Të fundit | Ndikimi i “ekonomisë së vëmendjes” në mediat digjitale dhe rreziku për keqi… Të fundit | Rrjeti propagandistik rus “Pravda” i publikon sistematikisht artikujt në “T… Të fundit | Ende nuk ka vendim gjykate për kërkesën e Thaçit për lirim me kusht Të fundit | Imazhi i Yamal me trofeun e Kupës së Botës dhe gjyshen e tij, i gjeneruar n… Të fundit | Mediat serbe e paraqesin rrënimin e objekteve pa leje në Ujman si aksion ku… Të fundit | LVV nuk ka treguar ende kandidatët për president Të fundit | Spekulim nga mediat ruso-serbe për largimin e mundshëm të KFOR-it nga ura e… Të fundit | Titull përgjithësues që e paraqet deklaratën e një kongresmeni si qëndrim t… Të fundit | Publikohen tituj për vrasje pa treguar se ngjarjet kanë ndodhur në shtete t… Të fundit | Titull i pabazuar për mundësinë e kandidimit të Gërvallës për presidente
[ ARTIKULLI ]

Ndikimi i “ekonomisë së vëmendjes” në mediat digjitale dhe rreziku për keqinformim

HIBRID

Ekonomia e vëmendjes” është një koncept që u lind nga nobelisti Herbert A. Simon, që fillimisht iu referohej marketingut në veçanti dhe kompanive që synonin të maksimizonin kohën dhe vëmendjen që përdoruesit t’ua kushtonin produkteve të tyre.

Ky koncept mori hov edhe më të madh dhe u përfshi gjerësisht në sfera të tjera, përfshirë atë të medias digjitale, kur u shtua problemi i mbingarkesës së informacionit. Me shtimin e përmbajtjeve që bëheshin në internet, lufta për vëmendjen e njeriut u bë faktor kyç.

Ndikimi sot

Sasia e madhe e të dhënave që prodhohet sot e ka vështirësuar garën për të marrë vëmendjen njerëzore. Sipas konceptit në fjalë, informacioni trajtohet relativisht si produkt i lirë, ndërsa “çmimi i vëmendjes” është rritur. Fokusi njerëzor tani është “produkt i vlefshëm”, i nxitur nga mungesa e fokusit, mbingarkesa e informacionit, monetizimi digjital dhe algoritmi.

Në epokën e rrjeteve sociale, ky koncept është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të konsumimit të informacionit. Mediat sociale po shërbejnë si arenë ku njerëzit informohen, kryejnë shërbime të tjera e përballen edhe me marketing nga bizneset. Të gjitha këto luftojnë njëra me tjetrën për të marrë vëmendjen shpejt.

Titulli si epiqendër

Në këtë mjedis, përdoruesit rrallëherë kanë kohë ose motivim të lexojnë një artikull të plotë. Në vend të kësaj, vendimet për besueshmërinë ose rëndësinë e një lajmi shpesh bazohen vetëm në elementet e para të ekspozimit – titullin, fotografinë dhe përshkrimin e shkurtër që shfaqet në rrjetin social.

Kjo ka bërë që titulli të mos shërbejë si produkt informativ më vete. Nëse ai është i pasaktë, i ekzagjeruar ose nuk përputhet plotësisht me përmbajtjen, ekziston rreziku që një pjesë e audiencës të krijojë perceptime të gabuara pa e lexuar fare tekstin e plotë. Në këtë mënyrë, ekonomia e vëmendjes krijon kushte që favorizojnë jo vetëm titujt gjithnjë e më tërheqës, por edhe konsumimin sipërfaqësor të informacionit, duke rritur potencialin për keqinformim.

Një studim i vitit 2018 i autorëve Gordon Pennycook, Tyrone Cannon dhe David Rand ka vënë re se një pjesë e madhe e angazhimit të publikut me lajmet në rrjetet sociale kufizohet vetëm në leximin e titujve. Kjo bën që përdoruesit të krijojnë gjykime mbi saktësinë e informacionit edhe kur nuk e kanë lexuar përmbajtjen e plotë të artikullit (shih këtu).

Fenomeni shpjegohet edhe nga koncepti i “What You See Is All There Is (WYSIATI)” (Ajo që sheh është e gjitha që ekziston) i Daniel Kahnemanit më 2011. Edhe aty shpjegohet se njerëzit priren të ndërtojnë përfundime bazuar vetëm në informacionin që kanë përpara, pa kërkuar domosdoshmërisht të dhëna shtesë. E në media sociale, titulli dhe imazhi janë shpesh i vetmi informacion mbi të cilin formohen bindjet e publikut.

Në epokën digjitale, praktikë e zakonshme në media online është bërë edhe përdorimi i termave si “ekskluzive”,  “shokues” / “tronditës”, “skandal”, “e pabesueshme” / “e jashtëzakonshme”, si strategji që lidhet me konkurrencën për vëmendje. Për titujt sensacionalë në media, si fenomen midis marketingut të vëmendjes dhe degradimit të informacionit, Hibrid.info pati publikuar një artikull në mars. Aty shpjegohet se titujt pompozë nuk janë vetëm zgjidhje stilistike, por mekanizëm për të manipuluar perceptimin e rëndësisë së informacionit.

Trajtimet në Kosovë

Hibrid.info në vazhdimësi ka trajtuar keqinformime të tilla vetëm përmes titujve. Kryesisht ato vlerësohen si “clickbait”, kur nuk përputhen me përmbajtje.

Sipas metodologjisë së hibrid.info:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bën të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Shembuj të tillë, gjeni në hapësirën KËTU.

Ndërlidhur me “marrjen e vëmendjes” mund të jetë edhe fenomeni i “Content farm” (ferma të përmbajtjeve). Kjo funksionon kur faqe të caktuara në media sociale gjatë ngjarjeve të caktuara, si shembull zgjedhjet, shtojnë aktivitetin duke shpërndarë përmbajtje nga portale të dyshimta. Këto faqe publikojnë artikuj me tituj sensacionalë dhe “clickbait”, shpesh emocionalë dhe të paqartë, që nuk përputhen me përmbajtjen, me qëllim tërheqjen e klikimeve dhe rritjen e ndërveprimeve (pëlqime, komente dhe shpërndarje). Fenomeni “content farm” u referohet rrjeteve ose faqeve që prodhojnë dhe shpërndajnë përmbajtje në masë, me fokus gjenerimin e trafikut dhe angazhimit në rrjetet sociale, e jo informimin e saktë të publikut. Në shumë raste, i njëjti artikull publikohet nga portale të dyshimta dhe më pas shpërndahet njëkohësisht në shumë faqe të ndryshme në “Facebook”, duke krijuar përshtypjen e një përhapjeje të gjerë dhe organike të informacionit. Pra ato luftojnë për vëmendjen e publikut në një kohë kur dihet se ka aktivitet të ngjeshur online.

Këshilla:

  • Mos e gjykoni lajmin vetëm nga titulli
  • Kontrollojeni nëse titulli përputhet me përmbajtjen
  • Mos e shpërndaj menjëherë
  • Kontrolloje burimin
  • Kërko burime të tjera
  • Kujdes nga reagimi emocional
  • Përdor platforma të verifikimit të fakteve

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere