Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Në Serbi riaktivizohet narrativa e pabazë për rrezik nga bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Një takim i ri i zyrtarëve të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Kroacisë në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë ka kthyer në Serbi pretendimet e pabaza se aleanca është kërcënim për shtetin dhe popullin serb.

Pretendimi u rikthye nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Çështje të Brendshme Milovan Drecun, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berisha dhe në fund edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Çka thanë këta zyrtarë?

Më 3 shkurt, Petkoviq deklaroi se bashkëpunimi midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes është “aktivitet i cili drejtpërdrejt kërcënon stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

…Sepse është e qartë që ky bashkëpunim nuk është i motivuar nga interesat ekonomike ose nevoja për të kontribuuar në prosperitetin rajonal, por nga qëllime të këqija”, ka thënë ai, sipas uebfaqes së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sipas Petkoviqit, përfshirja e Kosovës në marrëveshje me shtete të tjera përbën “precedent të rrezikshëm” dhe “është shprehje e hapur e armiqësisë ndaj Serbisë si fqinje paqedashëse dhe me qëllime të mira”.

Serbia, si shtet ushtarakisht neutral dhe shtyllë e stabilitetit në rajon, është cak i qartë i këtij pakti tripalësh, dhe aleanca e Shqipërisë, Kroacisë dhe Prishtinës, është e drejtuar direkt kundër shtetit tonë dhe me qëllime për destabilizim të rajonit”, ka deklaruar Petkoviq.

Petkoviqi ka thënë se përfshirja e Kosovës në aleancë ushtarake është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Ai ka thënë se siguria në Kosovë mbulohet nga prania e KFOR-it dhe se kjo është kornizë e mjaftueshme, në të cilën edhe Shqipëria e Kroacia marrin pjesë.

Për pretendimin e tij kanë raportuar edhe mediat në gjuhën serbe (shih këtu dhe këtu).


Ngjashëm me të kanë deklaruar edhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë. “Bashkëpunimi ushtarak në mes të Kroacisë, Shqipërisë dhe të ashtuquajturës Kosovë është pakt kundër popullit serb në tërësi”, mban titullin një artikull i publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “b92.net” më 6 shkurt.

Milovan Drecun ka thënë se kjo marrëveshje mund të destabilizojë rajonin dhe të vërë në pikëpyetje mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Edhe sipas tij, marrëveshja është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Nuk ka asnjë dyshim se si aleancë është direkt kundër dikujt, dhe duke folur realisht, ajo mund të jetë e drejtuar vetëm kundër popullit serb në përgjithësi, përfshirë Republikën Serbe dhe shtetin e Serbisë”, ka thënë Drecun.

Ndërkaq, Demo Berisha ka thënë se kjo marrëveshje është bërë me qëllimin për të bërë presion mbi Beogradin.

Nuk ka këtu asnjë dilemë se ekziston një palë e tretë ose e pestë. Është vetëm një palë, ajo është Serbia, dhe e gjithë kjo po bëhet për të ushtruar presion ndaj Serbisë sepse kemi shtete në rajon që janë të gjitha pjesë të NATO-s, KFOR-i është i pranishëm në Kosovë dhe nuk ekziston asnjë nevojë për një aleancë të tillë”, ka thënë ai.


Po më 6 shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri-Kroaci si të krijuar “për veprime mbrojtëse ose sulmuese ndaj territoreve të caktuara”.

“Si president i Serbisë, jam shumë, shumë i shqetësuar për aleancën ushtarake në mes të Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit. Mos më keqkuptoni, nuk është një aleancë ushtarako-teknike. Nuk është një aleancë për bashkëpunim ushtarako-teknik. Pra thonë ‘ju blini armë prej meje, unë do të blej prej teje’. Për këtë do të thosha, përveç me Prishtinën, Tirana-Zagrebi nuk kanë asnjë problem, por kjo është aleancë ushtarake që po krijohet për mbrojtje ose për veprimet ofensive kundër territoreve të caktuara, ose një aleancë mbrojtëse për territore të caktuara që brenda një dite shndërrohet në aleancë sulmuese”, ka thënë ai, siç ka shkruar “rtv.rs”.

“Si do ta sulmojë dikush Shqipërinë? Përse e bëni një aleancë ushtarake, edhe pse jeni në NATO? Të dyja, Kroacia e Shqipëria janë në NATO, Prishtina jo, prandaj pyetja tjetër që ngrihet është se si e formoni një aleancë ushtarake me Prishtinën?” ka thënë tutje ai.

Vuçiqi po ashtu ka thënë se është i shqetësuar edhe për planet që Kosova të blejë armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Turqia.

E vërteta?

Asnjëri prej zyrtarëve në fjalë nuk i ka mbështetur në fakte pretendimet e shprehura. Ata nuk kanë përmendur se përse kjo është e rrezikshme për Serbinë e as nuk kanë marrë për bazë dokumentet e nënshkruara, apo edhe deklarimet e dhëna nga nënshkruesit.

Por, kjo është vazhdimësi e një narrative që pati nisur në momentin kur ishte formalizuar marrëveshja, e tash rikthehet menjëherë pas takimit të ri trepalësh në nivel të drejtorëve të politikave të mbrojtjes dhe armatimeve.

Renditja e fakteve:

Në Tiranë, më 18 mars 2025, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia formalizuan një deklaratë të përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri. Marrëveshja u nënshkrua nga tashmë ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe nga homologët e tij, Pirro Vengu i Shqipërisë dhe Ivan Anushiq i Kroacisë.

Në deklaratën e nënshkruar nga ministri Maqedonci, ai i Shqipërisë Vengu, dhe ai i Kroacisë Anušić, u përcaktuan katër pika bashkëpunimi:

  • Nxitja e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse;
  • Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe ushtrimeve;
  • Luftimi i kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë;
  • Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Teksti i plotë i deklaratës në asnjë rast nuk përmend Serbinë apo edhe çështje që kanë të bëjnë me ofensivë. Aty në vazhdimësi shkruhet për çështje të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse me qëllim për rritur sigurinë dhe stabilitetin në rajon (shih këtu).

Në këtë kontekst, kuptohet se marrëveshja nuk është një akt i drejtuar kundër Serbisë, por një mundësi për të rritur bashkëpunimin dhe sigurinë në një rajon ku ka pasur tensione dhe konflikte historike.

Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, bënte të ditur se angazhimi i parë i paraparë në deklaratën e përbashkët është realizimi i blerjeve të përbashkëta të armatimit, duke bërë një porosi të vetme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në emër të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, me qëllim uljen e kostos dhe përshpejtimin e afateve të dorëzimit (shih këtu).

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, edhe sipas deklaratave të ministrave të Mbrojtjes të vendeve nënshkruese të marrëveshjes, nuk ka karakter agresiv, por synon forcimin e bashkëpunimit në siguri, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes trajnimeve dhe kontributin në paqen rajonale, pa përbërë kërcënim për asnjë shtet. Ajo reflekton orientimin e përbashkët drejt integrimit euroatlantik dhe mbështetjen e Kosovës nga dy vende anëtare të NATO-s në kuadër të stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, roli i NATO-s dhe misionit KFOR mbetet faktor kyç stabilizues, ndërsa marrëveshja është në përputhje me përpjekjet afatgjata për ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve në rajon.

Se qëllimi nuk është armiqësor, e ka përsëritur më 26 janar 2026 ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu. Ai po ashtu ka thënë se e ka ftuar Serbinë për pjesëmarrje në iniciativë, por se ajo nuk është përgjigjur (shih këtu).

Mund t’ju them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, në qoftë se gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë pse jo dhe Serbia t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Jua merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese. Atë që mund t’ju them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor, por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”, ka thënë Vengu.

Ai ka thënë se marrëveshja nuk përfshin garancitë e mbrojtjes, por është realizuar edhe për shkak se të tri shtetet kanë lexuar rreziqet dhe kërcënimet në mënyrë të njëjtë e se të tri vendet kanë nevoja të ngjashme për rritje të kapaciteteve.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244 nuk e pengon furnizimin me armë të Kosovës. Megjithëse ajo ruan kornizën e përkohshme ndërkombëtare të sigurisë, Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë dhe ka siguruar njohje ndërkombëtare, si dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe ushtarake dhe për armatim me shtete anëtare të NATO-s. (shih këtu dhe këtu).

Armatosja nuk e cenon mandatin e KFOR-it dhe nuk përbën militarizim të ndaluar. Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka disa kompetenca dhe disa parime. Në to përfshihen vetëm aspektet e mbrojtjes së sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të interesave të Kosovës.

Kosova ka arritur marrëveshje për blerje armësh edhe me shtete të tjera të NATO-s dhe këtë e ka bërë tash e sa vjet, qëkur u miratuan tri ligje në dhjetor të vitit 2018 për transformimin e FSK-së në ushtri.

KFOR-i është misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë. Trupat e tij kanë për mandat të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (Shih këtu).

Pas tranzicionit të FSK-së në ushtri nëpërmjet ligjeve, kryeministri i atëkohshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in” e se FSK-ja është e gatshme të shërbejë bashkë me forcat e KFOR-it.

ShBA-ja e pati konsideruar të drejtë sovrane të Kosovës transformimin e FSK-së në forcë “me mandat për mbrojtje territoriale” (shih këtu).


Për më shumë, nuk ka pasur deklaratë kundërshtuese nga NATO-ja për bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri-Kroaci. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për media më 2 prill 2025 ishte pyetur se si e sheh NATO-ja bashkëpunimin Kroaci-Shqipëri-Kosovë. Në përgjigje, Rutte pati thënë se nuk i takon të komentojë çdo zhvillim në botë, por pati shtuar se këto janë çështje për aleatët që të vendosin individualisht (shih këtu).

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shqetësim i madh. Kjo është arsyeja pse NATO-ja është e pranishme në Kosovë dhe gjithashtu në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ne kemi pesë aleatë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Slloveninë, dhe të gjithë po punojmë ngushtësisht së bashku. Por ju lutem të kuptoni se për mua si sekretar i përgjithshëm, unë duhet të përmbahem nga komentimi i çdo zhvillimi në çdo pjesë të botës, përfshirë në Ballkanin Perëndimor. Kjo u takon realisht aleatëve të vendosin individualisht”, pati thënë ai.

Ai ishte pyetur edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje për mbrojtje në mes të Serbisë dhe Hungarisë dhe se a ishte konsultuar NATO-ja paraprakisht.

“Epo, po shohim në rajon, sigurisht, më shumë nga këto marrëveshje bilaterale e trelaterale, si ajo me Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë. Dhe sigurisht që kemi. Dhe edhe kjo po vjen. Nënkuptoj që kjo është e jashtme. NATO-ja nuk është pjesë e saj. Pra kjo nuk ka të bëjë me Aleancën”, pati thënë ai.


Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron shtetin pjesë të saj. Megjithatë, Bashkimi Evropian ndërmjetëson procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me synimin për normalizim raportesh. Më 2023, Kosova e Serbia ishin pajtuar për një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit, që ndër të tjera i kërkon Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare (shih këtu).

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur u vra një polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit me grupin e armatosur serbë, u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i subjektit politik, Lista Serbe, Milan Radoiçiq. Për rastin, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave (shih këtu).


Aktiviteti i ri, narrativa e vjetër:

Ringjallja e narrativës se bashkëpunimi ushtarak Kosovë-Kroaci-Shqipëri kërcënon Serbinë u rikthye menjëherë pasi zyrtarë të tri Ministrive të Mbrojtjes u takuan në Kroaci, me qëllim të konkretizimit të fushave të dakorduara të bashkëpunimit.

Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes në Kosovë (3 shkurt), në takim janë shkëmbyer mendime lidhur me “mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës”.

Edhe ky njoftim ka përsëritur se deklarata është për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Hibrid.info tashmë ka trajtuar deklarata të tjera të ngjashme nga zyrtarë serbë, se marrëveshja ushtarake Kosovë-Kroaci-Shqipëri është rrezik për Serbinë. Rastet e tjera të trajtuara nga hibrid.info lidhur me këto narrativa i gjeni në uebfaqe (shih këtu dhe këtu)


Në përmbyllje, rikthimi i një takimi trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak ka ringjallur narrativën e vjetër të pabazë të zyrtarëve serbë se ky bashkëpunim është kundër Serbisë. Pretendimet, të përsëritura nga disa zyrtarë të lartë në Beograd, mbeten të pambështetura në fakte dhe dokumente, pasi marrëveshja ka karakter bashkëpunues, jo agresiv, dhe synon forcimin e sigurisë rajonale, pa kërcënuar asnjë shtet.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere