Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar disa artikuj, me anë të cilëve pretendohet se të shtunën (19 prill) u konstituua Kuvendi i Kosovës.
Përmbajtjet me këtë pretendim janë publikuar nga portalet online në gjuhën shqipe, si “gazeta10.com”, “alb-spirit.com” dhe “noa.al”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se të shtunën u miratua raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve, me vota unanime nga deputetët, por seanca konstituive konsiderohet e përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, gjë e cila nuk ndodhi atë ditë.

Çka thotë Regullorja e Kuvendit për konstituimin?
Në bazë të Kreut IV të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituive parashihet formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Paragrafi 5 i nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të kësaj rregulloreje, përcakton se seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Çka ndodhi më 19 prill në Kuvend?
Hibrid.info hulumtoi në ueb-faqen e Kuvendit për lajmet e fundit, ku gjeti një artikull për seancën e së shtunës, e titulluar, “Vazhdoi punimet seanca konstituive e Kuvendit” (shih këtu).
Në njoftim tregohet se është miratuar raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe u bë betimi i deputetëve. Ndërsa në njoftim tregohet se seanca është ndërprerë, për shkak të mos votimit të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Rregullorja (Neni 11) përcakton se kryetari i Kuvendit të Kosovës zgjidhet me shumicën e votave (61) të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Albulena Haxhiu, kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekti i parë i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mori 57 vota.
Njoftimi i Kuvendit të Kosovës
“U miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe u bë betimi i deputetëve
Kuvendi i Republikës së Kosovës vijoi sot punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, të filluar më 15 prill.
Pas një takimi konsultativ që kryesuesi Avni Dehari zhvilloi me përfaqësuesit e subjekteve politike, Kuvendi mandatoi serish komisionin e njëjtë që të bëjë verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, si dhe të hartojë raportin.
Pas takimit, kryetari i komisionit, deputeti Artan Abrashi paraqiti raportin para deputetëve dhe i njëjti me 119 vota për u miratua nga ana e Kuvendit.
Seanca vijoi punimet me betimin e deputetëve, të cilët gjithashtu nënshkruan deklaratën përkatëse.
Në pikën e tretë të rendit të ditës, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, deputeti Glauk Konjufca propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu. Në dy procedura votimi, për kandidaturën e paraqitur votuan 57 deputetë, ndërsa kryesuesi Dehari konstatoi se propozimi nuk kalon dhe në këto rrethana njoftoi për ndërprerjen e seancës për sot, duke paralajmëruar vazhdimin e saj të hënën, më 21 prill, në orën 15:00.”
Çka do të thotë se ndryshe nga pretendimet e trajtuara, Kuvendi ende nuk është konstituuar. Për të vërtetuar edhe më shumë këtë fakt, hibrid.info ka gjetur artikuj nga mediat tjera në gjuhën shqipe, në cilat është raportuar se Kuvendi mblidhet sot (21 prill) për herë të katërt për konstituim (shih këtu, këtu dhe këtu).
Analiza:
Pretendimi se Kuvendi i Kosovës është konstituuar të shtunën, është i pasaktë.
Hibrid.info gjeti se atë ditë u votua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, çka i hapi rrugë konstituimit.
Pavarësisht se një pjesë e procedurave u përmbushën më 19 prill, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si, “Gabim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.