[email protected]
Pretendime të pabaza se Kurti planifikon zgjedhje të parakohshme dhe se kishte plane për luftë
shape
shape
shape

Në ballinën e gazetës serbe “Informer” është publikuar sot (30 gusht) kryeartikulli me titull “Kurti ka marrë fund”. Artikulli i kësaj të përditshme pretendon se Albin Kurti ka shpallur zgjedhje të reja për shkak që, siç thuhet, nuk ka marrë përkrahjen e SHBA-së, NATO-s, BE-së dhe, siç pretendon gazeta, as të Tiranës për planet e tij për luftë.

“Ktheu gjithçka kundër vetes” është mbi-titulli i kryeartikullit në të cilin hedhen pretendimet se  Albin Kurti ka arritur që “me politikën e tij ekstreme t’i kthejë kundër tij një pjesë të madhe të ndërkombëtarëve”, e që gazeta i interpreton si mos-përkrahje për planet e luftës së kryeministrit të Kosovës. Tutje në këtë artikull pretendohet se Kurti ka humbur mbështetjen të edhe një pjesë të mirë të elitës politike në Tiranë. Me këtë autori i artikullit, përpiqet ta ndërlidhë idenë që në Kosovë po përgatiten zgjedhje të parakohshme. 

Megjithatë, këto pretendime të këtij mediumi serb nuk duket të jenë të bazuara.


Vëgëza e ballinës së gazetës “Informer” dhe artikullit të publikuar në ueb-faqen “Informer.rs”:

https://informer.rs/stampano-izdanje/2356/2022-08-30

https://informer.rs/vesti/politika/730938/aqljbin-kurti-kim-izbori


Pjesë të artikullit të publikuar në ballinën e gazetës “Informer” të përkthyer:

Kryeministri i rrejshëm i shtetit të rremë të Kosovës, Albin Kurti, ka shpallur zgjedhjet pasi i është thënë nga SHBA, BE, NATO, por edhe nga Tirana se nuk do të mbështesin planet e tij të luftës.

I ashtuquajturi kryeministër i shtetit të rremë të Kosovës, Albin Kurti, ka arritur që me politikën e tij ekstreme të kthejë kundër tij një pjesë të madhe të ndërkombëtarëve, por edhe një pjesë të mirë të elitës politike në Tiranë, kështu që tani po shpall zgjedhje të parakohshme dhe “kthimin e mandatit te populli”!?!


Pretendimet e gazetës serbe “Informer” se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpallur zgjedhje të reja për shkak të mos përkrahjes nga SHBA, BE, NATO dhe Tirana zyrtare për, siç shkruan, planet e tij të luftës, janë pretendim i pabazë.

Hibrid.info, përkundër hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, nuk ka arritur të gjejë ndonjë artikull mediatik apo përmbajtje të formave tjera se Kurti ka planifikuar shpalljen e zgjedhjeve të reja në Kosovë, me qellim, siç pretendon gazeta,  për të dal nga situata politike që gjendet prandaj pretendimi gazetës serbe është lajm i rremë.

Po ashtu mbështetja e këtyre pretendimeve të gazetës është e pabazë për shkak se përfaqësuesit ndërkombëtar dhe Tirana zyrtare, përmes qëndrimeve të tyre, e dëshmojnë të kundërtën.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pati njoftuar se “Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”. (shih këtu)


I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka falënderuar emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe diplomacinë amerikane, për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë për dokumentet. (shih këtu)


Edhe Departamenti i Shtetit të SHBA-së, marrëveshjen për dokumentet, e ka cilësuar si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. (shih këtu)


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e konsideron lajm të bukur zgjidhjen me dialog të çështjes së lëvizjes së lirë mes dy vendeve. (shih këtu)


Analiza:

E përditshmja serbe “Informer” në ballinën e gazetës se sotme (30 gusht) në kryeartikulli ka hedhur pretendimin e pabazë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpallur zgjedhje të reja, si rezultat i asaj, siç pretendon gazeta, se SHBA-të, NATO, BE, dhe Tirana nuk e përkrahën në planet për luftë që i kishte.

Në fakt, arritja e marrëveshjes për dokumente ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar si arritje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Pretendimi i autorit se faktori ndërkombëtar nuk po e përkrahin Kurtin për planet për luftë, është i pa qëndrueshëm në fakte. Gjithashtu, qasja e këtyre akterëve ndërkombëtare, zyrtarisht, ka qenë pro vendimeve të fundit, të kulmuar me arritjen e marrëveshjes së fundit.

Hibrid.info vlerëson që pretendimet se Kurti ka pasur plane lufte dhe se ka shpallur zgjedhjet e reja për shkak se të gjithë ishin kundër këtij plani, është i sajuar tërësisht dhe si i tillë, merr vlerësimin “lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others