Shkroi: Festim Rizanaj
Sergej Lavrov, në një intervistë (14 prill) për median ruse Komersant, bën një krahasim të drejtpërdrejtë mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, për të theksuar, sipas tij, standardet e dyfishta që Perëndimi përdor ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe parimit të vetëvendosjes. Ai pretendon se Perëndimi pranoi pavarësinë e Kosovës pa referendum dhe pa respektuar sovranitetin e Serbisë, ndërsa nuk e njohu referendumin në Krime, ku shumica e popullatës votoi për bashkim me Rusinë.
Lavrov e interpreton këtë qëndrim si një formë paragjykimi etnik, duke deklaruar se “Perëndimi nuk e pranoi referendumin në Krime sepse aty jetojnë sllavë, ndryshe nga shqiptarët në Kosovë”. Sipas tij, kjo dëshmon një qasje raciste dhe selektive nga ana e vendeve perëndimore, dhe për këtë arsye Rusia nuk do të ndikohet më nga standardet që ata vendosin.
Ky pretendim i Lavrovit u publikua gjerësisht në mediat ruse, përfshirë Russia Today Balkan (RT) dhe Sputnik, përmes shërbimeve të tyre në gjuhën serbe, si dhe u shpërnda nga disa media serbe. (këtu, këtu, këtu, këtu)
Çfarë pretendon Lavrov?
Sergej Lavrov pretendon se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, pasi ajo ndodhi pa një referendum dhe pa ndonjë konflikt aktiv në atë kohë. Ai akuzon të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaarin, se shpalli Kosovën të pavarur nën ndikimin e SHBA-ve, pa ndonjë proces demokratik apo konsultim me popullin.
Në krahasim, Lavrov thotë se në Krime u mbajt referendum dhe se populli vendosi për bashkim me Rusinë, por Perëndimi refuzoi ta njohë atë, sipas tij për arsye të paragjykimeve etnike. Ai e cilëson këtë si qasje raciste, duke thënë se sllavët nuk lejohen të vetëvendosin, ndërsa shqiptarëve në Kosovë iu lejua, dhe për këtë arsye Rusia nuk do t’i respektojë më qëndrimet e Perëndimit.
Megjithatë, rastet e Kosovës dhe Krimesë janë shumë të ndryshme, si në kontekst, ashtu edhe në mënyrën e realizimit dhe legjitimitetin ndërkombëtar. Deklarata e tij është më shumë retorikë politike sesa një analizë objektive juridike.
Ku janë dallimet në këtë krahasim?
NATO nuk e pushtoi Kosovën pasi i dëboi forcat serbe, por dërgoi një mision paqeruajtës. Trupat ruse, nga ana tjetër, kanë vendosur kontrollin mbi Krimenë, edhe para se të mbahej një referendum për bashkimin me Rusinë.
NATO ndërhyri në Kosovë pas dëshmive të krimeve serbe kundër shqiptarëve, të cilat përfshinin vrasje masive dhe dëbime nga vendbanimet e tyre. Forcat ruse kanë ndërhyrë në Ukrainë, megjithëse nuk janë raportuar abuzime apo dhunë kundër rusëve etnikë.
Kosova shpalli pavarësinë, por nuk iu bashkua Shqipërisë. Krimea, e cila është e banuar kryesisht nga qytetarë rusë, nënshkroi një marrëveshje për t’u bashkuar me Rusinë dy ditë pas një referendumi që Perëndimi e gjykoi si jodemokratik (këtu).
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 (këtu). Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së (këtu). Pavarësia e Kosovës deri më tani është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë ShBA-në dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian (këtu).
Për më tepër, Krimea është pjesë integrale e shtetit të Ukrainës e cila është aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia në vitin 2014 (këtu). Referendumi në Krime, i mbajtur më 16 mars 2014, u refuzua në të njëjtin vit si i paligjshëm – me votat e 100 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (shih këtu).
Edhe pse krahasimi i Krimesë me Kosovën është i paqëndrueshëm, zyrtarët të lartë të Rusisë vazhdojnë ta përdorin këtë si alibi, duke filluar nga presidenti Vladimir Putin dhe ministri i jashtëm, Sergey Lavrov (shih këtu, këtu).
Platforma për verifikim faktesh, hibrid.info, më 11 nëntor ka publikuar raportin “Krahasimi Ukrainë – Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”. Aty për herë të parë janë krahasuar narrativat ruse për Ukrainën dhe ndërlidhja e tyre me Kosovën. (Raporti i plotë)
Analiza:
Sergej Lavrov, në një intervistë për Komersant, krahasoi pavarësinë e Kosovës me aneksimin e Krimesë, duke akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta. Ai e cilësoi refuzimin e referendumit në Krime si paragjykim etnik ndaj sllavëve dhe një qasje raciste nga ana e Perëndimit.
Faktet tregojnë se krahasimi i Kosovës me Krimenë është i pabazë, pasi Kosova shpalli pavarësinë nën administratën ndërkombëtare, ndërsa Krimea u aneksua me forcë nga Rusia duke shkelur traktatet ndërkombëtare dhe pa mbështetje të gjerë ligjore.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info deklaratën e Lavrovit e vlerëson si “Deklaratë të pavërtetë”.
Arsyetimi:
Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.