[email protected]
Mohohen pretendimet e disa mediave serbe për dërgimin e 40 automjeteve policore në veri të Kosovës
shape
shape
shape

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar dje (21 nëntor) artikuj me pretendimin se kryeministri, Albin Kurti, pasi e prishi marrëveshjen e Brukselit, “ka nisur 40 automjete policie në veri për t’i provokuar serbët”.

Po ashtu në artikull pretendohet se ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë qëndruar në bazën “Belvedere” në jug të Mitrovicës.

Lajmi për qëndrimin e Sveçlës dhe Mehajt në Belvedere është demantuar nga shefi i kabinetit te Presidencës dhe nga vet ministri Sveçla.

Po ashtu, në një përgjigje për portalin në gjuhën serbe Kossev, policia e Kosovës demanton dërgimin 40 automjeteve në veri.

Vegëza e artikujve të publikuar në mediat serbe:

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1174954/srusio-dogovor-briselu-odmah-provocira-kurti-poslao-40-vozila-policije-sever

https://www.republika.rs/vesti/politika/396816/kuri-poslao-policiju-na-sever-kosova

https://www.alo.rs/vesti/kim/694878/kurti-poslao-40-vozila-policije-na-sever/amp

Pjesë të artikullit të publikuar në mediat serbe:

Vetëm pak orë pas bllokimit të çdo marrëveshjeje me Beogradin në Bruksel, Aljbin Kurti bëri një lëvizje që me sa duket zbulon synimet e tij të vërteta ndaj serbëve në Kosovë e Metohi.

Gjegjësisht, siç mëson jozyrtarisht Novosti, një kolonë kilometërshe prej rreth 40 veturash të të ashtuquajturës Policia e Kosovës është vërejtur nga drejtimi i Bajgorës duke zbritur në Srbovac dhe duke lëvizur në drejtim të Leposaviqit.

Fakti që autoritetet në Prishtinë synojnë të vazhdojnë të kërcejnë armët dhe të ushtrojnë dhunë kundër serbëve, dëshmon edhe fakti se ministrat e Policisë dhe Mbrojtjes Xhelal Sveçla dhe Armend Mehaj kanë arritur në bazën Belvedere në Mitrovicën jugore.


Mediumi serb “Novosti” kishte hedhur pretendimin e lartcekur duke mësuar nga, siç e thonë, burime jozyrtare, e që në fakt është demantuar nga kabineti i presidencës dhe vet ministri Sveçla.

Akuzat për praninë e Sveçlës fillimisht i ka mohuar shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Blerim Vela, i cili ka publikuar në llogarinë në Twitter një foto të tij së bashku me Sveçlën, Glauk Konjufcën dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

“Mediat pro-qeveritare të Serbisë po raportojnë rrejshëm se ministrja Sveçla ndodhet në Belvedere. Mos u bini pas dezinformatave dhe propagandës së tyre. Institucionet e #Kosovës janë të përkushtuara për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë.” (këtu)

Vela akuzoi mediat serbe pro regjimit për dezinformim dhe tha – Mos u bini në dezinformimin dhe propagandën e tyre.


Sveçla foli menjëherë pasi në disa media u shfaq informacioni se një kolonë prej dyzet automjetesh të njësive speciale të Policisë së Kosovës po lëvizte në veri, por edhe se Sveçla së bashku me ministren e Mbrojtjes së Kosovës Armenda Mehaj ndodheshin në kampin “Belvedere” në jug të Mitrovicë.

“Kohëve të fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë. Natyrisht qëllimi i tyre është për t’ju shqetësuar e shtuar pasigurinë tek ju. Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme.” (këtu)

Në të njëjtën kohë, ai akuzoi “përkrahësit dhe punonjësit në Serbi” për përhapjen e dezinformatave, të cilat, sipas tij, synojnë t’i shqetësojnë ata dhe të rrisin pasigurinë.


Policia e Kosovës më vonë ka mohuar akuzat e mediave në një përgjigje për KoSSev.

“Policia e Kosovës mohon tekstet e pasakta të publikuara në disa media/portale, kryesisht serbe, si në gazetën Novosti, të cilat paraqesin një situatë joreale, se Policia e Kosovës ka nisur një kolonë prej dyzet (40) automjetesh policore në veri drejt Jarinjës”, deklarojnë në përgjigjen e tyre për KoSSev. (këtu)


Analiza:

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar pretendimin e “Novostit” se janë nisur 40 automjete të Policisë së Kosovës drejt veriut me urdhër të Kurtit dhe se ministrat Sveçla dhe Mehaj kanë qëndruar në kampin “belvederë” në jug të Mitrovicës.

Pretendimet e mediumeve serbe i kanë mohuar shefi i kabinetit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, vetë ministri i brendshëm, Xhela Sveçla dhe policia e Kosovës.

Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punë vlerëson se këto pretendime janë të pabaza dhe klasifikohen si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others