Nëpërmjet publikimeve në TikTok e Facebook është pretenduar se mediumi prestigjioz britanik, “The Guardian”, ka publikuar një artikull së fundmi me titull: “Burime tregojnë se Hashim Thaçi, ish-President i Kosovës dhe udhëheqësi i luftës së Kosovës, do të shpallet i pafajshëm”.
Publikimi përmban një imazh që ngjan në një artikull me dizajn të uebfaqes së mediumit “The Guardian” në gjuhën angleze dhe një fotografi të Thaçit nga procesi gjyqësor.
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se nuk ekziston një artikull i tillë i publikuar nga “The Guardian”.

Hibrid.info ka kërkuar në Google me këtë titull në shqip dhe anglisht, por rezultatet nuk çojnë në një artikull të tillë të publikuar nga mediumi britanik (shih këtu dhe këtu).
Po ashtu, edhe në kërkimin përmes rubrikës “search” (kërko) në uebfaqen e mediumit “The Guardian”, nuk shfaqet i publikuar ky artikull (shih këtu).
Kontekst
Thaçi gjykohet për dy raste në Hagë. Në rastin e parë, Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Ata janë arrestuar në nëntor 2020. Procesi gjyqësor është në fund. Ka mbetur vetëm shqiptimi i aktgjykimit. Në njoftimin e fundit lidhur me këtë rast, Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur se afati për shqiptimin e aktgjykimit është shtyrë deri më 20 korrik 2026 (shih këtu).
Ndërkaq në rastin tjetër, Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për “vepra kundër administrimit të drejtësisë”. Edhe aty procesi po vazhdon (shih këtu).
Publikimi në Facebook, deri në shkrimin e këtij artikulli ka grumbulluar 423 reagime, 27 komente dhe 8 shpërndarje (shih këtu). Ndërsa ai në TikTok ka grumbulluar 145 reagime, 1 koment, 29 shpërndarje dhe është ruajtur 8 herë (shih këtu)
Analiza
Pretendimet e shpërndara në TikTok dhe Facebook se “The Guardian” ka publikuar një artikull në të cilin “përmes burimeve” thuhet se Hashim Thaçi do të shpallet i pafajshëm, janë të pavërteta.
Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se një artikull i tillë nuk ekziston i publikuar nga ndonjë medium dhe nuk gjendet as në kërkimet në uebfaqen zyrtare të “The Guardian”.
Bazuar në metodologjinë e punës hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.