Përmes një imazhi që po qarkullon në Facebook dhe TikTok, pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve të shpërngulur në vitin 1999 që të kthehen në Kosovë, të marrin pasaportat dhe të kërkojnë pronat e tyre (shih këtu, këtu dhe këtu).
Përmbajtja paraqitet me logon e televizionit Klan Kosova dhe mbishkrimin “Lajmi i fundit”, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një lajm të publikuar nga ky medium.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se imazhi është krijuar me inteligjencë artificiale (IA), ndërsa deklarata e paraqitur në të nuk është gjetur në burime kredibile (shih këtu). Po ashtu, kjo përmbajtje nuk është gjetur në ueb-faqen zyrtare të Klan Kosovës (shih këtu).
Për të verifikuar origjinën e imazhit, hibrid.info e analizoi atë përmes dy platformave të detektimit të përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale.
Hive Moderation e vlerësoi imazhin me 99.8% si përmbajtje të krijuar me IA, ndërsa Best AI Image Detector e vlerësoi atë me 99% si imazh të krijuar me IA (shih fotografitë më poshtë).


Këto rezultate mbështesin vlerësimin se imazhi është krijuar me inteligjencë artificiale.
Analiza
Një imazh që po qarkullon në Facebook dhe TikTok pretendon se Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve të shpërngulur në vitin 1999 që të kthehen në Kosovë dhe të kërkojnë pronat e tyre.
Përmbajtja paraqitet me logon e Klan Kosovës, por nuk është gjetur në ueb-faqen e këtij televizioni dhe as në burime kredibile nuk u gjetën dëshmi që konfirmojnë deklaratat e atribuuara Kurtit.
Ndërkaq, Hive Moderation e vlerësoi imazhin me 99.8%, ndërsa Best AI Image Detector me 99% si përmbajtje të krijuar me inteligjencë artificiale.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.