uniformën e policisë), si dhe duken duart e një personi të tretë, i cili duket se po mban një kamerë.
Në fotografinë e publikuar nga Mehmetaj dhe Kajtazi (le ti themi “Foto 2”), shfaqen dy automjete të KFOR-it të shenjëzuara me të kuqe. Njëri prej tyre është me ngjyrë të bardhë, është i pozicionuar në të njëjtën anë dhe drejtim me dy automjetet e FSK-së, ndërsa tjetri ndodhet në të njëjtin drejtim, por në anën e kundërt të rrugës. Në fotografi vërehet gjithashtu një person i përkulur lehtë në skajin e imazhit, si dhe një tjetër që nuk duket plotësisht, pasi është i pozicionuar pas automjetit të KFOR-it.
Dallimet e vërejtura nga Hibrid.info
Në “Foton 1”, personi i veshur me të bardha nuk qëndron plotësisht drejt, ndërsa në “Foton 2”, bazuar në pjesën e dukshme të trupit të tij prapa automjetit të KFOR-it, ai duket se qëndron në pozicion vertikal.
Një tjetër dallim vërehet te personi i shfaqur në skajin e fotografive. Në “Foton 1”, janë të dukshme vetëm duart e tij, të cilat mbajnë një aparat fotografik, ndërsa në “Foton 2”, kemi pamje të plotë të tij, ku ai i shfaqet i përkulur, me kamerë në duar. Megjithatë, në këtë pamje, ndryshe nga “Foto 1”, duart e këtij personi, nuk janë të dukshme.
Dallime vërehen edhe në pjerrtësinë e vijës së bardhë shenjëzuese për skaj rrugës, ku shihet se në “Foton 2” ka pjerrtësi më të theksuar nga ana e majtë, se në “Foton 1”.
Në një video të publikuar nga Valon Kerrolli, ekspert në rrjetet sociale, ku shpjegohet se si do të dukej një ndërhyrje e mundshme në këtë fotografi, pas heqjes së automjetit të KFOR-it, shihet se pamja e faqes shkëmbore të prerë ndryshon. Në “Foton 1”, vërehet se kjo pamje e faqes shkëmbore e prerë e ka ruajtur pamjen natyrale të saj, me të gjithë elementet përreth saj (një kanaqe portokalli, një shenjues i bardhë, barnishtet, etj).
Foto 1

Foto 2

Krahasimi i pamjeve të faqes shkëmbore të prerë në videon nga Valon Kerolli dhe në “Foton 1”

Një tjetër fakt që hedh poshtë pretendimin për manipulim të fotografisë është edhe ai se këto dy fotografi janë publikuar të martën (29 korrik) në faqen në Facebook të mediumit online, “kallxo.com”, në njoftimin e këtij mediumi për arritjen e FSK-së në Liqenin e Ujmani (shih këtu).
Hibrid.info gjithashtu ka përdorur mjetin online “Photo Forensics”, për analizën digjiitale të kësaj fotografie.
Pas verifikimit të “Analizës së Nivelit të Gabimit” (Error Level Analysis – ELA) përmes këtij mjeti, në fotografi, nuk janë paraqitur shenja të dukshme manipulimi.

Ndërsa pas analizës së metadata-s së fotografisë, është gjetur se kjo fotografi ka shumë të ngjarë të jetë shkarkuar nga një rrjet social (Facebook) ose ndonjë platformë tjetër, pasi i mungon EXIF-i origjinal.
Edhe pse nuk ka tregues të qartë të manipulimit, mungesa e të dhënave origjinale e bën të vështirë konfirmimin e ndërhyrjeve në fotografi.
Vlerësim i ngjashëm për fotografinë ka ardhur edhe pas verifikimit me anë të modelit të avancuar gjuhësor, që përdor inteligjencën artificiale “Chat GPT”.

Vërtetësinë e fotografisë që pretendohet se është manipuluar hibrid.info e ka kontrolluar edhe përmes platformës “HiveModeration”, e dedikuar për vlerësim të përmbajtjeve të krijuara nga Inteligjenca Artificiale (IA).
Rezultatet e kësaj platforme nuk tregojnë asnjë mundësi që fotografi të jetë e krijuar nga IA.

Analiza:
Fotografia nga operacioni në liqenin e Ujmanit, për të cilën pretendohet se është manipuluar nga LVV duke i hequr automjetet e KFOR-it për ta paraqitur aksionin si të kryer ekskluzivisht nga FSK-ja, nuk rezulton të jetë e manipuluar.
Hibrid.info, pas analizave vizuale dhe digjitale (përmes Photo Forensics, analizës ELA, metadata-ve, Chat GPT dhe platformës HiveModeration), nuk ka gjetur prova që dëshmojnë ndonjë ndërhyrje apo manipulim në fotografi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje të paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.



