Shkroi: Etrit Rexhepi
Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Pejës, kishte premtuar krijimin e parkingut për automjete te zona e “Shkollës Komerciale”. Këtë e kishte bërë në garën për të parin e kësaj komune në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
A u mbajt premtimi?
Hibrid.info gjeti se ky projekt nuk u realizua në katër vitit e mandatit, të cilin Muhaxheri e siguroi pasi mori shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit të vitit 2021.

Analiza:
Premtimin e Muhaxherit Hibrid.info e ka gjetur në raportin e Institutit GAP, “Letërnjoftimi i Komunave”, të më 11 shtator 2025 (shih këtu). Megjithë hulumtimin, Hibrid.info nuk ka arritur të gjejë planprogramin zgjedhor me të cilin i njëjti gishte garuar për kryetar të Pejës në vitin 2021.
Por, Hibrid.info ka gjetur një debat të zhvilluar për Komunën e Pejës në vitit 2021, të publikuar në kanalin zyrtar në Youtube të mediumit “Kallxo.com” (shih këtu). Gjatë kontrollimit të përmbajtjes në këtë video, është hasur premtimi i Muhaxherit për ndërtimin e parkingut te “Shkolla Komerciale” (shih këtu, minuta 28:47).
Deklarata e cituar e Muhaxherit:
“Parkingjet janë të parapara me plan zhvillimor kombinal. Do me thanë, do të jenë rreth 1 mijë parkingje: një është te Shkolla Komerciale dhe tjetra është tek Stacioni i Autobusëve.”
Hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar në mediumin “Kallxo.com”. Ky tekst kishte marrë për bazë emisionin “KallxoPërnime” të datës 8 dhjetor 2024, të zhvilluar në Asamblenë Komunale në Pejë, në të cilin Muhaxheri ishte përballur me premtimet e dhëna para qytetarëve (shih këtu).
Në përmbajtën e këtij artikulli përmendet premtimi i Muhaxherit për 1 mijë parkingje të cilat do të ndërtoheshin një tek “Shkolla Komerciale” dhe tjetri tek Stacioni i Autobusëve. Gjetjet e këtij mediumi kanë konstatuar se ky premtim nuk është realizuar (shih këtu),
Teksti në fjalë përmban edhe arsyetimin e Muhaxherit për mos realizimin e këtij projekti, e që thuhet se është fakti se procesi është ende në fazën e shpronësimit të pronave.
Deklarata e cituar e Muhaxherit nga emisioni “KallxoPërnime”:
“Nuk është kry, sepse jemi duke u marrë me procedura të shpronësimit, janë edhe tri prona që duhet me i shpronësu, ndërsa për momentin aty është shkolla ose fakulteti “Haxhi Zeka”, po besojmë që vitin tjetër dalin në objektin e ri te ish-kazermat dhe mandej komunës i ipet mundësia për me e ndërtu këtë parking”- u shpreh kryetari.”
Ndërsa sipas raportit “Letërnjoftimi i Komunave”, ky premtim është konsideruar si i filluar. Edhe në komentin për realizimin e këtij premtimi në këtë raport, konstatohet se projekti është në proces të shpronësimit të pronave dhe shtëpive që ndodhen në zonën rreth “Shkollës Komerciale”.
Hibrid.info ka gjetur se Muhaxheri po e premton ndërtimin e parkingut te “Shkolla Komerciale” edhe në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025 (shih këtu).
Projekti i ri i parkingut te “Komercialja”:
“Parkingun tek Komercialja do ta shndërrojmë në një hapësirë moderne shumëkatëshe, me kapacitet prej rreth 500 veturash për kat, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme për parkimin në qendër të qytetit”.

Përfundimi:
Gazmend Muhaxheri kishte premtuar ndërtimin e një parkingu te “Shkolla Komerciale” në Pejë.
Gjatë mandatit katërvjeçar të Gazmend Muhaxherit, projekti mbeti në fazën e shpronësimit të pronave përreth zonës së shkollës në fjalë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin e këtij proejkti si “premtim jo të mbajtur”.
Arsyetimi:
Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.





