Shkroi: Etrit Rexhepi
Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes ka paralajmëruar se Bullgaria do t’i bashkëngjitet aleancës ushtarake, Shqipëri – Kosovë – Kroaci, e nënshkruar javë më parë.
Maqedonci e tha këtë në një intervistë ekskluzive, të publikuar dje (15 prill) për TRT Balkan në Forumin e Diplomacisë në Antalya (shih këtu).
E vërteta?
Ky pretendim u mohua më pas nga shteti bullgar.

Për këtë deklarim të Maqedoncit, u raportua edhe nga mediat në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu dhe këtu).
Deklarata e transkriptuar nga intervista e Maqedoncit
“Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale, mirëpo besoj plotësisht që edhe vende të tjera të rajonit, sidomos ato që ndajnë vlerat e përbashkëta me ne dhe që ndajnë normalisht edhe interesa të përbashkëta, sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, do të bashkëngjiten në këtë marrëveshje, le të themi në këtë deklaratë, e cila, edhe njëherë po e theksoj, gjithmonë synim ka paqen, stabilitetin dhe sigurinë”
Analiza:
Hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar në agjencinë e lajmeve në gjuhë bullgare, “Bta.bg”, ku u raportua se nëpërmjet një deklarate të Georg Georgiev, ministrit të saj të Punëve të Jashtme, Bullgaria i vlerëson si të pasakta pretendimet se do t’i bashkëngjitet aleancës ushtarake, Shqipëri – Kosovë – Kroaci (shih këtu).
Gjithashtu edhe kjo deklaratë e kryediplomatit bullgar u raportua në mediat në gjuhën shqipe (shih këtu dhe këtu).
Në bazë të këtyre raportimeve është mësuar se kjo deklaratë e ministrit Georgiev, ka ardhur si përgjigje me shkrim drejtuar deputetëve bullgarë Xhipo Xhipov dhe Elisaveta Belobradova nga grupi “Vazhdo Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”.
Deklaratat e Georgiev nxjerrë nga artikulli
“Bullgaria është në dijeni të nismës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe po analizon me kujdes tekstin e Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të tre vendeve në Tiranë më 18 mars 2025. Është i pasaktë informacioni publik që sugjeron se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar deklaratës.
Ministria e Jashtme ka marrë një kopje zyrtare të dokumentit të nënshkruar përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje më 25 mars. Në asnjë moment nuk është kontaktuar apo konsultuar Ministria apo pala bullgare në lidhje me iniciativën nga propozuesit e saj dhe as nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare për anëtarësim”.
Përfundimi:
Deklarata e ministrit Ejup Maqedonci se, Bullgaria do t’i bashkëngjitet marrëveshjes trilaterale (Shqipëri – Kosovë – Kroaci) të mbrojtjes, është e pasaktë.
Ky pretendim u mohua nga ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Në përputhje me kriteret e kategorizimit të deklaratave që lidhen me fakte objektive dhe të verifikueshme, kjo deklaratë hyn në kategorinë e vërtetësisë.
Bazuar në metodologjinë e kontrollit të deklaratave, deklarata vlerësohet si “e pavërtetë”.
Arsyetimi:
Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.