[email protected]
Kryeministri i Serbisë pa fakte e quan regji të Kurtit shpërthimin në “Ibër-Lepenc” dhe ndalimin e deputetëve të Listës Serbe
shape
shape
shape

Shkoi: Festim Rizanaj

“Vuceviq: Regji e dobët e Albin Kurtit, Serbia insiston në hetim ndërkombëtar”, mban titullin një artikull i publikuar nga mediumi publik në Serbi, “rts.rs”.

Në këtë artikull, kryeministri  Serbisë, Millosh Vuçeviq, citohet të ketë thënë se shpërthimi në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok më 29 nëntor dhe ndalimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës më 5 dhjetor, kanë qenë pjesë e një “regjie të dobët” të Kurtit.

Çka thuhet në artikull?

Kryeministri Vuçeviq ka thënë në “Dnevnik” të RTS-së, sa i përket eksplodimit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe ndalimin e deputetëve të Listës Serbe nga pjesëmarrja në seancën parlamentare në Prishtinë, duket se janë regji e dobët dhe se Kurti “e ka tepruar me këtë skenar dhe kinematografi”.

“Serbia është jetësisht e interesuar, nëse mund ta them kështu, në përcaktimin e qartë se çka ka ndodhur në Zubin Potok, pasi që jemi absolutisht të sigurt se asnjë nga serbët, rrjedhimisht Serbia, s’ka të bëjë asgjë me këtë dhe se kjo është një trillim për të shfaqur se Kurti është viktimë, ose se po përpiqet të tërheqë Serbinë në njëlloj konflikti sërish”, citohet të ketë thënë Vuçeviq.

Artikulli me deklaratën e Vuçeviqit u publikua edhe nga disa mediume në gjuhën serbe (shih këtu dhe këtu), si dhe në ato në gjuhën shqipe (shih këtu dhe këtu)

Vuçeviq nuk ka prezantuar asnjë provë konkrete ose materiale që mund të mbështesë dhe të verifikojë vërtetësinë e deklarimeve. Deklarata mbetet pa bazë të dokumentuar dhe pa ndonjë argument të qartë që do t’i jepte kredibilitet pretendimeve.

Çka dihet zyrtarisht për shpërthimin?

Më 29 nëntor, Policia e Kosovës ka njoftuar se është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Sipas Policisë, shpërthimi ka qenë sulm i qëllimshëm (njoftimi i parë). Më 30 nëntor, Policia njoftoi për tetë të arrestuar nën dyshimin për sulmet e fundit në veri. Në konferencën e Policisë u ekspozuan edhe uniformat e armët e sekuestruara gjatë aksionit të asaj dite.

Më 29 nëntor, në mbrëmje kryeministri Albin Kurti mbajti konferencë të jashtëzakonshme për media. Ai aty u shpreh se “Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe, ku riparimi është i vështirë”.

Serbia i ka mohuar akuzat.

Pos autoriteteve të Kosovës, edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur terrorist sulmin.

Çka ndodhi me deputetët e Listës Serbe të enjten (5 dhjetor)?

Deputetët e Listës Serbe u penguan të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Pengimin e tyre e bënë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike, si dhe bashkëpunim me Millan Radoiçiqin. Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave (artikull i “evropaelire.org”)


Analiza:

Kryeministri  Serbisë, Millosh Vuceviq, ka pretenduar se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor dhe ndalimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës kanë qenë “trillim” nga Kurti për t’ia atribuuar Serbisë. Megjithatë, për pretendimin e tij ai nuk ka ofruar asnjë fakt.

Deklarata e tij u publikua në mediumin në gjuhën serbe “rts.rs”, me titull: “Vuçeviq: Regji e dobët e Albin Kurtit, Serbia insiston në hetim ndërkombëtar”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori konspirative” dhe “Deklaratë e paargumentuar”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Deklaratë e paargumentuar është vlerësimi për deklaratat që figurat politike e publike me ndikim në opinion i bëjnë me pretendime që nuk mbështeten në fakte.

Share With Others

Translate »