Në mediat sociale, një informacion mund të duket i besueshëm vetëm sepse është parë disa herë. Një faqe e publikon, një tjetër e shpërndan, pastaj një e tretë e paraqet si lajm dhe, në fund, lexuesi përballet me të njëjtin pretendim në disa vende të ndryshme.
Në pamje të parë, kjo mund të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për një informacion të konfirmuar nga disa burime. Por, nëse gjurmohet origjina e tij, mund të rezultojë se ai vjen vetëm nga një faqe në media sociale, që paraqitet rrejshëm si media.
Ky është një problem veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për faqe që paraqiten si media, por nuk japin informacione të qarta për redaksinë, autorët apo pronësinë.
Ky fenomen njihet globalisht me termin “Pink Slime” (që literalisht në shqip përkthehet si “llum rozë”) dhe iu atribuohet faqeve që krijojnë përshtypjen se janë media, por në realitet publikojnë përmbajtje me standarde të dobëta editoriale, shpesh pa transparencë të mjaftueshme për burimet dhe autorët.
Disa raste të trajtuara nga hibrid.info
Në qershor 2026, një faqe në Facebook publikoi një pretendim se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po shqyrtonte një ofertë për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, duke kërkuar postin e presidentit, katër ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit të pare (shih këtu).
Pretendimi iu atribuua “burimeve” brenda LDK-së dhe u publikua në një ueb-faqe të quajtur “blog.foodsfact.org”. Hibrid.info nuk gjeti konfirmim të këtij informacioni në media apo burime kredibile dhe u konstatua se ueb-faqja nuk ofronte të dhëna të qarta për pronësinë, adresën apo kontaktet.
E njëjta përmbajtje u shpërnda më pas nga disa faqe në Facebook, si dhe nga një portal në gjuhën shqipe që operon në Maqedoninë e Veriut.
Në një rast tjetër, po e njëjta faqe përmes një përmbajtjeje pretendoi se kryeministi në detyrë, Albin Kurti kishte dy emra jopartiakë në shqyrtim për postin e presidentit. Edhe ky pretendim iu referua burimeve të paidentifikuara dhe u publikua në ueb-faqen e dyshimtë “blog.foodsfact.org”. Hibrid.info nuk gjeti konfirmim në media apo burime kredibile. Më pas, pretendimi u shpërnda nga faqe të tjera në Facebook (shih këtu).
Kështu krijohet një ‘zinxhir’
Burim i paidentifikuar, faqe që paraqitet si media, ripublikim nga faqe të tjera dhe krijimi i përshtypjes se pretendimi raportohet nga shumë burime.
Por, numri i publikimeve nuk do të thotë domosdoshmërisht se përmbajtja është e vërtetë.
Kur një postim në media sociale bëhet “deklaratë”
Një tjetër rast i trajtuar nga Hibrid.info tregon se problemi mund të shfaqet edhe kur një informacion kalon nga një platformë në tjetrën dhe ndryshon mënyrën e paraqitjes.
Në prill 2026, u publikua një përmbajtje me pretendimin se trajneri i Kosovës, Franco Foda, kishte thënë se publikimi i formacionit të Turqisë kishte ndikuar në përgatitjet e Kosovës. Fillimisht përmbajtja u publikua në Reddit, më pas u shfaq në X dhe më vonë, u publikua nga një faqe në Facebook (shih këtu).
Pas kësaj, pretendimi u shndërrua në artikuj në dy media online në gjuhën shqipe, të cilat e paraqitën si deklaratë të Fodës. Në këto publikime nuk u tregua burimi nga ku ishte marrë deklarata.
Verifikimi i kryer nga hibrid.info vërtetoi se Foda nuk kishte bërë një deklaratë të tillë. Intervistat e tij pas ndeshjes me Turqinë nuk e mbështesnin pretendimin.
Ky rast tregon se gjatë rrugës së një informacioni nga një platformë në tjetrën, një pretendim mund të humbasë gjurmët e burimit origjinal dhe të fitojë pamjen e një ‘deklarate të vërtetë’ të raportuar nga një media.
Pse përsëritja e bën një pretendim të duket më i besueshëm?
Nëse një përdorues e sheh të njëjtin pretendim në në një media sociale, pastaj në një faqe tjetër dhe më vonë në një portal, lë të kuptohet se pasi po e raportojnë të gjithë, atëherë duhet të jetë e vërtetë.
Fenomeni nuk është vetëm lokal
Një shembull i ngjashëm është trajtuar nga “The Washington Post”, ku tregohet se faqe që paraqiten si media, mund të publikojnë përmbajtje me cilësi të dobët, të njëanshme ose të rreme.
Në rastin e përshkruar nga “The Washington Post”, një faqe e tillë publikoi një artikull ku pretendohej se një distrikt shkollor në Illinois po përdorte një sistem vlerësimi të nxënësve të lidhur me racën. Pretendimi u shpërnda në rrjetet sociale dhe mori vëmendje të madhe, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për një zhvillim real në shkolla.
Por distrikti shkollor e mohoi pretendimin. Sipas “The Washington Post”, zyrtarët e shkollës sqaruan se informacioni ishte i pavërtetë dhe se sistemi i përshkruar në artikull nuk ekzistonte.
Megjithatë, fakti që pretendimi ishte demantuar nuk e ndaloi përhapjen e tij. Përmbajtja vazhdoi të shpërndahej dhe u mor edhe nga burime të tjera, duke u paraqitur sërish si informacion faktik. Kështu, një pretendim i nisur nga një faqe e dyshimtë mund të fitojë një pamje të rreme të besueshmërisë vetëm sepse përsëritet në faqe ose media të tjera.
Çka duhet të kemi parasysh kur shohim përmbajtje të tilla?
Kur shohim përmbajtje të publikuar online dhe të shpërndarë në disa platforma, është e rëndësishme të kemi parasysh disa gjëra bazike për të mos rënë pre e keqinformimit.
VERIFIKO BURIMIN
Kush e ka publikuar përmbajtjen?
A është medium i njohur apo faqe e panjohur që pretendon të jetë “media”?
Kontrollo nëse ka informacione për redaksinë, ueb-faqen, kontaktet apo autorin.