Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e vendosi çështjen e Kosovës në kuadër të një narrative më të gjerë për rendin ndërkombëtar, respektimin e Kartës së OKB-së dhe pretendimin për standarde të dyfishta në zbatimin e parimeve të integritetit territorial. Në këtë kuadër, ai paraqiti disa narrativa të ndërlidhura për Kosovën, luftën e vitit 1999, pavarësinë e Kosovës dhe dialogun Kosovë–Serbi.
Narrativa e standardeve të dyfishta për integritetin territorial
Një nga boshtet kryesore të fjalimit ishte pretendimi se parimi i integritetit territorial nuk zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjitha shtetet. Vuçiq argumentoi se rendi ndërkombëtar i bazuar në Kartën e OKB-së është dëmtuar nga ndërhyrjet e fuqive të mëdha dhe e lidhi drejtpërdrejt këtë pretendim me rastin e Kosovës.
Ai e krahasoi Kosovën me Ukrainën. Sipas argumentimit të tij, në rastin e Ukrainës komuniteti ndërkombëtar mbron integritetin territorial të një shteti nga përdorimi i forcës, ndërsa në rastin e Serbisë, sipas tij, vetë fuqitë e mëdha përdorën forcën kundër saj dhe më pas mbështetën pavarësinë e Kosovës.
Kjo është një analogji politike e ndërtuar mbi parimin e integritetit territorial, por ajo lë jashtë dallime të rëndësishme mes dy rasteve. Në Ukrainë, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ES-11/1 e përshkruan veprimin rus të 24 shkurtit 2022 si agresion dhe dënon përdorimin e forcës nga Rusia brenda territorit sovran të Ukrainës. Në rastin e Kosovës, para ndërhyrjes së NATO-s ekzistonte një konflikt i armatosur i brendshëm në territorin e Republikës Federale të Jugosllavisë, me përfshirjen e forcave serbe/jugosllave dhe forcave të armatosura shqiptare të Kosovës, si dhe një krizë të rëndë humanitare.
Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit, e miratuar në shtator 1998, kërkonte ndërprerjen e armiqësive nga të gjitha palët, ndërsa shprehte shqetësim të veçantë për përdorimin e tepruar dhe pa dallim të forcës nga forcat serbe dhe Ushtria Jugosllave. Në të njëjtën kohë, ajo u kërkonte edhe udhëheqjes shqiptare të Kosovës të dënonte aktet terroriste dhe të hynte në dialog.
Prandaj, krahasimi i Vuçiqit krijon një paralelizëm politik mes dy rasteve përmes parimit të integritetit territorial, por nuk merr parasysh dallimin mes një agresioni ndërshtetëror si ai i Rusisë ndaj Ukrainës dhe një konflikti të armatosur të brendshëm në Kosovë, i cili parapriu ndërhyrjen e NATO-s.
NATO-ja e vitit 1999 si dëshmi e “standardit të dyfishtë”
Një tjetër pjesë e rëndësishme e narrativës së Vuçiqit lidhet me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Ai theksoi se bombardimet ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ-së) nuk ishin autorizuar nga një vendim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe i paraqiti ato si shembull të përdorimit të forcës nga fuqitë perëndimore jashtë rendit të pretenduar ndërkombëtar.
Fakti se NATO-ja e nisi fushatën ajrore më 24 mars 1999 pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që autorizonte shprehimisht përdorimin e forcës është pjesë e debatit juridik dhe politik rreth ndërhyrjes. Megjithatë, para ndërhyrjes ekzistonin rezoluta të Këshillit të Sigurimit për situatën në Kosovë, përfshirë Rezolutën 1199, e cila vepronte sipas Kapitullit VII dhe dokumentonte luftimet, zhvendosjen e popullsisë dhe krizën humanitare.
Pas përfundimit të fushatës së NATO-s, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, e cila parashikonte vendosjen e një pranie ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe riafirmonte angazhimin e shteteve anëtare për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë, duke parashikuar njëkohësisht autonomi substanciale dhe vetëadministrim për Kosovën.
Pra, në narrativën e Vuçiqit, ndërhyrja e vitit 1999 shërben si pikënisje e argumentit se fuqitë perëndimore zbatuan një standard për veten dhe një tjetër për Serbinë.
Kosova si “shkelje” e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244
Vuçiq e paraqiti pavarësinë e Kosovës si rezultat të shkeljes së parimeve të Kartës së OKB-së dhe të Rezolutës 1244, duke e lidhur atë me pretendimin se një pjesë e territorit të Serbisë është shkëputur në mënyrë të paligjshme.
Rezoluta 1244 vërtet riafirmonte angazhimin e shteteve anëtare për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë, por ajo gjithashtu krijoi një regjim të përkohshëm ndërkombëtar në Kosovë dhe parashikonte një proces politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm.
Por, një element kyç në këtë debat është Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) i vitit 2010. Gjykata konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ajo gjithashtu arriti në përfundimin se deklarata nuk kishte shkelur Rezolutën 1244.
Marrëveshja e Brukselit: Serbia si palë që ka përmbushur detyrimet dhe ndërkombëtarët si garantues të dështuar
Në pjesën për dialogun Kosovë–Serbi, Vuçiq u fokusua veçanërisht te Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Ai argumentoi se Serbia i ka përmbushur detyrimet e saj, ndërsa detyrimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet i parealizuar nga pala kosovare.
Megjithatë, narrativa e tij nuk është thjesht se pala kosovare nuk e ka zbatuar marrëveshjen. Vuçiq e vendos përgjegjësinë edhe te faktorët ndërkombëtarë, duke pretenduar se ndërkombëtarët nuk kanë siguruar zbatimin e barabartë të detyrimeve.
Kjo e ndërton një narrativë më të gjerë se Serbia paraqitet si palë që ka bërë lëshime nën presion ndërkombëtar, ndërsa faktori ndërkombëtar paraqitet si garantues që nuk ka siguruar zbatimin reciprok të marrëveshjeve.
Dokumentet e BE-së tregojnë një pasqyrë më komplekse (shih këtu, këtu dhe këtu). Pas marrëveshjes së 19 prillit 2013, u ndërmorën hapa konkretë për zbatimin e saj, përfshirë integrimin e strukturave komunale, policore dhe të drejtësisë në kornizën ligjore të Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore. Dokumentet e BE-së të asaj periudhe e përshkruanin zbatimin e elementeve kryesore të marrëveshjes si proces që po zhvillohej në praktikë.
Nga ana tjetër, raportet më të fundit të Komisionit Evropian e paraqesin dialogun si proces ku të dyja palët kanë detyrime dhe raste të moszbatimit. Raporti për Serbinë për vitin 2025 vëren probleme të rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve të dialogut, ndërsa raporti për Kosovën evidenton gjithashtu veprime të institucioneve të Kosovës që nuk janë konsideruar në përputhje me detyrimet e dialogut. Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, BE-ja vazhdon ta konsiderojë Kosovën përgjegjëse për nisjen e procesit drejt themelimit, ndërsa Serbia ka detyrime paralele në kuadër të marrëveshjeve të dialogut.
Kështu, paraqitja e Vuçiqit e redukton një proces shumëpalësh dhe shumëvjeçar në një kornizë ku Serbia paraqitet si palë që ka përmbushur detyrimet, pala kosovare si palë që nuk ka përmbushur një detyrim kyç, ndërsa ndërkombëtarët si faktor që ka ushtruar presion ndaj Serbisë pa garantuar zbatimin reciprok.
Kosova si produkt i një rendi ndërkombëtar të njëanshëm
Këto narrativa bashkohen në një mesazh të vetëm politik, ku Kosova paraqitet nga Vuçiqi si shembulli kryesor i një rendi ndërkombëtar që, sipas tij, nuk i zbaton në mënyrë të barabartë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Pra, Vuçiq e paraqet ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe pavarësinë e Kosovës si shembuj të zbatimit, sipas tij, selektiv të parimeve të integritetit territorial. Ai gjithashtu i referohet Marrëveshjes së Brukselit për të paraqitur Serbinë si palë që ka bërë lëshime, ndërsa Kosovën si përgjegjëse për moszbatimin e disa prej detyrimeve. Krahas këtyre, ai e lidh mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën me qëndrimet ndaj Kosovës, duke e përdorur këtë krahasim për të argumentuar se të njëjtat parime nuk zbatohen në mënyrë të njëjtë në rastet ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, fjalimi nuk e trajton Kosovën vetëm si çështje dypalëshe mes Beogradit dhe Prishtinës. Vuçiq e vendos atë në qendër të një narrative më të gjerë për rendin ndërkombëtar, fuqinë e shteteve të mëdha dhe pretendimin se parimet e së drejtës ndërkombëtare zbatohen në mënyrë selektive.