[email protected]
Mjeku italian që jep mendime të pa verifikuara rreth COVID-19
shape
shape
shape

Mjeku italian Roberto Petrella, i specializuar në obstetro gjinekologji, në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ka kundërshtuar vaksinimin kundër COVID-19. Për më tepër, ai ka mohuar edhe vetë ekzistimin e virusit Korona.

Ky mjek italian ka kundërshtuar edhe testimin përmes marrjes së mostrës nga hundët, duke thënë se përmes saj futen bakteret në organizëm.

Pjesë nga intervista e mjekut italian Roberto Petrella në Top Channel:

“Marrja e tamponit duhet bërë në një pikë të caktuar, në brendësi të faringut e të bashkimit me kanalin e hundës, jo siç bëjnë ata, që e rrotullojnë nga të duan. Tamponi, kështu siç bëhet, prish membranat. Pra, gërvisht. Tamponi është plot me miliona baktere. Nuk është steril. Duke traumatizuar mukozën edhe në fund të kanalit të hundës, si dhe te faringu, dërgojnë baktere të tjera nëpërmjet fytit”.


Të gjitha këto, mjeku italian Petrella i thotë në kundërshtim me të gjitha studimet e instituteve kredibile botërore. Përveç këtyre kundërshtimeve, të cilat mundohet t’i bazojë në njohuritë personale si mjek, ai ngrehë dilema edhe për prejardhjen e virusit dhe hyn në teori konspirative, duke thënë se ky virus është krijuar nga mafia farmaceutike, që në kohën e presidentit francez, Zhak Shirak. Ai ka bërë fajtor edhe themeluesit e kompanisë “Microsoft”, Bill Gates, për kontribut në krijimin e këtij virusi, për qëllime, siç shprehet ai, shfarosjen e popullsisë.

Pjesë nga intervista e mjekut italian Roberto Petrella në Top Channel:

“Është makth po të sëmuresh nga COVID-19, që për mendimi tim nuk ekziston. Është shpikur për të krijuar panik dhe për të dhe për të arritur realizimin e vaksinës. Fundja, unë kam informacione që nga koha e Shirakut, COVID-19 studiohej që atëherë me Kinën. Prandaj, kanë krijuar një laborator në Kinë dhe atje e kanë përuruar. Kjo pandemi ka qenë e organizuar nga mafia mjekësore, nga kompanitë farmaceutike dhe nga disa personazhe që quhen Bill Gates dhe të tjerë, të pasur, sepse ata duan që të ulët popullsia, duan që të shfarosin popullsinë”.


Kjo video është bërë virale në shumë media online dhe rrjete sociale, duke e bërë të nxisë dyshimet tek qytetarët rreth ekzistimit të virusit Korona dhe ka rritur dilemat për efektin e vaksinës që është duke u studiuar.


Analiza:

Mjeku italian, Roperto Petrella, të gjitha këto pohime të bëra në këtë intervistë, nuk i bazon fare në hulumtime apo studime shkencore. Disa prej tyre i bazon vetëm në përvojën e tij si mjek, por me qenë se ai është një gjinekolog dhe jo infektolog, mikro-biolog apo epidemiolog, fusha këto që janë të specializuar për trajtimin e viruseve, rekomandimet e tilla janë shumë pak të besueshme. Gjithashtu, ky mjet hyn edhe në teori konspirative, në momentin kur flet për prapaskenat e krijimit të virusit Korona dhe për tendencën e disa grupeve të interesit për të përfituar nga krijimi i këtij virusi. Të gjitha këto nuk i bazon në asnjë fakt.

Për më shumë, në pjesën kur thotë se nuk ekziston virusi dhe se ai është i sajuar, mjeku Petrella këtë nuk e argumenton fare, por bazohet vetëm në mendimin e tij personal. Sipas analizës së bërë nga hibrid.info, informacionet e dhëna nga ky mjek kategorizohen si “përmbajtje e pa verifikuar”, “teori konspirative” dhe “pseudoshkencë”.


Arsyetimi:

Përmbajtje e pa verifikuar

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Teoritë konspirative

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Pseudoshkencë

Vlerësim si “Pseudoshkencë” merr ai raportim mediatik që përpiqet të paraqesë disa mendime, qëndrime, vlera ose gjetje të marra nga një metodë jo-shkencore dhe ti paraqesë ato si zbulime shkencore ose fakte. Raporte të tilla shpesh keqinterpretojnë ose manipulojnë kërkimet shkencore ekzistuese, ose i referohen hulumtimeve që janë në kundërshtim me verifikimin shkencor dhe gjetjen e fakteve.

Share With Others