[email protected]
Murali i Vedat Muriqit nuk është real, imazhi u krijua përmes “Adobe Photoshop”
shape
shape
shape

Disa portale informative kanë publikuar dje një fotografi në të cilin paraqitet imazhi i futbollistit kosovar Vedat Muriqi, që luan në skuadrën spanjolle Mallorca.

Me anë të kësaj fotografie, disa portale kanë pretenduar se Muriqit i është bërë një mural në njërën nga ndërtesat e qytetit të Mallorca-s.

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia nuk paraqet një mural real, por e njëjta është edituar përmes programit për krijimin e imazheve “Adobe Photoshop”.


Kjo fotografi me pretendimin se paraqet një mural me imazhin e futbollistit kosovar Vedat Muriqi, është publikuar nga portalet informative si “Telegrafi.com”, “Katror.info”, “Zeri.info” e “Arbresh.info”, si dhe nga gazetari sportiv Arlind Sadiku në faqen e tij zyrtare në Facebook.

E njëjta fotografi është publikuar edhe në disa faqe në Facebook si “Koha.net”, “Emisioni Sportiv Favorit”, “GazetaBlic Sport”, “Sportmania”, “Fol Shqip”, “Objektivi” e “Sport Elite”.


Skuadra e Mallorca-s, fotografitë me imazhet e disa futbollistëve të saj që shfaqen nëpër ndërtesa, i ka publikuar edhe në Facebook me mbishkrimin “Tot 𝐌𝐚𝐥𝐥𝐨𝐫𝐜𝐚 està amb tu”, që në shqip përkthehet “E gjithë Mallorca është me ty”. (shih këtu)

Në këtë mbishkrim, faqja e skuadrës Mallorca e ka etiketuar edhe krijuesin e këtyre imazheve “@markjohnsondesign”.

Hibrid.info ka hulumtuar rreth krijuesit të këtyre imazheve, e që ka gjetur se i njëjti është kreator digjital (digital creator). (shih këtu)


Në ueb-faqen e këtij kreatori digjital “markjohnsondigital.co.uk”, hibrid.info ka gjetur punë tjera të tij, të ngjashme me ato që janë publikuar për futbollistët e Mallorca-s.

Në rubrikën “FROM THE PITCH TO THE STREETS”, janë gjetur punime të ngjashme që shfaqin disa futbollistë e ish-futbollistë në formën e njëjtë, pra nëpër mure të ndërtesave të ndryshme. (shih këtu)

Pas verifikimit të këtyre fotografive përmes programit të automatizuar “EXIF Viewer” (EXIF ​​ruan të gjithë informacionin rreth vetë fotografisë – si p.sh. niveli i ekspozimit, vendi ku keni bërë foton dhe çdo cilësim që keni përdorur), është vërtetuar se këto punime janë bërë përmes programit për krijimin e imazheve “Adobe Photoshop”. (shih fotografinë më poshtë)


Analiza:

Portale informative, faqe në Facebook e një gazetar sportiv në Kosovë, kanë publikuar një fotografi që paraqet imazhin e futbollistit kosovar Vedat Muriqi në formën e një murali në një ndërtesë në Mallorca.

Këto publikime u bënë me pretendimin se imazhi i Muriqit është bërë mural në këtë ndërtesë.

Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron dhe se imazhi është krijuar nga kreatori digjital Mark Johnson, me anë të programit për krijimin e imazheve “Adobe Photoshop”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë publikim si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others