info@hibrid.info
Deklarata e vjetër e Arben Gashit paraqitet si aktuale
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh që pretendon se Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), ka deklaruar se ky subjekt do të përfshijë Listën Serbe si pjesë të koalicionit qeveritar.

Fotografia me këtë pretendim është shkëputur nga një artikull i publikuar në mediumin, “kallxo.com” dhe e njëjta është postuar dje (29 prill) në Facebook, nga një llogari me emrin, “Fleta Press”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Hibrid.info ka gjetur se deklarata e Gashit është e vjetër dhe i mungon sqarimi i kontekstit kohor.


Siç vërehet, në fotografi mungon data e publikimit të lajmi.

Deri në momentin e trajtimit, postimi ka marrë 76 komente, në bazë të së cilave mund të vlerësohet se pretendimi mund të merret si aktual nga audienca.


Por, hibrid.info ka hulumtuar në uebfaqen e portalit, “kallxo.com”, logoja e së cilit shihet në fotografi dhe ka gjetur artikullin në fjalë, i cili është publikuar më 28 prill, 2020 (shih këtu).

Artikulli përmban sfondin që shpjegon se bëhet fjalë për situatën pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars 2020, i iniciuar nga vetë LDK-ja për shkak të mospajtimeve mbi tarifat dhe shkarkimin e Agim Veliut, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së kishte vendosur të formojë koalicion qeveritar me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe subjektet e pakicave (shih këtu).

Në kontekstin aktual të ngjarjeve në vend, Gashi nuk ka thënë diçka të tillë. Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe certifikimit të rezultateteve të dala nga këto zgjedhje, deputetët e rinj u mblodhën tetë herë, por nuk arritën ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e rinj nuk po arrijnë të gjejnë mirëkuptim për votimin e kryetarit të ri të Kuvendit, pasi që e propozuara për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk po i merr votat e nevojshme (shih këtu).

Deklaratat e fundit të Gashit për këtë situatë, të hasura nga hibrid.info, janë bërë para tre ditësh (27 prill), ku ai ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) por edhe partitë të tjera parlamentare që të bëhen më të përgjegjshme dhe të gjejnë një zgjidhje për zhbllokimin e situatës në Kuvend (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Pretendimi se deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se ky subjekt do të përfshijë Listën Serbe si në koalicionin qeveritar është e saktë.

Por, hibrid.info ka gjetur se deklarata është bërë në vitin 2020, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti atëherë.

Kjo deklaratë është publikuar pa e bërë të ditur datën, në konteksin aktual, kur pritet të konstitohet Kuvendi me legjislaturën e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si, “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others