Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar dy përmbajtje ku pretendohet se ZARA, kompania e modës po largon rrobat nga koleksionet e vitit të kaluar për t’i “ricikluar” dhe se përdoruesit mund të përfitojnë një kuti me rroba falas ose me çmim të ulët. E gjitha kjo mund të ndodhë duke plotësuar një pyetësor me 3 pyetje.
Këto përmbajtje janë publikuar më 16 mars në Facebook, nga një faqe me emrin “Moda në Kosovë” (shih këtu dhe këtu).
Çka nuk shkon me këto përmbajtje?
Hibrid.info ka vërejtur se këto postime mund të jenë forma të mashtrimit online.


Faqja që ka publikuar këtë përmbajtje ka mbi 360 ndjekës. Në postimet e saj shfaqen komente nga përdorues që tregojnë interes për ofertën, ndërsa në disa raste ata marrin edhe përgjigje nga vetë publikuesi.
Megjithatë, çka i bën këto përmbajtje të dyshimta është fakti se, ndonëse komentet janë në gjuhën shqipe, emrat dhe mbiemrat e llogarive që komentojnë janë të huaj dhe nuk duken si emra tipikë shqiptarë.
Gjuha e përdorur në këto komente, ndonëse në shqip, nuk i përket stilit të zakonshëm bisedor që përdoret në Kosovë, duke lënë të kuptohet se mund të jenë përkthyer automatikisht ose të mos jenë shkruar nga folës autentikë të gjuhës.
Për të marrë më shumë të dhëna rreth përmbajtjeve është klikuar në butonin “Mëso më shumë”, pas së cilës është hapur një faqe.
Faqja prezantohet si një ofertë e ZARA-s dhe ka në qendër logon e tyre, produktin “ZARA MYSTERY BOX” me çmim rreth 9.99 €, dhe foto të disa kutive që mbajnë logon ZARA.
Një buton për porosi, si “Buy” ose “Add to cart”, është i dukshëm, ndërsa poshtë shfaqet një seksion me vlerësime shumë pozitive dhe komente nga përdorues që përfshijnë edhe foto të kutive dhe rrobave. Në fund të faqes gjenden ikona të rrjeteve sociale dhe një QR code.
URL-ja e faqes është “zenvarisapp.shop”.
Fotoja e faqes së hapur:

Hibrid.info gjeti se URL-ja zyrtare e kësaj kompanie është “zara.com” (shih këtu). Ndërsa faqja zyrtare për Kosovën është “zara.com/xk/” (shih këtu).
Në këtë faqe nuk ka të dhëna për ofertën e pretenduar.
–
Në vijim, është vazhduar me plotësimin e pyetjeve. Pas përgjigjes në pyetje, është hapur faqe e re, ku shfaqeshin figura me kuti, për të cilat sugjerohej të provohen, duke klikuar mbi to, për tu bërë pjesë e mundësisë së pretenduar.

Pasi të provohet në tri kuti të ndryshme, shfaqet një dritare e vogël, në të cilën shkruan se keni fituar “Kutinë Misterioze Zara” dhe ju kërkohet të plotësoni formularin dhe kryeni pagesën për të marrë kutinë.

Më pas është hapur dritarja për plotësimin me të dhënat personale, e cila është plotësuar me të dhëna fiktive

Pas plotësimit është hapur dritarja për kryerjen e pagesës. Për shkak të mundësisë së mashtrimit financiar, me këtë pagesë nuk është vijuar tutje.

Për shkak të këtyre dyshimeve, me anë të urlscan.io, një shërbimi që analizon uebfaqet, u kontrollua dhe u gjet se domeni “zenvarisapp.shop” është vetëm 24 ditë i vjetër dhe operon përmes infrastrukturës së Cloudflare. Skanimi fillimisht shfaqi mesazhin “502 Bad Gateway”, ndërkohë që për përdoruesit faqja mbetet aktive duke promovuar oferta tërheqëse në emër të markës Zara. Kjo mund të jetë një teknikë që shërben për të maskuar përmbajtjen reale nga robotët automatikë.
Ky mjet tregoi gjithashtu se trafiku vjen i targetuar përmes fushatave specifike reklamimi (UTM), duke vërtetuar mospërputhjen midis asaj që raporton serveri gjatë kontrollit të sigurisë dhe asaj që sheh vizitori në ekran.

Besueshmëri e ulët (25%) për këtë URL, është shfaqur edhe në rezultatet e analizës, nga shërbimi tjetër online “ScamDoc.com” (shih këtu).
Hibrid.info ka gjetu përmbajtje në gjuhën holandeze dhe sllovene, ku të njëjtat imazhe janë përdor për publikimin e të njëjtit pretendim në këto vende, në emër të kompanisë “Zara” (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Pretendimi se ZARA ofron “ZARA Mystery Box” me rroba falas ose me çmim të ulët nuk është i saktë.
Faqja që ka publikuar këtë postim duket e dyshimtë për shkak se shumë tregues nuk përputhen me një faqe zyrtare ose autentike. Emrat dhe komentet e përdoruesve nuk duken autentikë dhe nuk reflektojnë stilin e zakonshëm të komunikimit në Kosovë, ndërsa gjuha e përdorur shpesh nuk është natyrale.
Përveç kësaj, të njëjtat imazhe janë përdorur edhe në vende të tjera për të promovuar të njëjtin pretendim, duke treguar se mund të bëhet fjalë për një skemë mashtrimi të përhapur më gjerë. Gjithashtu, besueshmëria e faqes së vegëzës së bashkangjitur në postim është shumë e ulët, gjë që konfirmon se oferta nuk mund të merret si e sigurt.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.