[email protected]
Monika Kryemadhi nuk ka deklaruar se po vuan nga kanceri
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “belmouth.com” ka publikuar dje (18 mars) një artikull me titull “PËRLOT Monika Kryemadhi – Po VDES, jam me Kancer prej shumë kohësh dhe….”.

Në artikull gjendet një video-material i publikuar në platformën Youtube.com (këtu), në të cilin lexuesja e raportit që i është bashkangjitur videos në fjalë, tregon se në të kaluarën, Monika Kryemadhi, bashkëshortja e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte vuajtur nga sëmundja e kancerit.

Pra, portali i dyshimtë “belmouth.com” ka pretenduar rrejshëm se Kryemadhi ka deklaruar se aktualisht po vuan nga kjo sëmundje.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “belmouth.com”:

https://www.belmouth.com/2024/03/12/perlot-monika-kryemadhi-po-vdes-jam-me-kancer-prej-shume-kohesh-dhe/

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur se në vitin 2019, Monika Kryemadhi, foli për herë të parë gjerësisht për sëmundjen e saj, ku zbuloi se vuante nga kanceri në qafën e mitrës, por që pas ndërhyrjes, ajo kishte thënë se gjithçka është në rregull me shëndetin e saj. (shih këtu dhe këtu)

Artikulli i publikuar nga portali i dyshimtë “belmouth.com” është shpërndarë në Facebook nga faqet “Lajme Info”, “Lajme Ditore”, “Lajme Javore”, “Portali Aurora”, “Mesazhi Shqip”, “Gazeta Sot”, “Ilirida-News”, “Lajmi I Fundit” e “Portali Zëri”.


Hibrid.info ka hulumtuar edhe në profilet zyrtare të Kryemadhit në Facebook e Instagram, por që nuk është gjetur ndonjë deklaratë e bërë ditët e fundit nga ajo, në lidhje me sëmundjen. (këtu dhe këtu)


Analiza:

Duke përdorur një deklaratë të vjetër të Monika Kryemadhit, e cila në vitin 2019 kishte deklaruar se ka vuajtur nga sëmundja e kancerit, portali i dyshimtë “Belmouth.com” ka pretenduar rrejshëm se ajo aktualisht po vuan nga kjo sëmundje.

Kryemadhi në vitin 2019 kishte potencuar se për 5 vite kishte vuajtur nga sëmundja e kancerit, por që atëkohë ajo është shprehur se pas ndërhyrjes, gëzonte shëndet të plotë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga “Belmouth.com” si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others