[email protected]
Gazetaria cilësore — kyçe në luftën ndaj çrregullimit informativ
shape
shape
shape

Nga Gentianë Paçarizi

Çrregullimi informativ që ndoqi pandeminë Covid-19 dhe ngjarjet që pasuan me luftën e Rusisë në Ukrainë tregoi qartë se në kohë krizash gazetaria cilësore dhe besimi në të janë jetike. Jo veç për informatat e sakta, por edhe për procesin e bërjes gazetari cilësore.

Kur flasim për edukimin medial dhe përpjekjet për të në Kosovë, kryesisht fokusohemi te hapat që duhet t’i ndërmarrin institucionet shtetërore apo shoqëria civile për t’u dhënë qytetarëve shkathtësitë e nevojshme për të lundruar në hapësirën mediale e digjitale. Kështu, shpesh, e tejkalojmë rolin e mediave dhe ndikimin që mund ta kenë ato në edukim medial.

Në Kosovë, mediet lokale që prodhojnë përmbajtje cilësore janë të pakta dhe kryesisht në gjendje të vështirë financiare. Teksa rreken ndërmjet burimeve të pakta financiare për të vazhduar së bëri gazetari të mirë dhe lexueshmërisë e shikueshmërisë më të ulët, mediet sensacionale mbushin zbrazëtirën me informata gjysmake, të pakontekstualizuara dhe të paverifikuara. Këto të fundit në të shumtën e rasteve as nuk kanë proces sistematik në vendimmarrjen e tyre për publikime.

Por, është pikërisht procesi i të bërit gazetari cilësore që ka rëndësi dhe përbën thelbin e të gjitha përpjekjeve të aktivistëve të kohëve të fundit për edukimin mbi median dhe informacionin.

Në çdo medium serioz, ekziston një proces që domosdoshmërisht duhet respektuar dhe e informon vendimmarjen e redaksisë. Në këtë proces redaktorët luajnë rol kyç. Varësisht prej specifikave të redaksisë, redaktorët verifikojnë informatat për së dyti, i vendosin në kontekst dhe sigurohen që informatat që publikohen t’i respektojnë kodet etike të gazetarisë. I gjithë ky proces vë në fokus nevojën për verifikim dhe kontekstualizim.

Avokuesit për edukim medial vazhdimisht vënë theksin te nevoja e hapjes së redaksive ndaj publikut. Ato argumentojnë se mediet cilësore duhet t’u tregojnë qytetarëve se si e bëjnë punën e tyre — se si një informatë përpunohet dhe përfundon si lajm i publikuar apo transmetuar. Transparenca e mediave ndaj qytetarëve jo vetëm se rritë besimin në to, por u ofron metoda efektive për t’i vlerësuar vetë informatat që i konsumojnë.

Gazetarët dhe redaktorët e mediave cilësore e dinë procesin e verifikimit të informatave mbase më mirë se të gjithë të tjerët dhe duke e hapur këtë proces gjatë të gjithë të tjerëve, ndajnë shkathtësitë e tyre. Të gjitha njohuritë që u ofrohen të rinjve dhe kategorive tjera të qytetarëve gjatë trajnimeve për edukim medial, si për shembull, si funksionojnë mediat dhe redaksitë, si financohen, si dallohet një lajm nga një opinion apo reklamë e si verifikohet një burim — janë njohuri dhe standarde bazike që secili/a gazetar/e e redaktor/e i/e mirë i mjeshtron.

Kjo lloj hapje e redaksisë mund të marrë forma të shumta — prej trajnimeve për qytetarë, emisioneve dhe rubrikave të dedikuara e deri te bashkëpunimet me shkolla, universitete e organizata.

Por, marrë parasysh se mediet cilësore në Kosovë hasin në vështirësi financiare qoftë edhe për ta mbuluar veprimtarinë aktuale — për shkak të tregut të vogël lokal — nuk duhet të pritet se ky angazhim i shtuar do të bëhet me vetiniciativë.

Andaj, ndonëse është e rëndësishme që në përpjekjet për edukim medial të fuqizohen organizatat e shoqërisë civile, universitetet e gazetarisë e shkollat — fokusi (dhe mbështetja financiare) duhet të drejtohet edhe tek vetë mediat si burim i dobishëm për rritjen e nivelit të edukimit mbi median dhe informacionin.

Përkrahja e medieve në këtë aspekt do të ishte situatë win-win. Mediet do të ndihmoheshin me fonde shtesë çka do t’ua mundësonte të vazhdojnë të ofrojnë përmbajtje cilësore teksa shkathtësitë e edukimit medial do të rriteshin te përdoruesit e mediave. Kjo do të çonte edhe te një aleancë e ripërtrirë në mes qytetarëve dhe mediave, çka do ta rriste besimin në to duke lënë më pak hapësirë për mediat jocilësore.

Lufta e nisur ndaj çrregullimit informativ nuk do të bëhet më e lehtë nëse nuk përfshihen të gjithë akterët në hapësirën mediale dhe digjitale. Pavarësisht përpjekjeve, kurrkush s’mund t’ia dalë vetë.

(Gentianë Paçarizi është redaktore menaxhuese në Kosovo 2.0 dhe bashkëpunëtore në Hibrid.info. Paçarizi është njohëse e peizazhit mediatik në Kosovë, veçanërisht e fushës së edukimit emdial)

Share With Others