[email protected]
Emoji: Gjuha semiologjike e rrjeteve sociale
shape
shape
shape
Photo credit: Rawpixel
EDU

Autor: Festim Rizanaj

(Autori është doktorant në Gazetari në Universitetin Anadolu)


Emojit janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme falë telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale. Kjo ka ndikuar që të ndryshojë edhe mënyra e komunikimit në rrjetet sociale saqë komunikimi pa emoji po ngjallë keqkuptime, po konsiderohet më i ftohtë në raste e komunikimit të çifteve. Së fundi janë realizuar dy filma në lidhje me këto shenja që kanë zënë vendin e gjuhës së shkruar dhe që po përdoren nga secila moshë.

Gjuha e shenjave

Nëpërmejt zhvillimit teknologjikë të internetit infomacioni ka filluar të shpërndahet me shpejtësi më të mëdha dhe kështu është eliminuar problemi i kohës dhe vendit (lokacionit). Kështu, individët kanë filluar të zënë vend në rrjetin global dhe kanë krijuar mundësinë e krijimit të strukturës së quajtur shoqëri globale. Manuel Castells thotë se, “individët lokal dhe global tashmë janë rrjetëzuar, të lidhur në mes vete jetojnë në shoqëri të rrjetit (network society).

Në ditët e sotme dalin në pah rrjetet sociale me stilin e komunikimit semiologjikë. Struktura interaktive e rrjeteve sociale e ka sjellë semiologjinë në një dimension tjetër që ka shkaktuar krijimin e një gjuhe specifike nëpërmjet shprehjeve të quajtura emoji. Semiologjia është shkencë që merret me studimin e shenjave (semiosis) dhe kuptimin e tyre. Semiologjia i pranon si gjuhë simbolet, zërat dhe sjelljet, dhe shenjat e krijaur nga këto i përdor në mënyrë të vazhdueshme në letërsi, linguistikë dhe komunikim.

Në rrjetet sociale shenjat zënë një vend të rëndësishëm. Me shpërndarjen e telefonave të mençur dhe zhvillimi i aplikacioneve mobile dolën në pah shenjat virtuale të quajtura emoji. Studiuesi i komunikimit mobil japonezi i quajtur Shigetaka Kurita ka filluar t’i zhvillojë emojit duke dashur të tregojë se gjuha nuk përbëhet vetëm nga fjalët duke e pasuruar kështu gjuhën e komunikimit. Emoji i parë është përdorur nga aparati mobil i quajtur i-mode i firmës së NTT DoCoMo në vitin 1998. Ajo që e shtyri Kurita-n të zbulojë një gjë të tillë është se shërbimit i internetit në aparatin mobil i-mode kufizonte mesazhet në 260 karaktere. Koncepti emoji, që u krijua si rezultat i bashkimit të “e” që dmth vizual dhe “moji” që dmth karakter, luan një rol të rëndësishëm në krijimin e një gjuhë specifike të rrjeteve sociale. Pra, emoji është trashëgimi e një tradite të shkrimit piktografik që shtrihet në mijëvjeçaret e kaluara, në hieroglifet egjiptase dhe ideogramet kineze dhe japoneze. Emojit ndahen në kategori të ndryshme si: klasikë, gjendja shpirtërore, moti, kafshët, pijet, ushqimet, flamujtë, festime, sport, zbavitje, shtetet, profesionet etj. Nëpërmjet emojive shprehen mendimet dhe ndjenjat dhe kështu krijohet një gjuhë globale. Po ashtu janë shtuar emojit me simbole fetare, për të krijuar kështu një gjuhë universale. Po ashtu ekzistojnë edhe emoji që përdoren në nivel vendor dhe që sjellin simbolet e atij vendi.

Nga studimet rezulton se emojit përdoren më së shumti në Evropë, konkretisht emojit: buzëqeshje dhe zemra. Në Rusi emoji romantike ndërsa në Brazil emoji të maceve. Turqia përdor më shumë emojit e zemrës dhe buzëqeshjen me lot, ndërsa në shtetet arabisht folëse emojit e orës dhe lules. Në një hulumtim të bërë në Turqi rezulton që femrat (80%) përdorin më shumë emoji se meshkujt (20%). Ndërkaq rrjeti në të cilin më shumti janë përdorur emojit është Facebook (52%), i përcjellur nga Instagram (30%), dhe në fund Twitter (3%).

Emoji dhe komunikimi

Njeriu që nga e kaluara për t’i shprehur mendimet dhe ndjenjat e veta ka përdorur forma dhe instrumente të ndryshme. Këto instrumente në kohë të ndryshme kanë pësuar ndryshime. Sot këtë detyrë e kanë marrë emojit e përdorur në rrjetet sociale. Gjuha është një mjet i gjallë dhe i vazhdueshëm që mundëson komunikimin ndërmjet individëve. Pra, edhe gjuha mund të vlerësohet si instrument i komunikimit. Gjuha mbështetet nga shenjat. Emojit që përdoren në rrjetet sociale përkufizohen si shenja virtuale. Nëpërmjet këtyre shenjave individët mund të shprehin ndjenjat dhe mendimet dhe kështu krijohet një komunikim virtual. Në pikat ku gjuha është e pamjaftueshme përdoren emojit. Emojit që kanë kuptime të ndryshme përdoren për të përforcuar kuptimin e fjalëve dhe mbështesin mesazhit që duhet përcjellë.

Edhe pse çdo ditë dalin forma të reja të emojive kjo nuk mjafton sepse ndjenjat e komunikimit sy më sy po mundohemi t’i bartim në gjuhën e shkruar nëpërmjet emojive. Në vitin 2015 fjalori i Oxford-it fjalën “Tears of joy” që quhet emoji që derdh lot të gëzimit është zgjedhur fjala e vitit.

Stuiduesi turk Ali Murat Kırık mendon se për shkak të konotacioneve të ndryshme që marrin emojit duhet të krijohet në fjalor i kuptimeve të tyre. Sipas tij, përdorimi i shpeshtë ka ndikuar në degradimin e gjuhës duke e reduktuar komunikimin vetëm në 50–60 fjalë. Për shkak se po kthehemi në një shoqëri që nuk lexon po e preferojmë përdorimin e imazheve vizule. Ai mendon se e vetmja dobi që kanë sjellë emojit është shpejtimi i komunikimit e që në fakt këto imazhe do ta verbojnë anën letrar të “brezit Z” të rritur në mes të zhvillimit teknologjikë, sepse komunikimi në masë të madhe zhvillohet nëpërmjet emojive.

Ali Murat Kırık, thekson se ashtu si në kohët kur është komunikuar nëpërmjet vizatimeve nëpër muret e shpella sot kemi filluar të komunikojmë dhe kuptohemi nëpërmjet imazheve. “Në vend se të ecim para në fushën e komunikimit ne po kthehemi prapa. P.sh në kohët e lashta kur vizatohej simboli i shkopit në muret e shpellës kjo nënkuptonte që do të shkohet për gjahë.”

Nga ana tjetër krijuesi i emojit Shigetaka Kurita nuk e pranon se përdorimi i emojit është një shenjë që njerëzit po e humbasin aftësinë për të komunikuar me fjalë, apo se u është kufizuar fjalori. Njerëzit e të gjitha moshave e kuptojnë se një emoji i vetëm mund të shpreh më shumë rreth emocioneve të tyre se sa një tekst. Përdorimi i emojit është rritur për shkak se ato plotësojnë një nevojë të përdoruesve të telefonit të mençur.

Sipas Ali Murat Kırık, gjuha virtuale e krijuar nga emojit ka bashkuar rreth një interesi të përbashkët përdoruesit që jetojnë në pole të ndryshme të botës, kështu individi është dehumanizuar. Për individin i cili është integruar në rrjetet sociale ka humbur dallimi ndërmjet reales dhe virtuales. Nëpërmjet rrjeteve sociale kemi hyrë në një proces të krijimit të një kulture dhe identeti tjetër ku emojit luajnë një rol të rëndësishëm.

Share With Others