Shkroi: Etrit Rexhepi
Liburn Aliu, ministri i Infrastrukturës njoftoi se është përuruar rruga Gjilan-Bujanoc, me anë të një postimi në Facebook me datën 7 dhjetor.
Në postim tregohej se projekti në vlerë prej 3 milionë eurosh përveç rrugës me gjatësi 2900m me katër korsi përfshinë edhe shirit të biciklistëve, trotuar në të dyja anët, kanalizim kabllor, fekal e atmosferik, ndriçim në mes dhe sinjalizim.
Pse trajtohet deklarata?
Gjatësia e magjistrales Gjilan-Bujanoc është mbi 41 km dhe se projekti për zgjerimin e kësaj rruge përfshinte vetëm pjesën fillestare (2,9 km) të rrugës në drejtim të Bujanocit.
Bazuar në postimin e ministrit Aliu, pretendimi për zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc, është gjetur i publikuar edhe në disa nga mediat në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu dhe këtu).
Analiza:
Me anë të hulumtimit përmes makinave të kërkimi, hibrid.info ka gjetur një njoftim të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me 30 shtator të vitit 2019, ku tregohej për nisjen e punimeve në zgjerimin e kësaj rruge, të cilës edhe në këtë komunikatë, i referoheshin si rruga Gjilan-Bujanoc.
Po ashtu, në një postim të hasur nga hibrid.info, nga Lutfi Haziri, ish-kryetari i komunës së Gjilanit në atë kohë, vërehet se ai të njëjtit projekt, i është referuar si ndërtim i rrugës Gjilan-Bujanoc.
Kërkimet e hibrid.info kanë gjetur se magjistralja Gjilan-Bujanoc, ka gjatësi prej 41,1 km, me qytetin e Bujanocit që shtrihet në shtetin e Serbisë. Çka tregon se magjistralen e ndan një pjesë e vijës kufitare Kosovë-Serbi.
Përgjatë kësaj magjistrale është vendosur Pikë Kalimi Kufitar Dheu i Bardhë, që ndodhet në kilometrin e 23-të të kësaj rruge. Në bazë të këtyre gjetjeve, tregohet se 23 km nga totali i gjatësisë (41,3 km) së rrugës Gjilan-Bujanoc, ndodhen në territorin e Kosovës.
Ndërsa në bazë të asaj që thuhet në postimin e ministrit Aliu, kuptohet se bëhet fjalë për punimet në zgjerimin e rrugës, që përfshinë 2,9 km apo 12,6% (nga pjesa e Kosovës) të rrugës që shkon në drejtim të Bujanocit.
Në një video-material të publikuar në llogarinë e Alban Hysenit, kryetarit aktual të komunës së Gjilanit, në Facebook, është kuptuar se në fakt, projekti i përfunduar, nënkupton zgjerimin e rrugës në hyrje-daljen e qytetit të Gjilanit, që shkon deri në fshatin Përlepnicë.
Përfundimi:
Deklarata në formë të shkruar e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për përfundimin e punimeve në zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc, është e pasaktë.
Hibrid.info ka gjetur se magjistralja Gjilan-Bujanoc është e gjatë 41,3 km (23 km pjesa e Kosovës), ndërsa projekti i zgjerimit përfshin vetëm 1,9 km të kësaj rruge.
Bazuar në metodologjinë e punës mbi kategorinë e vërtetësisë, kjo deklaratë e ministrit Aliu, vlerësohet si “deklaratë të pavërtetë”.
Arsyetimi:
Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.