Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për fotografi që e paraqesin kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke përcjellë punimet te shtëpia e tij në Bardhosh.
“Shpejtim Bulliqi duke percjellur punimet te shtëpia e tij ne Bardhosh. Projekt me vler 2.2 milion euro. E trashigofshit me familje kryetar”, është mbishkrimi që llogaria “llapiktu” ia ka vendosur postimit të 7 shtatorit.
E vërteta?
Pas verifikimit në Google, Hibrid.info ka gjetur se fotografitë e përdorura janë marrë nga postime të mëhershme të Bulliqit dhe Komunës së Podujevës, për projektet në këtë komunë. Pra nuk janë “te shtëpia e Bulliqit” siç u pretendua në publikimin në TikTok.

Fotografia e parë e përdorur në publikimin në TikTok del të jetë marrë nga postimi i Komunës së Podujevës në Facebook më 30 maj 2025. Njoftimi kishte të bënte me vendosjen e gurthemelit të objektit të ri të shkollës “Nuhi Gashi” në fshatin Bradash. Fotografia origjinale është zvogëluar dhe në të shihet vetëm Bulliqi.

Ngjashëm është bërë edhe në fotografinë e dytë në postimin në TikTok. Edhe ajo është marrë nga postimi i njëjtë i Komunës në Facebook dhe është shkurtuar.

Për dallim nga dy fotografitë e para, e treta del të jetë marrë nga një postim i Bulliqit në Instagram, kur ai pati njoftuar për punimet në xhaminë në lagjen drejt rrugës për Dumnicë. Ky postim ishte bërë më 2 shtator.

Për më shumë, nuk ka pasur raportime në media kredibile nëse Bulliqi po ndërton shtëpi milionëshe në Bardhosh (shih këtu).
Publikimi i “llapiktu” në TikTok për Bulliqin deri tash i ka marrë mbi 23 mijë shikime.
Analiza:
Pretendimi në TikTok nga llogaria “llapiktu” që se Shpejtim Bulliqi po përcjell punimet e shtëpisë së tij në Bardhosh është i rremë.
Fotot e përdorura janë marrë nga postime të Komunës së Podujevës dhe vetë Bulliqit për projekte publike, jo private. Po ashtu, nuk ekzistojnë raportime të besueshme se Bulliqi po ndërton shtëpi milionëshe në Bardhosh.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



